Gjosha veçon tre gabimet e qeverisë që po penalizojnë Integrimin (VIDEO)

Përplasje, batuta dhe akuza për “selfie” me persona të inkrimuar, pati edhe kjo seancë parlamentare. Ish-Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, në fjalën e saj në kuvend, foli hapur për komisionin dhe reformën zgjedhore. Duke e cilësuar si show politik debatin, Gjosha u shpreh se sot politika duhet të kërkote falje për gabimet gjatë 4 viteve të kaluara që u bë me reformën.

“Ja ku jemi sot, në një show politik që nuk paska të sosur, për ti thënë qytetarëve që nuk ka problem që dështuam 4 vite dhe se rëndësi madhore na paska koncensusi për të cilën ne sot po ngrejmë mbi komisionin dhe reformën zgjedhore”,-tha Gjosha. Më tej, deputetja e LSI-së, shtoi se: “Duhet të pranojmë këtë dështim, për të marrë punën që së bashkur duhet të bëjmë për komisionin dhe reformën zgjedhore”.

Duke përmendur raportin e OSBE-OHDIR, për zgjedhjet e 25 qershorit, Gjosha veçoi tre pika të rëndësishme, terrori ndaj administratës me largimet pa motivacion, shitblerjen e votës dhe përdorimin e policisë së shtetit nga ana e Kryeministrit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Kodi u dhuna dhe u shfuqizua nga një marrëveshje e 18 majit. Ishte kjo marrëveshje që ka një njollë të zezë edhe në raportin e OSBE-OHDIR, sa i takon dhunës psikologjike dhe terrorit të ushtruar ndaj administrates shtetërore, largime nga puna pa asnjë shkak, pa asnjë letër e motivacion, në kundërshtim me ligjin e punënësit civil. Shitblerja e votës, si një akand i hapur në 25 qershor dhe lidhja me krimin. Policia e shtetit, solli deformimin e votës”,-pohoi deputetja e LSI-së.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për hapjen e negociatave me BE-në, ish-ministrja e Integrimit, solli rastin e Serbisë dhe Malit të zi, që sot po negocion dhe është pranë anëtarësimit. Gjosha u shpreh se vendi duhet të kishte nisur raportin që në shtator, në mënyrë që të niste hapja e negociatave por Kryeminstri, shtoi Gjosha: Ka rrënuar ekonominë, institucionet dhe demokracinë.

“Serbia dhe Mali i zi, po afrohen çdo ditë e më shumë me integrimin. Shqipëria duhet ta kërkonte me ngulm, ose duhet të kishte filluar që në fillim të shtatorit punën, pasi raportet prezantohen tek Komisioni Europian, por Kryeministri rrënon ekonominë, institucionet dhe demokracinë”.

https://www.facebook.com/klajdagjoshaLSI/videos/694054464119346/

Fjala në Kuvend e Deputetes së LSI, Klajda Gjosha:

Të nderuar kolegë deputetë.

