INTERVISTA ME RAMËN/ Sopranoja e njohur Ermonela Jaho rrëfen sfidat e karrierës: Listova në një ditar ëndrrat e mia, i realizova
Sopranoja e njohur Ermonela Jaho ka qenë sot e ftuara e radhës në sezonin e dytë të podcastit “Flasim”, të kryeministrit Edi Rama. Jaho ku rrëfeu si kurrë më parë sfidat që ka hasur gjatë karrierës së saj, rëndësinë e njerëzve që e kanë nxitur të ndjekë ëndrrat dhe “luftën” e bërë për të mos i braktisur kurrë këto të fundit.
Ermonela Jaho është artistja, e cila pas sukseseve, çmimeve dhe arritjeve në karrierë fsheh pas eksperienca e histori të jetuara në ndjekje të ëndrrave të saj. Sipas saj dëshira dhe pasioni për të ndjekur këto të fundit qëndrojnë pas suksesit të saj.
INTERVISTA
Kryeministri Edi Rama: Episodi i katërt i sezonit të dytë të Podcastit “Flasim” ka një protagoniste shumë të veçantë. Një emër, të cilin, sidomos vajzat dhe djemtë, që kanë ndodhur t’i takoj në aktivitete të ndryshme e kanë dëgjuar hera-herës që ta përmend si një shembull, një shembull që mishëron të vërtetën se kur njeriu e sheh me sy hapur një ëndërr, sado e madhe ajo të jetë, nëse ka të gjitha fuqitë e brendshme për ta ndjekur, arrin ta realizojë. Ermonela Jaho.
Ermonela Jaho: Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Sepse vërtetë ti je mishërimi i kësaj, sipas meje. Ua them shpesh vajzave dhe djemve që takoj që “E njihni Ermonela Jahon? Keni dëgjuar?” e pastaj vazhdoj “Ermonela Jaho kur ishte në Liceun Artistik ishte në grupin e atyre që mësonin kanto, ajo tek e cila të gjithë do vinin bastin më të ndrojtur sepse askush nuk e shihte si një soprano të ardhshme në skenë dhe Ermonela Jaho në atë kohë thoshte “Unë do këndoj në La Scala”.
Ermonela Jaho: E kisha të sigurt.
Kryeministri Edi Rama: Gjë që, për ata që e dëgjonin, nxiste edhe idenë që kjo vajza…
Ermonela Jaho: Ka diçka që nuk funksionon.
Kryeministri Edi Rama: Kjo vajza ishalla nuk bëhet për ilaçe. Mirëpo, koha tregoi që ti këndove në “La Scala” dhe jo vetëm në “La Scala”, por ti ngjite të gjitha scalat dhe këndove e vazhdon të këndosh në skenat më prestigjioze të botës. Si bëhet kjo?
Ermonela Jaho: Nuk ka formulë, të them të drejtën, pa bërë shumë histori. Formula e vetme është diçka e brendshme, është ajo energjia, ajo flaka që secili prej nesh ka kur i vë qëllim vetes. Me një punë të jashtëzakonshme sepse dhe ëndrra më e bukur, edhe ajo që duket diçka e jashtëzakonshme, le të themi, do një punë shumë të madhe sepse po të kapeshin ëndrrat kaq kollaj, nuk do të kishin këtë magji.
Unë e kam dashur jashtë mase. Ndoshta me kalimin e kohës kam kuptuar që këndimi ka qenë kanalizimi ku unë kanalizoja ato ndjenjat e mia të thëna, të pathëna ku fantazia fluturon dhe nuk ka limit.
Të jem shumë e sinqertë, tani po e them, unë kam mbajtur një ditar, një ditar si do doja unë, domethënë ajo ëndrra që fillonte diku, pikërisht që këtu, në Pallatin e Pionerëve e të tjerë e deri që në një ditë do doja të këndoja Traviatën në La Scala, Desdemona e Otello e të tjerë në të gjithë teatrot e botës. Një lloj çmendurie, por ishte kjo fantazia që e kisha bërë në një listë; do arrij këtu, do bëj këtë, do bëj atë dhe e kam sot e kësaj dite këtë ditar.
