Harun Çelik u dëbua me forcë edhe pse u lutej policëve: “Azil, azil…”
Më 1 janar, pas gati 5 orësh pritje në të ftohtë për lirimin e mësuesit Harun Çelik nga burgu 302 në Tiranë, një duzinë personash- shumica turq që jetojnë në Shqipëri, u bënë dëshmitarë të një operacioni të errët të Policisë së Shtetit, pa mundur të pengojnë dëbimin e tij si “pako postare” drejt Turqisë.
Në vend të lirimit, 42 vjeçari Çelik u ngjit në një fuoristradë policie në burgun 302 për t’u dërguar fillimisht në Ambasadën turke në Tiranë, më pas në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit dhe në fund në aeroportin “Nënë Tereza” si pasagjer i detyruar i fluturimit të orës 20:55 të “Air Albania”; një prej kompanive simbol të bashkëpunimit mes qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe asaj të Presidentit Rexhep Taip Erdogan.
E gjithë skena zgjati më pak se katër orë në një ditë feste dhe pushimi në Tiranë, duke lënë pas një mori pikëpyetjesh mbi ligjshmërinë e dëbimit, motivet dhe shkeljen e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga Shqipëria. “Është rrëmbim personi,” i tha BIRN një dëshmitar turk i dëbimit të Çelik në një nga kafenetë e Tiranës, ku u takuam në praninë e një përkthyesi. Ndjekës i të gjitha lëvizjeve të Çelik nga burgu deri në aeroport, ai e përshkruan skenën përballë Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Laprakë si momentin e parë kur e kuptuan se çfarë po ndodhte, duke i bërë thirrje Harun Çelik që të kërkonte azil dhe avokat.
“Ai filloi të bërtiste azil-azil dhe nuk pranoi të hipte në makinë. Dy policë e kapën nga krahët dhe e kthyen sërish brenda në polici. Kur e morën kështu, i ranë këpucët në tokë,” shtoi dëshmitari me duart që i dridheshin. Ende i frikësuar, ai kërkoi që të mos përdorej asnjë detaj që mund ta identifikonte.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes intervistave me dëshmitarë okularë dhe avokatët mbrojtës tregojnë se Policia shqiptare e dëboi forcërisht Harun Çelik dhe bëri një vesh shurdh ndaj thirrjeve të tij të dëshpëruara për azil, pasi e kishte shoqëruar më parë brenda ambasadës turke në Tiranë. BIRN mësoi gjithashtu se në orët e tij të fundit në Shqipëri, Çelik iu mohua e drejta e avokatit dhe përkthyesit dhe firmosi dokumente në mungesë të tyre.
Mbrojtësit e Çelik, Elton Hyseni dhe Alban Bengasi si dhe simpatizantë të lëvizjes Gylen në Tiranë akuzojnë policinë se ka kryer deportim të paligjshëm dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Por drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i hodhi poshtë akuzat në një bisedë telefonike me BIRN, duke e cilësuar deportimin një procedurë rutinë për ata që kapeshin me dokumente false.
“Nuk ka pasur asnjë kërkesë formale për azil dhe ai i firmosi vetë formularët për t’u kthyer në Turqi,” tha Veliu, pa i dhënë përgjigje pyetjes nëse Çelik ishte asistuar me përkthyes dhe avokat gjatë firmosjes së formularëve.
Veliu pranoi gjithashtu se para deportimit, policia e shoqëroi Çelik në ambasadën turke në Tiranë për ta pajisur me leje kalimi, ndërsa shtoi se nuk ishte punë e tij që të verifikonte nëse personit i cënohej jeta apo kishte rrezik në vendin ku po dërgohej.
I pyetur nga BIRN nëse ishte konsideruar kërkesa verbale për azil në momentet e fundit, Veliu u përgjigj “kjo nuk është një lojë ngriva-shkriva”.
“Në rajon për një firmë”
Harun Çelik, baba i katër fëmijëve me profesion mësues u ndalua më 8 korrik 2019 në aeroportin e Rinasit bashkë me shtetasin tjetër turk, Selami Simsek, në përpjekje për të udhëtuar në Kanada përmes një vize false. 42-vjeçari, i cili besohet se është pjesë e lëvizjes së frymëzuar nga kleriku Fetullah Gylen, ishte larguar nga Turqia përpara grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 dhe kishte qëndruar në Kazakistan bashkë me familjen.
