Debati në Komision – Laborantët dhe LSI kundër dhënies me koncesion të laboratorëve
Propozimi për dhënien me koncension të shërbimit laboratorik ka ngjallur kundërshtime. LSI ka kundërshtuar edhe këtë koncension ndërsa laborantët i kanë kërkuar ministrit të mos preket sistemi laboratorik.
Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshton procedurën për partneritetin publik-privat të shërbimit të laboratorëve. Në dëgjesën më ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj kryetari i grupit të LSI Petrit Vasili shprehu rezervat lidhur me projektin e ministrisë.
Vasili: Shërbimi laboratorëve nuk e di cilët nga bashkëpunëtorët tuaj ua ka thjeshtësuar kaq shumë. Nuk është as shërbim ristruacioni, as larjesh çarçafësh, është pjesë e shërbimit integral mjekësor. Shërbimi laboratorik zt.Ministër, nuk është një shërbim që bëhen ca analiza dhe jepen ca përgjigje.
Eksperimentin në një spital të caktuar edhe mund ta kuptoj, ndonëse këtu nuk jam dakord me ju. Nuk është një praktikë ku shërbimet kombëtare shëndetësore të vendeve në fillim dhe mbarim trajtohen me koncesion. Ju mund të kundërshtoni sa të doni, por një të tillë që në hartën e një vendi ka fillimi deri në fund, siç është edhe synimi i këtij koncesioni nga një model PPB, një model mbarëkombëtar nuk ekziston.
Më herët grupet e interesit thanë se për këtë koncension askush nuk ka marrë mendimin e tyre dhe se ata nuk kanë asnjë informacion nëse u cënohet apo jo vendi i punës.
Merita Kamberi, shoqata e laboranteve: Gjykojmë se jemi një grup i madh interesi që prekemi drejtpërdrejt nga ky projekt. Rreth një mijë mjekë dhe teknikë laboratori, të cilët punojnë në sistemin spitalor publik. Deri më tani, jo vetëm që nuk jemi ftuar për të pasur një përfaqësues në këtë studim, por jemi krejtësisht të painformuar se cili sistem PPP është zgjedhur.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se nuk mund të bëhet publik raporti i IFC pasi cënon procesin e koncensionimit.
Beqaj: Studimi i fizibilitetit i cili thuajse ka mbaruar, nuk mund të bëhet sepse ka elementë konfidencialë që nuk duhet t’i dinë gjatë përgatitjes së ofertave konkurrentët potencialë që pritet të marrin pjesë në këtë partneritet publik-privat.
Koncensioni i laboratorëve parashikon të marrë një fond prej 8 milion eurosh dhe do të zgjasë 10 vjet.
KOHA JONË SONDAZH