Realiteti tjetër, kur shkoja në lice, siç e përmendët dhe ju, kishte një lloj pabesueshmërie, i vetmi që më besonte ishte im vëlla dhe babi që ndoshta ngaqë donte që unë të fluturoja me ëndrrat e mia, të mos ndalonte thjesht tek ato gjërat që ishin pak të kufizuara e që sot them që të rinjtë i kanë mundësitë. Për shembull, të kishe një klasë me pianoforte ishte e pamundur kur studioja unë në Lice, madje unë mbaj mend që zgjohesha që në 5 të mëngjesit, kush ngrihej i pari me pastruesen të hapte derën e Liceut dhe kush arrinte i pari të kapte një klasë me pianoforte. Ndonjëherë, kur dera ishte e mbyllur, hipja nga dritarja, nja dy herë kam grisur pantallonat, por ishte ajo dëshira e madhe.
Nuk ka asgjë që të ndalon sepse e doja, ishte një nevojë shpirtërore. Ky ishte realiteti që prekja me dorë dhe realiteti i bukur ajo fantazia, ajo energjia që unë po e shikoja, po e vizatoja, po projektoja ku do arrija.
Duke u kthyer tani, e lexoj, ky është një Notebook që janë bërë ato faqe sikur ka një histori shekullore, por është sepse është shkruajtur në çdo lloj momenti, kur kam qarë, kur kam qenë e trishtuar, e gëzuar, kur kam qenë me bukë në dorë duke shkruar dhe kur e lexoj tani prekem, por dhe jam shumë krenare sepse të gjitha, sikur është kthyer bota nga ana tjetër, të gjithë ato gjëra që kisha shkruar në fantazi e sipër, të gjitha i kam kaluar.
E them këtë jo për të treguar ç‘kam bërë, por është dhe një mesazh të cilëve po ua them dhe studentëve tani – sepse jam duke bërë një workshop, të katërtin, – që asgjë nuk është e pamundur. Ëndrrat në momentin që i sheh me sy mbyllur dhe me sy hapur, ti i sheh me të vërtetë.
Kryeministri Edi Rama: Ato me sy mbyllur kur je duke fjetur, edhe të çojnë edhe në drejtime të gabuara kështu që unë flas për ato me sy hapur.
Ermonela Jaho: Sikur e kam viziualizuar. Është sikur universi e shtyu këtë ëndrrën time se të ndihmon, kur e do diçka me shpirt në mënyrë patologjike, do e thoja, është një lloj energjie. Unë besoj shumë në energji sepse Universi është me energji.
Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se unë kam privilegjin dhe është privilegj që të të njoh, gjë që ma preve pak hovin me atë “ju”, kështu që të lutem mos më fol me “ju”.
Ermonela Jaho: Është për respekt edhe për…
Kryeministri Edi Rama: Kur jemi veçmas nuk më flet me ju, siç më kujtohet. Kështu që, do thosha që duke të njohur dhe duke të pasur dëgjuar në ato pak raste që kemi pasur mundësi të flasim, energjia, fantazia, ëndrra, të gjitha këto, në fakt, kanë një shtrat, i cili është si një tokë e punuar duke derdhur lot dhe po aq lot sa dhe djersë, për të kultivuar farën e kësaj ëndrre për ta ujitur, për ta mbrojtur nga breshëri, për ta ushqyer me diell, për ta rritur pa e lënë që të thyhet.
Do ishte mirë që edhe unë me këtë rast të mësoja ndonjë gjë më shumë, por edhe ti të ndaje, bashkë me ata që na ndjekin, këtë pjesë, pjesën e padukshme në skenë, pjesën edhe të pathënë të sa shumë pune fizike dhe sa shumë mundi në punë të është dashur për të arritur aty ku arrite.
