Drejt shtyrjes të zgjedhjeve? PS: Reforma zgjedhore deri në fund të nëntorit
Në një kohë që opozita ka braktisur Kuvendin prej 3 muajsh, socialistët teksa deklarojnë se do të diskutojnë edhe ndryshime të sistemit zgjedhor në Shqipëri edhe me deputetët e rinj të Kuvendit, pranojnë ngërçin politik të krijuar tashmë si pasojë e mungesës së një tryeze diskutimesh.
Nisur nga mungesa e një dialogu gjithëpërfshirës, ku opozita deklaron prerazi se nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor, duket se dhe vetë Partia Socialiste po përgatit terrenin për konkretizimin e shtyrjes së garës vendore, të paktën për në vjeshtë.
Një sinjal i tillë vjen nga Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ku i kërkon ndryshime në vendimin për Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Konkretisht Balla kërkon që afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore që është deri më 5 maj të zgjatet deri në 28 nëntor dhe pjesë e veprimtarisë së Komisionit, të shtohen edhe çështjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri.
Në projektvendim thuhet se puna për reformën zgjedhore mund të realizohet me disa faza, të cilat përfshijnë pjesë të ndryshme të Reformës Zgjedhore.
Me gjithë këtë, kjo kërkesë e Ballës mundëson vetëm shtyrjen e zgjedhjeve, por nuk është një hap përpara për zgjidhjen e krizës politike, pasi një e tillë duhet të gatuhet nga krerët politikës.
Kjo, pasi vetë PS është shprehur që nuk do të ndryshojë sistemin zgjedhor pa dakordësinë e Partisë Demokratike. / Koha Jonë
Letra e Ballës

KOHA JONË SONDAZH