Çelik u dënua me 13 muaj burg për “përdorim të dokumenteve të falsifikuara” dhe në përfitim të gjykimit të shkurtuar, qëndroi 5 muaj e gjysmë në burgun 302 në Tiranë.
Sipas një urdhri të firmosur nga prokurori, Çelik duhej të lirohej më 1 janar 2020, në orën 11:30. Si i ikur nga Kazakistani, pa asnjë lidhje të mëparshme në Shqipëri, Çelik mendohej se nuk do të kishte askënd që ta priste jashtë qelive të burgut në ditën e parë të vitit.
Megjithatë, tre simpatizantë të lëvizjes “Hizmet”, që ishin vënë në lëvizje nga e motra e mësuesit u ngulën para dyerve të burgut 302 paraditen e 1 janarit. Dëshmitari, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se e kishte ndjekur çështjen e tij përmes avokatëve gjatë gjithë kohës.
“Nuk e kam njohur më përpara. Pasi u arrestua në Shqipëri, motra e z.Çelik më gjeti përmes të njohurve të përbashkët,” tha ai.
Në mesin e dhjetorit ai kishte mësuar nga avokatët se Çelik do të lirohej më 31 dhjetor, por ishte shtyrë për në datën 1. Mëngjesin e asaj dite, prokuroria kreu procedurat përfundimtare dhe lëshoi një urdhër për lirimin e tij në orën 11.30.
Dëshmitari thotë se ndërsa prisnin para derës së burgut dhe Çelik nuk po dilte prej saj, u interesuan te roja të mësonin çfarë po ndodhte. “Pasi pritëm 1 orë, 2 orë, folëm me rojen, por nuk na tha gjë. Më pas doli një zotëri 50-55 vjeç, drejtues i burgut. Na tha që do të dalë, por personi që ka në dorëzim sendet personale ishte në Shkodër, pasi ishte ditë pushimi dhe do prisnin sa të vinte që të merrte në dorëzim sendet personale,” tregoi ai.
Dy orë të tjera kaluan pa asnjë lajm, derisa një drejtues i burgut doli sërish për t’u konfirmuar se Çelik do të lirohej, por më parë duhej të shkonte në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit për të nënshkruar “disa letra”.
“Pak më vonë doli një xhip i policisë. Shkojmë të shohim dhe Harun ishte brenda bashkë me drejtorin e policisë kufitare,” thotë dëshmitari, edhe pse nuk është e qartë se cili ishte drejtuesi i Policisë që e shoqëroi Çelik. Dëshmitari thotë se ai që ata e identifikuan si “drejtor të policisë” u kishte thënë nga brenda xhamit të makinës se “do e çonin në rajon për të hedhur një firmë”.
Kontakti me drejtuesin e policisë së kufirit dhe pretendimi i tij për firmën i kishte bërë të dyshonin. Megjithatë, këmbanat e alarmit u ndezën plotësisht kur roja i burgut u tha se në të vërtetë, Çelik po shoqërohej në ambasadën e Turqisë në Tiranë.
Nga biseda me kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u kuptua se “firma” ishte pranimi për t’u kthyer në Turqi. “Ka firmosur vetë,” tha Veliu në një bisedë telefonike me BIRN, duke e konsideruar këtë miratim të deportimit nga Çelik.
Por avokati i Çelik, Elton Hyseni i konsideron të dyshimta veprimet e policisë dhe denoncon faktin se një përfaqësues i zyrës së tij avokatore nuk ishte lejuar të takohej me klientin në kohën që po kryheshin procedurat.
Hyseni i tha BIRN se ata kishin kërkuar dokumentet mbi të cilat ishte bërë deportimi, por tha se deri së fundmi “ishin në errësirë”. Hyseni po ashtu tha se kishin kërkuar edhe hyrje-daljet nga burgu për të parë kush kishte bërë shoqërimin dhe po ashtu edhe pamjet e sigurisë, por ende nuk kishin marrë asnjë përgjigje.