Ermonela Jaho: Është një punë që nuk mbaron asnjëherë. Unë edhe sot e kësaj dite çdo mëngjes ngrihem, bëj ato ushtrimet e mia fizike, kam gjetur një lloj ritmi sepse këndimi, instrumentin e ke me vete dhe kushtëzohet nga gjendja shpirtërore, nga gjendja fizike, ne këndojmë pa mikrofon dhe mikrofoni ynë është trupi. Këtë gjë ua them dhe studentëve, këngëtarëve të rinj që nuk këndohet vetëm me zë dhe rezonon vetëm kjo pjesa këtu. Është i gjithë trupi instrument, ti këndon me të gjithë trupin. Unë po e zbuloj dita-ditës, edhe duke u rrëzuar sepse njeriu mëson shumë edhe nga gabimet. Kam pasur edhe unë momente shumë të vështira që thoja ta lija fare, por ndonjëherë koha teston pasionin, sidomos në momentet më të vështira.
Është ai kërkimi, ishte diçka që mund të rrija një natë, dy netë të flija gjumë që “Do ta lë tani” se njeriu dëshpërohet për shumë arsye, gjëra e arsye subjektive dhe objektive, por është ai zjarri, diçka brenda që nuk të lë dhe është një kërkim i vazhdueshëm që bën.
Unë kam kërkuar shumë nga ana fizike, fiziologjike, nga ana profesionale dhe nuk mbaron asnjëherë. Është një kërkim në vazhdimësi dhe edhe sot e kësaj dite e bëj, ushtrime të thjeshta, mund të jetë të shkosh në palestër.
Këtë u them dhe studentëve të rinj “Ok ti shkon se do të dukesh bukur, do të dukesh fit, e kuptoj atë gjë, por mendoje që gjë e parë do të shërbejë ty nga ana teknike, do përmirësohesh ti nga ana teknike” dhe ju shpjegoj mënyrat sesi duhet të punojnë me fizikun për të ndihmuar dhe këtë anën teknike që ti këndon pa mikrofon, mund të japësh çdo lloj ekspresioni edhe një të qarë edhe një të qeshur nëpërmjet zërit, por është gjithë trupi që e mbështet. Ky është mikrofoni yt, i gjithë trupi sepse këndimi është diçka shumë emotive, shpirtërore dhe çdo lëvizje trupi që ne bëjmë ka një domethënie dhe jam shumë diligjente në mënyrë patologjike që shoh çdo lëvizje, jam në studim e sipër kur del tingulli. Është një punë që nuk mbaron asnjëherë dhe është diçka e përditshme. Unë para dy ditësh këndova La Rondine një opera e Puçinit dhe ishte shfaqja e katërt. Dhe kam 30 vjet që jam në skenë. Përsëri ditën e shfaqjes vajta tre orë përpara, duke bërë ushtrime për të gjetur ato gjërat e reja atë ditë, sepse trupi jonë nuk ndryshon përditë sidomos tek këngëtarët dhe duke qenë diçka fizike duhet të gjesh më të mirën. Nuk duhet të zbresë ai standardi yt. Nuk do jesh 100% por në momentin më të vështirë nuk duhet të zbresë poshtë 70%.
Kryeministri Edi Rama: Unë dua të shkojmë pak më konkretisht. Për shembull, ti më ke çuar një herë, më kujtohet shumë kohë përpara një video duke bërë boks. Duke u stërvitur me doreza boksi edhe duke i rënë atij thesit të boksierit pa pushim sepse para pak ditësh apo kohe kur ishim takuar më kishte folur pikërisht për stërvitjen fizike dhe më çove atë videon dhe më the: ja për shembull dhe bum, bum! Sa lloj aktiviteti fizik bën jo në kuptimin sa orë, por sa lloj. Kur shkon deri tek boksi mendoj që ….