Sot po shqyrtojmë ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore, çështje kjo mjaft e nxehtë në vendin tonë, madje një debat I zvarritur dhe I vonuar pa fund, duke bërë që zgjedhje pas zgjedhjesh, Shqipëria ti rikthehet kësaj teme, por që fatkeqësisht mbështetja nga partitë e mëdha ka qenë thuajse zero. Gjithmonë kjo çështje është trajtuar më shumë në kuadër fjalësh, se sa veprash. Vijmë sot për të ngritur një komision, I cili dështoi plotësisht në legjislaturën e shkuar. Për herë të parë, Komisioni I Reformës Zgjedhore nuk arriti të mbyllte mandatin, apo të prodhonte sikur dhe disa rekomandime të vetme për përmirësimin e zgjedhjeve. Dhe ja ku jemi sot mes një shoë politik që nuk paska të sosur, për ti thënë qytetarëve se nuk ka problem që dështuam katër vite dhe se rëndësi madhore na paska konsensusi me të cilën ne sot po ngremë komisionin e reformës zgjedhore. Kur flasim për zgjedhjet dhe për votën e lirë të qytetarëve, minimumi që mund të bëjmë është që të tregohemi serioz. Të vërtet me njerëzit dhe me vetveten dhe të shohim realitetin e hidhur në sy. Ndoshta kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të na bërë ne të reflektonim për atë eksperiencë negative zgjedhore me të cilën u përfshi Shqipëria më datën 25 qershor por edhe në zgjedhjet e mëparshme lokale dhe ato parlamentare. Kur flasim për zgjedhjet flasim për nivelin e demokracisë në një vend. Për respektin që kemi ndaj votave të qytetarëve dhe në të dyja aspektet ne kemi dështuar. Ndoshta do të duhet të pranojmë njëherë këtë dështim për të vazhduar dhe për të marrë seriozisht punën që ne së bashku duhet të bëjmë për komisionin dhe për reformën zgjedhore. Dhe për tu kthyer te zgjedhjet e fundit parlamentare politika jonë tregoi se kodi elektoral u dhunua dhe u shfuqizua me sekonda nga një marrëveshje e 18-majit. Marrëveshje kjo që ashtu siç mund të ndodh vetëm në çudirat e politikës shqiptare doli mbi çdo ligj dhe mbi çdo moral të mundshëm. Ishte kjo marrëveshje që la një njollë të zezë në fakt edhe në raportin e OSBE/OHIRI-t, përsa i përket dhunës psikologjike dhe terrorit të ushtruar kundrejt Administratës Shtetërore, largimeve masive nga puna pa asnjë shkak, pa asnjë letër apo motivacion dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e nënpunësit civil, i cili të jeni të bindur që shumë shpejt do të sjell dhe pasoja të mëdha edhe në buxhetin e shtetit duke rënduar kështu taksapaguesit shqiptar. Dhe aq qesharake ishte Taskforca e ngritur për të kontrolluar administratën sa degradoi deri në heqjen e të drejtës për punonjësin, për marrjen e lejes vjetore apo edhe më keq akoma deri në shtyrjen e datave të martesës, nga frika se mos këta persona realisht do të merreshin me fushatë zgjedhore. E megjithatë përtej kësaj pjesa më e vështirë për të gjithë ne, është vulosja që e OSBE/OHIRI i ka bërë dy çështjeve kryesore. Shitblerjes së votës, gjithmonë Shqipëria në fakt ka pasur probleme me shitblerjen e votës por kurrë më parë vota e lirë e shqiptarëve nuk është kthyer në një ankand kaq të hapur saç ka qenë në 25 qershor. Dhe e dyta lidhjes së politikës me krimin. Jam mundur të lexoj dhe pjesët  e mira të raportit por nga momenti kur unë personalisht, kolegë të mitë dhe qytetarë të thjeshtë janë ndeshur me presionin që është ushtruar çdo moment si nga instancat shtetërore e deri te bandat që vepronin në mënyrën më të shëmtuar në terren, ajo pjesë e raportit për fat të keq nuk më jep më asnjë lloj sadisfaksioni. Përdorimi i policisë së shtetit dhe roli jashtëzakonisht i kompromentuar i saj solli pasoja të rënda në deformimin e votës së qytetarëve shqiptar. Ndoshta nuk t’ia vëmë fajin edhe shumë policisë përsa kohë ne kishim kryeministrin që i bënte një thirrje totalisht të paligjshme policisë së shtetit, të mblidhnin vota për PS. Akt ky i paprecedentë por dhe tregues i qartë i mosfunksionimit të pavarësisë së  institucioneve kyç në vend. Që kanë për detyrë të garantojnë rendin, sigurinë dhe të drejtat e qytetarëve. Shumë këtu mund të kërkojnë ta fshehin këtë realitet të hidhur dhe unë i mirëkuptoj sepse nuk është e thjeshtë në fakt të rrënosh imazhin e Shqipërisë kundrejt ndërkombëtarëve por fakt është që deformimi i votës është i njëjtë me vrasjen e shpresës për çdo qytetar që kërkon ta ngrejë të ardhmen e vet në këtë vend. Dhe që beson te alternativat politike për mirëqeverisje. Pas 25 qershorit besoj që shpresa dhe e ardhmja e shqiptarëve u vra aq shumë sa nuk i numërojmë dot sot kërkesat për azil në vendet e BE.

