Deputetë grekë sot në Tiranë të thirrur nga Vangjel Dule
Eurodeputetë dhe deputetë të Parlamentit të Greqisë do të vijnë sot në Tiranë në takimin e thirrur nga Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së me qëllim që të bashkojnë zërat kundër ‘grabitjes së pronave” të minoritarëve në Himarë, siç pretendon prej muajsh kjo parti.
Pas debatit që bëri në Kuvend me Kryeministrin Edi Rama, Dule nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të mos lejuar shembjet e disa shtëpive dhe bizneseve në Himarë, pasi sipas tij, qeveria po hakmerret ndaj atij minoriteti.
Nga fjalimi i Kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule, në Parlament më 3 nëntor 2016
“Një krahinë me vlera e tradita, që nga ardhja në pushtet e qeverisë Rama gjendet nën kërcënimin e fadromave dhe buldozerëve. Nisi kjo me Reformën Territoriale e tani me plane urbanistike, gjithçka në shërbim të interesave të mbrapshta. Ndarja territoriale në Himarë ishte tendencioze, e dështuar.
Për herë të parë në Dhërmi, pas 1990, në gjithë hapësirën politike evropiane kemi rastin unikal të shembjes së një objekt kulti, prishje selektive biznesesh dhe banesash, me sens hakmarrjeje, në një kohë që vazhdojnë ende në shkelje flagrante të ligjeve ndërtimet e sarajeve në Qeparo dhe këto në emtin e rilindjes urbane.
Nuk ka Rilindje që fsheh qëllimin, mposhtja e frymës së atij komuniteti dhe grabitja e pronës, nuk i them unë, rihidhini vështrim investigimit të Birn, meqë unë qenkam i paragjykuar. Nuk ndihet njeri, për javë në protesta banorët, stigmatizim, nacionalizëm deri në racizëm. Nuk mund të ketë asnjë patriotizëm fals që mund të marrë përsipër llogaritë e mbrapshta, grabitëse të Ramës dhe klikës së tij në Himarë.
Për këtë arsye, sot më 2 dhjetor 2016, ora 18:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) në bashkëpunim me organizatën OMONIA, Aleancën për Mbrojtjen e Pronës së Bregdetit (AMPB), Bashkimin Himarjot të Amerikës, si dhe Bashkimin Himarjot të Athinës, organizon takim të hapur me temë ” Jo grabitjes së pronave, pro zhvillimit dhe integrimit në BE! “, me qellim informimin e publikut. Në këtë takim do jenë të ftuar Eurodeputet, Deputet të Parlamenti grek etj.
Ndërsa nesër, më datë 3 dhjetor 2016, ora 10:00 te hotel PLAZA Tirana, salla ”Queen Geraldine A” në katin e 3-të, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mbledh Këshillin e Përgjithshëm Drejtues Kombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