Ermonela Jaho: Vrapi, peshat, shtanga, noti, me litar. Për shembull 500 kërcime me litar çdo mëngjes! Ajo është kafja ime. Para se të pi kafen, 500 kërcime me litar, 500 kërcime sepse është kapaciteti i mushkërive që ndihmon në këndim dhe rrit atë staminën se je atlet. Sidomos sot Opera ka arritur në një dimension tjetër. Ti je një atlet, duhet të jesh një aktor dhe gjërat, ritmi është aq intensiv sa ti nuk ke kohë as të marrësh frymë dhe përgatit trupin, zëri etj, por sidomos ana fizike që ndihmojnë jashtë mase. Ne bëjmë prova, në një produksion normal 7-8 orë në ditë. Por të kesh gjithmonë këtë adrenalinën se nuk është se bën 3,4,5,6 orë prova dhe thua hajde se po këndoj një çikë, po këndoj më ngadalë këtu. Je në adrenalinë e sipër për 6-7 orë dhe këtë vetëm kjo stërvitja fizike dhe pikërisht fillon mëngjesi me 500 kërcime me litar, pastaj me pesha. Fillon e bën këto squats kur gjen një palestër afër teatrit apo afër apartamentit që ke marrë në atë periudhë ku do këndosh, një palestër me shtanga. Kështu që më pas kur fillon e këndon e ndien diferencën se ndien gjithë muskujt e trupit. Ose mbi topin e jogës pa u mbështetur në asnjë vend, thjeshtë duke ndenjur në ekuilibër, ti do mbështesësh 100% ndryshe bie nga topi. Nganjëherë se nganjëherë janë këto mënyra e të shpjeguarit: frymëmarrja duhet të jetë kështu. E bëjnë shumë intelektuale, shumë më direkte. Unë i vë në top, por re nga topi do të thotë që kjo nuk funksionon. Duhet të punosh të bësh këto ushtrime, etj. Këto janë ushtrimet e mia që unë bëj çdo ditë sidomos me kalimin e moshës njeriu humbet dhe atë masën muskulare. Kështu që, ta shtyjmë një çikë atë daljen në pension them unë. Duhet të punosh shumë më tepër sepse konkurrenca është e madhe. Zëra të rinj ka plot. Zëra shumë të bukur dhe të qëndrosh pas 30 vitesh prapë me një repertor shumë kërkues, shumë impenjues, një repertor që kërkon fizikun dhe atë fuqinë e 20-30 vjeçari. Ne jemi tek 50-at kështu që ndihem krenare që akoma mund të vazhdoj me këtë ritëm por si rezultat i kësaj pune që nuk është se ka ndonjë sekret. Duhet të kesh atë durimin, aty ku të tjerët shohin një lloj bezdisje, thonë: do ta përsëris unë këtë prapë? Aty ku bezdisesh, unë kam parë suksesin. Kjo është diferenca. Por duhet ta duash! E mos gjenden faj “jo se s’kam këtë apo s’kam atë, jo po më mungon kjo”, pikërisht ajo mungesa të bën më sensitiv dhe artisti ka nevojë për atë dëmtimin shpirtëror e quaj unë.
Kryeministri Edi Rama: Edhe dy gjëra në këtë pjesë. Më kujtohet po ashtu që më ke thënë një herë që kishe krijuar një lloj stërvitjeje të kishte ardhur nga studimi i brendshëm i trupit tënd për të stërvitur fizikisht disa muskuj tek të cilët stërvitja që ne bëjmë zakonisht nuk shkon.
Ermonela Jaho: Po, kjo vjen në momentin kur unë kam studiuar foniatri. Foniatria është ajo dega e mjekësisë, por shumë profesionale që merret vetëm me këndimin si profesion. Jo thjesht otorino-laringojatër dhe kjo është një diçka që mungon, mungon në të gjitha shkollat dhe është shumë e rëndësishme sepse ti nuk njeh instrumentin tënd. Unë këtë gjë e fillova faktikisht kur kam pasur një moment krize që nuk më përgjigjeshin. Kemi ato momentet që prek një çikë fundin dhe thashë para se ta lë, janë ato momentet e vështira. Prapë nuk bëja dot paqe sepse nuk i kisha të gjitha kartat në rregull që të them: një dhe një bëjnë dy këtu. “Nuk është e mundur që unë të ecë më përpara. Ta mbyllim këtu këtë rrugëtim!”
