“Drejtësia po kapet, vettingu me dy standarde”. Çfarë i tha opozita shefes së ONM
Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për Reformën në Drejtësi, Genoveva Ruiz Calavera, vizitoi këto ditë Tiranë për tu njohur me procesin e ngritjes së institucioneve të reja.
Ndërsa Qeveria thotë se procesi po ecën me sukses, dje një grup organizatash të pavarura të shoqërisë civile që financohen nga BE për të monitoruar procesin paraqitën një sërë vërejtjesh thelbësore. Ndërsa sot, gjatë takimit me ekspertët dhe ish-deputetë të opozitës Calavera është njohur me një realitet shumë të ndryshëm të reformës nga ajo çfarë pretednon qeveria.
Ish-deputetët e opozitës, Silva Caka, Klajda Gjosha, Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi i kanë paraqitur përfaqësues së BE një dokument ku kanë shprehur gjithë shqetësimet për mangësitë, mungesën e transparencës dhe shkeljet ligjore dhe Kushtetuese që janë kryer gjatë zbatimit të reformës në drejtësi.
Ndër ankesat kryesore, deputetët rendisin procesin e zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme, futjen në institucionet e reja të juristëve që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, si dhe faktin se në procesin e Vettingut kanë kaluar si të pastër emra që në sistemin e drejtësisë janë faktuar me probleme serioze.
Sipas ish-deputetëve të opozitës, kjo ka ardhur pasi Komisioni i Ligjeve ka adaptuar procedura që nuk ekzistojnë askund për të kapur sistemin. Një tjetër shqetësim drejtuar Calaverës, që ish-deputetët e opozitës kanë ngritur, është gara për kryeinspektor të ILD-së, ku sipas tyre kandidatët Metani, Kokona dhe Gjonçaj kanë lidhje direkt me PS-në. Gjithashtu deputetët kanë listuar dhe një seri emrash që kanë hyrë në sistemin e ri të drejtësisë dhe që njihen publikisht për lidhje nepotike me zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe drejtues të Partisë Socialiste.
Deputetët e opozitës i kanë kërkuar shefes së ONM-së se, roli këtij organizmi në raport me Reformën në Drejtësi duhet ridimensionuar, në mënyrë që të respektohet maksimalisht rëndësia që i është dhënë ONM-së dhe rekomandimet e saj mos të zhvlerësohen. Sipas bashkëbiseduesve të zonjës Calavera, transparenca lidhur me rekomandimet e ONM-së është zero, pasi nuk gjenden të publikuara në faqet e KPK-së, KPA-së apo KP-së.
Në foto: Dokumenti i paraqitur nga opozita para Shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)


KOHA JONË SONDAZH

