Dëbimi i diplomatëve, ambasadori rus në Tiranë: Jemi të indinjuar

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Alexander Karpushin ka folur për News24 dhe BalkanWeb pas dëbimit të dy diplomatëve nga shteti shqiptar, në lidhje me çështjen “Skripal”, duke iu bashkuar dhjetëra vendeve europiane dhe SHBA-ve. Karpushin tha se për fat të keq, dëbimi i diplomatëve dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai deklaron se Ministria e Jashtme lëshoi një deklaratë pa pasur prova dhe për më tepër quan një gabim të madh publikimin e emrave të dy diplomatëve rusë të dëbuar.

YouTube player

Intervista e plotë e Ambasadorit të Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin:

Intervistoi: Rashela Shehu

Swiss Digital Desktop Reklama

 Ju i mohoni akuzat për përfshirje në helmimin e ish-agjentit rus Sergej Skripal, por a keni hetuar mbi këtë ngjarje dhe cilat janë informacionet tuaja?

Swiss Digital Mobile Reklama

Problemi kryesor me të ashtuquajturën “çështje Skripal” është jotransparenca dhe politizimi i saj. E vetmja gjë që kemi dëgjuar nga Londra është shprehja e famshme e kryeministres May se “ka gjasa të larta” që Rusia është e implikuar në incidentin e Salisbury. Kjo akuzë u ngrit menjëherë, pra ditën e nesërme pas ngjarjes, pa u treguar asnjë provë. Nga ana tjetër, Scotland Yard-i deklaroi se për investigimin e këtij atentati do të duhen minimumi disa muaj. Dhe meqë ra fjala, Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Ditmir Bushati theksoi dje në një intervistë që vendimi i NATO-s për dëbimin masiv të diplomatëve rusë është marrë sipas “provave paraprake”. Me fjalë të tjera, e vërteta e kësaj çështjeje ende nuk është zbuluar, dhe na vjen mirë që Ministria e Jashtme e Shqipërisë e pranon këtë gjë.

Për të kryer një investigim të mirëfilltë në Rusi, ne duhet të marrim të paktën disa informacione minimale nga pala britanike për mostrat e substancës helmuese dhe për gjendjen shëndetësore të viktimave. Në këtë kuadër, më duhet të përsëris për të satën herë: e vetmja gjë që kemi parë deri tani janë vetëm akuza që nuk mbështeten në asnjë fakt. Për mendimin tim, pyetja kryesore që duhet t’ju ngacmojë edhe juve, gazetarët, është për cilën arsye Britania e Madhe i injoroi obligimet e saj ndërkombëtare dhe nuk shfrytëzoi mekanizmat e aprovuar që janë parashikuar në Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike? Në këtë Konventë është shpjeguar shumë qartë mënyra e veprimit që duhet të zbatohet në situata të tilla, dhe ne ishim krejtësisht të gatshëm të punojmë bashkë me britanikët në kuadër të këtij dokumenti. Kjo sjellje e Londrës mund të ketë vetëm një shpjegim: ajo nuk ka asnjë provë reale të përfshirjes së Rusisë në helmimin e Sergej Skripalit dhe vajzës së tij. E gjithë kjo zhurmë për “sulmin e Rusisë kundër Britanisë së Madhe” është një aksion i mirorganizuar dhe i mirorkestruar për të demonizuar vendin tonë dhe për ta detyruar Rusinë që të heqë dorë nga politika e saj e jashtme e pavarur.

Edhe diçka tjetër: në qoftë se Britania e Madhe arriti të zbulonte me një shpejtësi të rrufeshme llojin e substancës helmuese, e cila gjoja është përdorur në Salisbury dhe pretendohet të quhet “Noviçok”, atëherë kjo do të thotë që Britania e Madhe duhet të ketë në dispozicion një mostër, apo një kampion standard të një substance të tillë dhe madje duhet të ketë aftësi për ta prodhuar. Dhe ne jemi në dijeni që kërkimet shkencore me emërtim të koduar perëndimor “Noviçok” janë zhvilluar si në Britaninë e Madhe, ashtu edhe në SHBA dhe vende evropiane. Rezultatet e këtyre kërkimeve janë botuar në më shumë se 200 burime të hapura të vendeve të NATO-s.

Megjithatë, pavarësisht mungesës së informacioneve konkrete nga ana e Londrës, pala ruse ka nisur një investigim. Më 16 mars Komiteti Hetimor i Rusisë ka ngritur një çështje penale lidhur me atentatin ndaj jetës së shtetases ruse Julia Skripal. Hetuesit tanë janë të gatshëm për bashkëpunim me organet kompetente të Britanisë së Madhe.