Ishte diçka që e ndien njeriu. Jemi krijuar në mënyrë të atillë që të kap një lloj ankthi, diçka e pa përmbushur. Dhe ajo që mendova, thashë: ndoshta nuk jam mirë, instrumentin. Dhe studiova foniatrinë dhe aty kuptova disa muskuj. Cilat ishin ato muskuj? Janë muskujt e qafës. Gjithmonë këngëtari është i shtrënguar se është dhe emotive. Nganjëherë muskuli i qafës, janë disa ushtrime që bëhen dhe me peshat ose ushtrimet e frymëmarrjes, që unë këtë bëj. Hipën mbi këtë topin e jogës dhe tensioni që ti të mos biesh nga topi duhet të jetë 100% këtu, të hiqet tensioni këtu. Është kollaj ta thuash se unë vetë e kam, nganjëherë e kap veten, që duhet të tërheq muskujt e qafës se është emotive, dikush e ndien muzikën në këtë mënyrë dhe fillon e futen muskuj, disa elementë që duhet të jesh më e lirshme. Kështu që një e nga një mora këto informacionet dhe krijova në një farë mënyrë për mua ato ushtrime që ndihmojnë për këta muskuj. Dhe tjetër gjë është frymëmarrja ose peshat ose tërheqja me llastik gjithashtu i muskujve mbrapa që të japin atë kasën e rezonancës. Iu them dhe këngëtarëve që mund të kesh një zë, nuk po them të vogël, një zë modest, një zë të zakonshëm, por mund të bësh gjëra të jashtëzakonshme. E jashtëzakonshmja është ai pasioni se duhet të vësh shpirtin një herë. E jashtëzakonshmja është ajo puna e jashtëzakonshme që nëqoftëse të tjerët mjaftohen me aq sa i ka dhënë natyra se ndonjëherë kur të jep natyra një instrument fantastik, nuk është merita jonë, por vihesh në gjumë se thua: kam zërin e bukur”, etj. Momenti kur ke disa gjëra, diçka modeste, normale, të zakonshme, i jashtëzakonshëm është ai pasioni, ajo puna e përditshme që i jep tingullit atë diçka modeste që ti e ke, i jep një diçka gjigande, diçka magjike sepse është e gjitha energjia e trupit dhe këto janë ato ushtrimet.
Faktikisht unë edhe studentëve nganjëherë iu dërgoj këto videot që jam duke hipur vetë mbi top apo kur kërcen tek ai kubi që mund të varet nga lartësia se provoj sa më lartë se dua të tregoj që “prit tani se bëhet kështu” që të tregoj shembullin, por duhet ta bëj vet se është kollaj. Kjo është dhe një gjë që më pëlqen shumë, e pedagogjisë që kam filluar dhe po vazhdoj sepse jam akoma në gjendje që ta bëj unë e para dhe në momentin që ti e transmeton se është kollaj të thuash: do ta bësh këtë, mund të flasësh me fjalë të bukura. Por kur e shohin që e bën ti që je dyfishi i moshës së atij studenti i jep një lloj shtytje, e vë para përgjegjësisë. Kështu që, janë këto ushtrimet që le të themi kanë funksionuar për mua nga ana teknike që më mbajnë akoma në formë dhe shoh që ju shërben dhe këngëtarëve të rinj.
Kryeministri Edi Rama: E dyta që kisha për të vazhduar është kjo puna e moshës se po e përsërit disa herë, por më korrigjo nëse gaboj. Më kujtohet që të kam pyetur një herë. Por mirë, dakord, ti i arrite të gjitha. Ti u ngjite në të gjitha skenat, i more të gjitha ovacionet në të gjitha pasqyrat e informacionit apo të kritikës së muzikës operistike, i pushtove të gjitha faqet e para.
Çfarë mbetet të arrish përveçse të vazhdosh të përsëritësh. Dhe ti më the: kam një objektiv”, the, timin personal që të jem këngëtarja më jetëgjatë në atë nivel. Jemi aty? E kemi arritur apo kemi dhe një çikë?
Ermonela Jaho: Edhe pak.
Kryeministri Edi Rama: Kush ka qenë përpara?
