Dilemat e opozitës/ Berisha: Bojkot Kuvendit. Basha: Vetëm protesta
Partitë e Frontit Opozitar janë duke diskutuar sot për format e reagimit ndaj qeverisë, pas protestës së 26 majit. Në grupin parlamentar të PD-së janë diskutuar disa variante për aksionin e opozitës. Ndërkohë pritet që sot Lulzim Basha të shpjegojë vijimin e aksionit pas mbledhjes së partive aleate.
Në mbledhjen e deputetëve të PD-së qëndrimet kanë qenë për dy opsione. Varianti i parë, që ka pasur dhe mbështetjen e ish-kryeministrit Sali Berisha është bojkoti total i Parlamentit. Berisha ka deklaruar se opozita duhet të shkëputet nga ky parlament duke i hequr çdo legjitimitet pushtetit të Edi Ramës.
“Hapi i vetëm që na mbetet është bojkoti. Ne duhet të shkëputemi nga ky parlament. Ramës ia dhamë kohën e duhur për Xhafën”,- është shprehur Sali Berisha. Ideja e bojkotit si e vetmja zgjidhje për të detyruar mazhorancën të reflektojë është përkrahur dhe nga deputetë të tjerë të PD.
Por kreu i PD-së, Lulzim Basha ka qenë kundër largimit të opozitës nga Parlamenti. Në fjalën e tij, Basha ka shpjeguar se bojkoti një muaj para vendimit për negociatat nuk do të ishte i dobishëm dhe mund të prodhonte efekte të kundërt nga ai që synon PD.
“Lëvizja drejt bojkotit parlamentar, në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të deviojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Kemi një kryeministër që është kaq i lidhur me krimin sa kalon nga një ministër i Brendshëm, pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës te një ministër që ka venë ministrinë, policinë dhe prokurorinë në funksion të mbrojtjes së vetes dhe vëllait të tij trafikant droge”,- është shprehur Lulzim Basha.
Në këto kusht, Basha ka hedhur idenë e vazhdimit të protestave dhe bojkoti të përkohshëm, por jo total të Kuvendit. Basha ka lënë të kuptohet se vetëm pasi të jepet vendimi për negociatat, opozita do të dalë me strategjinë e re për mënyrën sesi do të reagojnë ndaj qeverisë.
Deri më 29 qershor, PD dhe aleatët e saj duket se do të zhvillojnë tubime sporadike dhe do të vazhdojnë denoncimet në Kuvend dhe në komisione. Aksioni i opozitës do të ketë ritëm tjetër, në varësi të vendimit të BE për hapjen e negociatave.
KOHA JONË SONDAZH