Vendet e NATO-s në bllok morën vendim të dëbojnë diplomatët rusë nga misionet diplomatike. A mendoni se është fillimi i një reagimi të ashpër të bllokut ndaj Rusisë dhe a druheni se kjo do përshkallëzohet?

Së pari, ky nuk është fillimi, por vazhdimi i politikës mjaft agresive antiruse të NATO-s, e cila ka kohë që ka humbur kuptimin e ekzistencës së saj dhe ka nevojë urgjentisht për një armik imagjinar për të mbështetur industrinë e saj ushtarake dhe për të mbajtur nën kontroll anëtarët e aleancës. Së dyti, Rusia nuk është një vend, i cili mund të frikësohet me këto gjëra. Ne e dimë që e vërteta është në anën tonë, dhe për këtë arsye asnjë presion dhe asnjë ultimatum nuk do të na detyrojë të sakrifikojmë sovranitetin dhe dinjitetin tonë.

Ministria e Jashtme ruse tha se do iu përgjigjet veprimeve të tilla. Është ky një kërcënim? Çfarë përgjigje do jepni?

Ato kundërmasa që do të ndërmerren nga pala ruse nuk mund të cilësohen sikërcënim:është një praktikë normale diplomatike dhe përgjigja jonë ndaj dëbimit të diplomatëve tanë do të jetë simetrike. Duke folur për këtë situatë Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov u shpreh së fundmi se ky dëbim masiv ka treguar që në botën tonë kanë ngelur shumë pak aktorë të pavarur, ndërsa Rusia do të përgjigjet patjetër ndaj harbutërisë së Perëndimit.

Ndërkohë që rreziku real për stabilitetin evropian vjen nga linja konfrontuese e Perëndimit ndaj vendit tonë. Kjo linjë zbatohet sipas skemës së mëposhtme: të organizosh një provokim, t’ia hedhësh fajin Rusisë dhe pastaj të vendosësh masa ndëshkuese antiruse. Kjo qasje nuk përputhet aspak me përkushtimin e Rusisë për të ndërtuar një arkitekturë të sigurisë së barabartë dhe të pandashme evropiane. Faktikisht, i ashtuquajturi “solidaritet euroatlantik” bie ndesh me objektivat realë për të siguruar një dialog dhe mirëkuptim në Evropë në funksion të parandalimit të rreziqeve të vërteta, siterrorizmi ndërkombëtar, trafiku i drogës, sfidat mjedisore etj.,po edhe tregon gjithashtu se Perëndimi nuk dëshiron ta trajtojë Rusinë si një partner të barabartë.

Te qëndrimet e çdo shteti lidhur me dëbimin ose jo të diplomatëve tuaj, shihni edhe aleancat reale? Greqia, Turqia, Qiproja nuk i larguan diplomatët rusë…

Duhet theksuar se mbështetja e dëbimit masiv të diplomatëve rusë nuk ka qenë e detyrueshme për asnjë vend dhe as për Shqipërinë. Për ne mbështetja ose jo e këtij vendimi në radhë të parë është indikator i qasjes objektive dhe gjykimit të shëndosh të një vendi apo të një tjetri. Siç jeni në dijeni, më 20 mars Ministria e Jashtme e Shqipërisë lëshoi një deklaratë, në të cilën, pa patur asnjë provë, e akuzoi Rusinë për një “sulm kimik” të zhvilluar kundër Britanisë së Madhe. Ndërsa tani pala shqiptare dëbon dy diplomatët tanë. Madje, në kundërshtim me praktikën e gjithëpranuar ndërkombëtare Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka bërë publikë emrat e tyre. Një gjë e tillë është e palejueshme dhe na krijon një indinjatë të fortë. Shpresojmë të dëgjojmë një shpjegim zyrtar të MEPJ-së lidhur me këtë veprim.

Nga ana tjetër, kemi parë dhe deklaratat e politikanëve të disa vendeve-anëtare të NATO-s dhe BE-së, si Belgjika, Austria, Bullgaria, Sllovakia etj., të cilat nuk deshën të dëbonin diplomatët tanë, pasi nuk ka prova të besueshme të implikimit të Moskës në “çështjen Skripal”. Pra, kemi dy qasje diametralisht të kundërta: një pjesë e vendeve nuk kanë nevojë për asnjë provë për ta akuzuar Rusinë, ndërsa një pjesë tjetër mendojnë se është e papranueshme të veprosh pa asnjë provë në dorë. Shqipëria i përket grupit të parë, dhe kjo është zgjedhja e saj. Për fat të keq, kjo besoj se do të dëmtojë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe do të ngadalësojë ecurinë e tyre në të ardhmen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?