Prandaj të nderuar kolegë

Kur debatoni për reformën zgjedhore, mos mendoni vetëm për votim dhe numërim elektronik si zgjidhjen magjike të garantimit të votës se nuk ka asnjë vlerë që sistemi të vazhdojë të numëroj vota të blera dhe të shitura. Mos debatoni vetëm për ashpërsim legjislacioni, për fotografimin e votës. Ne nuk vuajmë për ligje, as për reforma në letër, përkundrazi kemi një legjislacion të plotë krahasuar me gjithë vendet e tjera kështu që debati duhet të nis nga mekanizmat që mund ti jakun fund shitblerjes së votës. Ndryshimit të mentalitetit dhe të rifreskimit të figurave politike që kanë promovuar akte të tilla në këtë vend. Fushatave të ndërgjegjësimit që duhet të zhvillohen në çdo cep të Shqipërisë të treguar se vota është e shenjte dhe se ajo nuk mund të ndryshojë të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre. Se një votë e shitur sot do të thotë të mos kërkosh llogari për asnjë lloj padrejtësie në katër vitet që do të vijnë. Debati do të duhej të bëhej për të detyruar partitë politike dhe përfaqësuesit kandidat, për të debatuar për programe politike. Për prioritete sektoriale, për zgjidhje madhore problemesh për qytetarët në qeverisjen e ardhshme. Dhe jo për tepsi e për pushtet apo fyerje të pafundme personale që përveç se i kthejnë zgjedhjet në një show qesharak nuk shtojnë asnjë vlerë demokratike në këtë proces.

Nuk shtojnë asnjë vlerë demokratike në këtë proces. Reforma duhet të nisë nga transparenca financiare, e fondeve të përdorura në fushatat zgjedhore, dhe pse jo të shohim dhe llogaritë bankare të gjithsecilit dhe se si janë shpenzuar ato gjatë kohës që bëhej fushata zgjedhore. Zgjedhjet janë një nga kriteret më kryesore për procesin e integrimit europian,  tregues I qartë I demokracisë, shtetit të së drejtës, I besueshmërisë dhe I mbajtjes së përgjegjësisë para qytetarëve tanë. Edhe pse nuk artikulohet asnjëherë si kusht, ai është një kriter I patjetërsueshëm. Kjo nuk do të thotë që Komisioni dhe vendet anëtare mbyllin sytë para realitetit tonë të hidhur. Edhe në këtë 25 qershor, ky ishte një kriter I cënuar, që nuk arriti ta vinte Shqipërinë në një nivel tjetër, përkundrazi e uli besueshmërinë e saj. Serbia dhe Mali I Zi po negociojnë sot me Bashkimin Europian, po afrohen çdo ditë e më shumë drejt anëtarësimit. Ndërsa Shqipëria në vend që të kërkojë me ngulm dhe duhet të kishte nisur në fakt, që në fillim të këtij shtatori, kur dhe raportet e para I prezantohen komisionit europian, në fakt vazhdon çdo ditë rrënon institucionet, rrënon ekonominë, zgjedhjet dhe demokracinë. Unë kam bindjen se çdo reformë zgjedhore që ne do të duhet të ndërmarrim, do të funksionojë vetëm kur Shqipëria të ketë një shtet të drejtë, një drejtësi të pavarur, ku gjithsecili nga ne do të trajtohej I barabartë para ligjit, ku Policia e Shtetit të kryejë detyrën me paanëshmëri, apo kur Komisioni Qendror I Zgjedhjeve të mos marrë urdhra nga Kryeministri dhe nga ministrat dhe patjetër kur përfaqësuesit e partive politike të mos udhëhiqen nga etja për pushtet të përjetshëm. LSi do të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin e Posaçëm dhe unë kam bindjen që me shumë konstruktivitet dhe alternativë pozitive do të kontribuojë në vazhdimësinë e kësaj reforme, ashtu siç bëmë dhe në legjislaturën e shkuar. Synimi ynë është I qartë për ta mbyllur, në kohë dhe pa zvarritje reformën, por nga ana tjetër ne kërkojmë zgjidhje me mekanizma konkret për ti dhënë fund njëherë e mirë shitblerjes së votës dhe lidhjes së politikës me krimin. Çdo anashkalim I këtyre çështjeve do ta bënte reformën të pavlerë për qytetarët tanë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?