Gazetari i REL-it rrëfen momentet dramatike pas të shtënave në darkën e Trump

Gazetari i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ndodhej brenda sallës ku po mbahej darka e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, kur natën e 25 prillit u dëgjuan të shtëna pranë vendit të ngjarjes.

Incidenti shkaktoi panik mes të pranishmëve dhe çoi në evakuimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Një agjent u qëllua nga afër, por siç tha Trump, jeleku antiplumb ia shpëtoi jetën. I dyshuari u arrestua dhe është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Torrance, Kaliforni.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë intervistë, Raufoglu rrëfen çfarë pa në sallë dhe si u përjetuan minutat e para pas të shtënave.

Swiss Digital Mobile Reklama

Radio Evropa e Lirë: Ku ndodheshit saktësisht kur u dëgjuan të shtënat? Çfarë patë fillimisht? A e patë sulmuesin apo ndonjë gjë që mund të ndihmojë për të përshkruar atë që ndodhi?

Alex Raufoglu: Isha ulur mjaft afër njërës prej hyrjeve kryesore të sallës së madhe. Tavolina ime ishte me numër 219 dhe ndodhej përgjatë korridorit qendror që të çonte drejt skenës.

Salla ishte e organizuar në atë mënyrë që çdo tavolinë kishte pamje të qartë si nga skena, ashtu edhe nga hyrjet. Prandaj, ishim shumë të vetëdijshëm për çdo lëvizje në atë zonë.

Ne nuk e pamë sulmuesin, por dyert kryesore ishin të hapura. Kur nisën të shtënat jashtë, zhurma ishte jashtëzakonisht e fortë.

Në fillim, për një çast, disa prej nesh menduam se ndoshta diçka kishte rënë jashtë, sepse kamerierët po hynin dhe po dilnin vazhdimisht. Darka ishte duke u shërbyer në atë moment.

Por, hutimi u zhduk pothuajse menjëherë, kur krisma e parë e fortë u pasua nga disa të tjera, njëra pas tjetrës. Do të thosha se u dëgjuan pesë ose gjashtë të shtëna brenda pak sekondash. Atëherë u bë e qartë se diçka serioze po ndodhte jashtë.

Radio Evropa e Lirë: Si e kuptuan njerëzit brenda sallës se bëhej fjalë për të shtëna me armë dhe jo për diçka tjetër?

Alex Raufoglu: U deshën disa sekonda. Përsëritja e krismave – të shpejta, të mprehta dhe njëra pas tjetrës – e bëri të qartë se nuk ishte aksident. Dyert ishin të hapura dhe zhurma depërtonte drejtpërdrejt në sallë.

Mund ta ndieje menjëherë ndryshimin e atmosferës. Pas një hutimi, njerëzit e kuptuan pothuajse menjëherë se çfarë po ndodhte. Disa u futën menjëherë nën tavolina. Të tjerë mbetën të ngrirë për pak çaste, duke u përpjekur ta kuptonin situatën.

Por, brenda pak momentesh, e gjithë salla e kuptoi se bëhej fjalë për të shtëna me armë.

Radio Evropa e Lirë: Cili ishte reagimi i parë i gazetarëve, zyrtarëve dhe të ftuarve?

Alex Raufoglu: Ishte një përzierje instinkti dhe profesionalizmi. Duhet kujtuar se ajo ishte një sallë plot me gazetarë. Pas momentit të parë të tronditjes, shumë njerëz i morën telefonat pothuajse automatikisht – për të dokumentuar, për të raportuar, për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Në të njëjtën kohë, brenda sallës kishte një ndjenjë të vërtetë urgjence. Njerëzit pyesnin njëri-tjetrin nëse ishin mirë, shikonin njëri-tjetrin në sy, qëndronin pranë. Ne kishim kaluar tashmë disa orë së bashku atë mbrëmje, në disa aktivitete paraprake dhe në tapetin e kuq, kështu që brenda sallës kishte njëfarë ndjenje familjariteti.

Shumë shpejt, reporterët kaluan në raportim, duke shkëmbyer informacione me njëri-tjetrin. Zakonisht në një ambient të tillë ekziston konkurrenca për ta nxjerrë lajmin i pari, por në atë moment saktësia dhe siguria ishin më të rëndësishme se shpejtësia.

Për më tepër, komunikimi ishte i kufizuar për shkak të internetit të dobët, ndaj në atë moment mbështeteshim shumë te njëri-tjetri.

Radio Evropa e Lirë: Sa shpejt e largoi shërbimi sekret presidentin Trump nga salla?

Alex Raufoglu: Gjithçka ndodhi jashtëzakonisht shpejt, brenda pak sekondash. Mund të shihej se shërbimi sekret ishte tashmë i pozicionuar në mënyrë strategjike në të gjithë sallën.

Nga vendi ku isha ulur, dukej se nënpresidenti u largua i pari, me gjasë sepse ishte më afër daljes në anën e tij.

Presidenti Trump ishte në skenë, duke biseduar, dhe pothuajse menjëherë agjentët e larguan nga aty. Zonja e parë dhe të tjerët pranë tij fillimisht shkëmbyen disa fjalë, e më pas edhe ata e ndoqën. Ishte një reagim shumë i koordinuar.

Radio Evropa e Lirë: A dhanë forcat e sigurisë udhëzime të qarta për të pranishmit?

