Ende pa nisur protesta, Edi Rama mbyll grilat e dritareve
Policia ka marrë masat për protestën që do të mbahet sot pasdite në Tiranë, përpara kryeministrisë, e cila është thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Burimet bëjnë me dije se punonjësit e kryeministrisë kanë mbyllur grilat e dritareve, edhe pse ora nuk ka shkuar ende 16:00.
Shtyllat ku janë vendosur kamerat e sigurisë do të lyhen me graso me qëllim që protestuesit të mos munden të ngjiten për të dëmtuar kamerat. Ndërkohë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamujt e Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë e Shqipërisë, ku nuk përjashtohet mundësia e incidenteve me grisjen apo djegien e tyre. Nga ana tjetër, kërpudha që ndodhej e instaluar në lulishten e jashtme të kryeministrisë, është hequr.
Protesta e thirrur nga Berisha pritet që të nisë rreth orës 17:00 poshtë zyrës së Ramës, ndërkohë që grumbullimi do të nisë rreth orës 16.00 në ambientet e oborrit të PD-së.
Bulevardi është bërë gati për pritjen e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të samitit “Open Ballkan”. Sot Vuçiç, Zaev e delegacioni do të priten në një darkë jo formale ndërkohë që nesër në orën 09:00 do të jetë mbërritja e Vuçiç dhe Zaev me delegacionet në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
KOHA JONË SONDAZH

