Gentian Çala: Turizmi në Pogradec u rrënua qëllimisht
Politikë E Enjte, 1 Prill 2021 18:32
Kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në listën e qarkut Korccë, gentian Ccala denoncon situatën dramatike të turizmit që po përjeton sot Pogradeci.
Nga Gentian Çala
Me ardhjen në pushtet të Rilindjes filloi edhe dëmtimi i turizmit në Pogradec. Me justifikimin e një bregu liqenor pa ndërtime nga Lini në Pogradec ju vu kazma shumë shërbimeve private kryesisht restorante dhe hoteleri, me justifikimin e përfshirjes së zonës në UNESKO. Shumica e tyre të pajisura me dokumenta të rregullta dhe zhdëmtimi u bë nga fondet e shtetit, duke na dëmtuar dyfish ekonomikisht. Vetëm një pronë e prishur vlente rreth 2 milion euro.
Qeveritarët kishin tjetër plan në mendje, jo atë të pastrimit të bregut liqenor, por të dhënies me koncension të shërbimeve turistike në projektin që quhej “risistemim i bregut të liqenit”, duke shtetëzuar disa prej pronave të fshatrave Lin, Piskupat, Udënisht dhe Mëmëlisht me çmime qesharake prej 190 lekësh për metër katror. Dikush mund të thotë se kjo nuk ka ndodhur, por projekti ka ekzistuar dhe vazhdon të jetë në pritje për tu zbatuar. “Gojët e liga” thonin se pas kësaj ideje qëndronte vetë ish-Zv.Kryeministri shqiptar, Niko Peleshi.
Tashmë që shërbimet u zhdukën, kryesisht ato nën rrugën automobilistike, gjithçka ishte e qartë destinacioni i Pogradecit ofronte pak mundësi. Destinacioni dhe investimet ishin zhvendosur gjetkë. Kjo zonë është kryesisht e bllokuar nga legalizimet e ndërtimeve në fshatra, ku pushtetarët dërgojnë “matësit” para çdo fushate për matjet e radhës të pronave dhe banorët dëgjojnë premtimet për legalizime që do të ndodhin shpejt, por nuk ndodhin. Vitet shkojnë dhe pronarët po plaken me letra zyrave të institucioneve. Nuk doja ta besoja, por duket se i kanë vënë syrit edhe Gadishullit të Linit, ku duket se pushtetarët duan të ndërtojnë një resort të madh. Toka e të gjithë toka e askujt, thuhej dikur. Pushtetarët po mendojnë si ta bëjnë të tyren. Prapë me qiramarrje nga pushteti vendor i emëruar.
E pra, ju që nuk keni ujë në shtëpi, mos u çudisni nëse ju lenë pa ndihmë ekonomike, ata kanë një plan akoma më të keq, tu marrin pjesën më të mirë të tokave që të bëjnë para me pasurinë tuaj. Këto që kam shkruar i dinë shumë njerëz, por nuk flasin. Turizmi dhe pronat tuaja u rrënuan qëllimisht që ata të pasurohen përmes tyre.