Ilir Meta, Imzot George Frendos: Shqipëria ka nevojë për dashuri, besim dhe shpresë
Kryetari i Kuvendit,Ilir Meta, uron Imzot George Frendo për emërimin në krye të Arqipeshkvisë së Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës
Ilir Meta: “Shqipëria ka nevojë për dashuri, besim dhe shpresë.”
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se Shqipëria është atdheu i Nënë Terezës, Shenjtores së të varfërve, Qytetares së madhe të të gjithë botës dhe bijës së katolicizmit.
“Nëna e Shenjtë Terezë na mëson se: “mbase nuk mund të bëjmë dot gjëra të mëdha në të përditshmen tonë, por mund të bëjmë vepra të vogla me dashuri të madhe”. Dhe Shqipëria ka nevojë për dashuri. Ka nevojë për besim dhe shpresë. Dhe besimi në Perëndi është një nga ato mundësi të lumtura që i afrojnë qytetarit më shumë dashuri dhe shpresë,” tha ai.
Duke cituar Papa Françeskun, i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë, tha se “më i rëndësishëm është ndërtimi moral sesa ekonomik i një vendi”, zoti Meta tha se beson se kjo është një nga të vërtetat drithëruese që “duhet të na ndriçojnë në punën e përditshme, për të na dhënë vizionin e duhur dhe forcën e nevojshme për të kuptuar se për çfarë ka më shumë nevojë shoqëria shqiptare, e cila ka qenë dhe është në thelb një shoqëri evropiane.”
“Unë besoj se duke u kujdesur për besimtarët Tuaj, duke ndriçuar mendjet e tyre dhe duke ngrohur shpirtrat e tyre, ju do të gjeni rast të prekni, shihni dhe kontaktoni dhe me qytetarë të besimeve të tjera,” tha Kryetari i Kuvendit, duke vënë në dukje se një nga mesazhet e Papa Françeskut kur vizitoi Shqipërinë, ishte se “harmonia fetare në Shqipëri duhet të konsiderohet si dhuratë e Zotit, dhuratë e cila duhet ruajtur me kujdes, pasi ajo është thelbësore për lirinë tonë; jemi të gjithë vëllezër dhe liria e besimit është kundër çdo lloj totalitarizmi dhe dhune”.
“Është kështu dhe kështu do të jetë për gjithmonë,” theksoi Meta.
Ai nënvizoi besimin se Imzot George Frendo, në krye të Arqipeshkvisë së Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, në ushtrimin e misionit të tij të lartë, do të vendosë një gur të çmuar në urën e madhe të bashkëpunimit, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në Shqipëri, si një shembull që shoqëritë e sotme moderne në Evropë do të duhej ta ndjekin në përditshmërinë e tyre, shpesh shumë të trazuar e të turbullt.
KOHA JONË SONDAZH