Alex Raufoglu: Po, udhëzimet ishin të qarta: të qëndronim poshtë dhe në qetësi. Sigurimi donte ta vlerësonte situatën pa hutim shtesë.

Në një moment, dëgjova disa njerëz që filluan të brohorisnin “SHBA, SHBA”. Por, atyre iu tha shpejt të ndalonin, sepse zhurma mund të shkaktonte më shumë panik dhe të pengonte përpjekjet e sigurisë.

Pas pak sekondash, na u tha se i dyshuari ishte kapur, por megjithatë na u kërkua të qëndronim në vend dhe të prisnim udhëzime të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë patë pranë pikës së kontrollit të sigurisë, apo zonës kryesore të kontrollit, nëse patë diçka?

Alex Raufoglu: Salla e madhe ndodhet në nivelin e poshtëm të hotelit, në bodrum. Për të hyrë aty, duhej të kaloje përmes një pike shumë të kontrolluar sigurie. Pas kontrollit kishte shkallë lëvizëse që zbrisnin poshtë, dhe pastaj një tjetër shtresë kontrolli sigurie, menjëherë jashtë hyrjes.

Këtë vit, për shkak se presidenti ishte i pranishëm, siguria ishte më e rreptë se zakonisht. Ky ishte viti im i 12-të në këtë ngjarje dhe ishte e qartë se këtë herë ishin më të përgatitur.

Rrugët përreth ishin të mbyllura. Duhej të ecnim disa blloqe për të arritur te hyrja. Jashtë kishte edhe protestues, të cilët i pashë teksa po hyja. Ishte ditë me shi.

Qasja në hotel ishte jashtëzakonisht e kufizuar. Nuk mund t’i afroheshe as hyrjes kryesore pa treguar kredencialet te shërbimi sekret. Të gjithë duhej t’i mbanin biletat në dorë. Nga ajo që pashë, siguria ishte shumë e lartë.

Radio Evropa e Lirë: Sa zgjati paniku dhe bllokimi brenda vendit të ngjarjes?

Alex Raufoglu: Bllokimi zgjati afër një orë, ndoshta pak më pak. Në fillim kishte pasiguri se çfarë do të ndodhte më pas. Madje pati edhe disa diskutime se ngjarja mund të vazhdonte.

Në fund, na u tha se presidenti nuk do të kthehej dhe se do t’i drejtohej publikut nga Shtëpia e Bardhë.

Zona jashtë vazhdonte të ishte nën masa të rrepta sigurie. Nuk mund të largoheshim lirshëm. U desh kohë derisa njerëzit u lejuan të dilnin dhe të vendosnin se çfarë do të bënin më pas.

Radio Evropa e Lirë: A patë persona të lënduar apo ekipe emergjente duke trajtuar dikë?

Alex Raufoglu: Po, shkurtimisht. Kur disa prej nesh dolën drejt korridorit për të shkuar në tualet, pamë të paktën një person në tokë dhe ekipe emergjente duke komunikuar me personelin e sigurisë.

Por, shumë shpejt na udhëzuan të ktheheshim në sallë. Tualeti ishte afër derës kryesore, prandaj nuk patëm pamje të plotë të asaj që po ndodhte. Ishte një pamje e shkurtër, por e mjaftueshme për të kuptuar se kishte të lënduar që po trajtoheshin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë po u thoshin zyrtarët të pranishmëve pasi i dyshuari u ndalua?

Alex Raufoglu: Zyrtarët u përpoqën të ndanin aq informacion sa mundeshin në ato rrethana, por komunikimi ishte i kufizuar, sepse shumë prej nesh nuk kishin qasje të qëndrueshme në internet brenda vendit të ngjarjes.

Është interesant se disa nga përditësimet e para që njerëzit i panë erdhën përmes mesazheve që qarkullonin nga telefoni në telefon. Mes tyre ishte edhe postimi i presidentit në Truth Social.

Kolegët po ndanin informacionin që arrinin ta siguronin. Krijohej përshtypja se zyrtarët po përpiqeshin të ishin sa më transparentë, por situata ende po zhvillohej.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë masash sigurie kishte para dhe gjatë ngjarjes?

Alex Raufoglu: Masat e sigurisë ishin dukshëm më të larta krahasuar me vitet e kaluara. Siç thashë, për shkak të pranisë së presidentit këtë vit, mbyllja e rrugëve ishte më e gjerë se zakonisht, ndoshta disa blloqe më shumë. Kishte gjithashtu disa shtresa kontrolli përpara se të arrije deri te salla.

Brenda, prania e Shërbimit Sekret ishte shumë e dukshme, me agjentë të pozicionuar në gjithë sallën.

Në njëfarë mënyre, intensiteti i masave të sigurisë dhe vetë incidenti krijuan një moment të papritur uniteti. Gazetarë, zyrtarë qeveritarë, staf dhe njerëz që jo gjithmonë ndajnë të njëjtat qëndrime u gjendën papritur në të njëjtën situatë, të përqendruar te siguria dhe duke u kujdesur për njëri-tjetrin.

Ishte një kujtesë e fortë për rreziqet që mund t’i shoqërojnë ngjarje të tilla dhe për shqetësimet më të gjera lidhur me sigurinë.

Amra Zejneli Loxha

Drejtoreshë Rajonale për Evropën Qendrore e Radios Evropa e Lirë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Ilir Alimehmeti 5682 (61.6%)
Florjan Binaj 2325 (25.2%)
Agron Shehaj 1212 (13.1%)

Vota totale: 9219