Flet për DW Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca
Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca flet për fokusin e Javës Evropiane, procesin e reformës në drejtësi, krizën politike si edhe perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit BE-Shqipëri. Ndër të tjera ai i pyetur në lidhje me reformën në drejtësi dhe situatën e pritjes së negociatave, sqaroi:
DW: Por z. Ambasador, ka një perceptim se reforma gjyqësore po ecën shumë ngadalë dhe askush nuk po shkon në burg. Kur do t’i ndjejnë qytetarët shqiptarë efektet e kësaj reforme?
Ambasadori i BE Luigi Soreca: Dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vetingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës. Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme. Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë.
DW: Pavarësisht disa reformave të ndërmarra, procesi i hapjes së negociatave me BE-në ka një shtyrje për në muajin shtator. A ka ndikuar kriza politike në këtë shtyrje?
Ambasadori i BE Luigi Soreca: Shqipëria duhet të besojë në atë që bëri gjatë vitit të kaluar. Komisioni Evropian do të nxjerrë një raport në fund të këtij muaji dhe më pas Këshilli – ju e dini dallimin mes Komisionit dhe Këshillit – do të marrë një vendim jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për afatin kohor. Dhe kjo varet tërësisht nga Presidenca Rumune e Këshillit. Kam dëgjuar ashtu si dhe ju, se ka disa shtete anëtare që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar raport-progresin e Komisionit Evropian duke pasur parasysh se ka vetëm tri javë kohë ndërmjet miratimit të raportit dhe vendimit të Këshillit. Por kjo ende nuk është vendosur, ndaj derisa të vendoset i ftoj autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të përqendrohen në këtë afat. Nëse ky afat do të shtyhet për më vonë këtë vit, shpresoj vërtet që qeveria shqiptare ta përdorë mirë këtë kohë. Dhe në muajt e ardhshëm SPAK-u do të funksionojë, Gjykata Kushtetuese do të rikthehet dhe ndoshta do të kemi edhe një zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR mbi ligjin zgjedhor.
KOHA JONË SONDAZH