Ermonela Jaho: Përpara ka qenë Edita Gruberova, një këngëtare koloraturë, një zë më i hollë, do përmend një terminologji shqip. Një soprano tjetër Mariella Devia, por në një repertor të caktuar. Unë këtë që po bëj po përpiqem. Repertori im është shumë, ka një gamë ngjyrash, që nuk është thjeshtë në një direksion që më karakterizon ky lloj repertori i këtij kompozitori në një qëndrim teknik dhe i qëndron besnik atij. Unë kam filluar po notoj në një repertor me një gamë më të gjerë dhe deri tani jemi në rrugë të mirë, por atij qëllimi personal i shtoj edhe dy qëllime të tjera. Se njeriu mësohet, nuk kënaqet me pak pastaj. Do gjithmonë më shumë e më shumë.
Qëllimi tjetër është që sa herë ngjitem në skenë nuk dua pas 30 vjetësh, kur thonë, nuk dua të jetë thjesht një performancë e bukur me standing ovation etj etj, po dua të jetë një rrugëtim shpirtëror sepse janë ndjenjat humane, universale të çojnë në një dimension tjetër që zbulon një botë tjetër të shpirtit human, që kalon mbi notat, mbi atë suksesin e madh. Ka një lloj magjie që nganjëherë bëhet edhe një lloj droge, se nuk është se gjithmonë do ta kapësh, se varet edhe nga lojë e skuadrës, sepse ka atë efektin magjik kur të gjithë kemi atë hapje mendore dhe shpirtërore për të vajtur në atë direksion. Të jetë një udhëtim shpirtëror. Dhe e treta, por jo e fundit që të jem akoma në gjendje që të jap eksperiencën time si detyrim shpirtëror dhe patriotik dhe nuk janë thjesht fjalë të bukura për brezin e ri sepse duhet të japësh atë çfarë ke dhe atë që kam unë, është eksperienca edhe më pëlqen jashtë mase dhe e kam marrë me shumë shpirt, me shumë zemër sepse shoh veten time tek këta studentë, i shoh ndonjëherë pak apatikë, me zëra të bukur, por është një detyrim i im, atë qe arrita unë nga ajo, nga shumë mundësi që nuk i kishim më përpara dhe tani i kemi më tepër dhe t’ju zgjosh atë zjarrin që iu është bërë prush, ta ndezësh, kështu që janë shtuar këto dy gjëra të tjera dhe e ndjej, po shoh rezultate.
Kryeministri Edi Rama: Tani më solle në pjesën tjetër sepse është shumë e rëndësishme kjo pjesë mendoj unë, në ngjitjen tënde që ka të bëjë me faktin se ti shkove në Lice Artistik nga një familje shumë e zakonshme në sensin e mirë të fjalës.
Ermonela Jaho: Familje ushtarakësh
Kryeministri Edi Rama: Pra, jo ndonjë familje me një akses, si të thuash, me një lidhje me këto gjëra, jo ndonjë familje ndryshe nga çdo familje shumë e zakonshme e asaj periudhe aq të vështirë ku varfëria ishte status i përgjithshëm, nuk ishte një status i një kategorie të caktuar dhe nga ana tjetër gjithë kjo ëndrra jote, kishte praktikisht vetëm ty dhe mbështetjen e familjes, por mbështetja e familjes ishte mbështetje që goca të bëjë atë që dëshiron dhe që do t’ia dalë, por jo më shumë se kaq.
Ermonela Jaho: Më kanë mbështetur shumë nga ana psikologjike.
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë që mundësitë ishin komplet të kufizuara qoftë në shtëpi, qoftë në shkollë, qoftë në jetën e përditshme të vendit atëherë dhe sot unë vë re në punën time vazhdimisht diçka shumë interesante; që fëmijët, domethënë nxënësit dhe pastaj dhe studentët që shkëlqejnë, në një pjesë të konsiderueshme, vijnë nga vështirësia, nuk vijnë nga rehatia dhe më kujtohet kur kemi bërë përpara disa vitesh një iniciativë së bashku me Lindita Nikolla, ishte ministre e Arsimit në atë kohë për të çuar me disa bursa në Universitetin Teknologjik të Stambollit disa nxënës që sapo kishin mbaruar gjimnazin. I them, shumë thjeshtë, “merre listën e rezultateve dhe fillo nga nxënësi me rezultate më absolute. Telefonoji personalisht familjeve dhe u thuaj, kemi këtë mundësi, dëshironi, nuk dëshironi”. Ishin 10 bursa në mos gabohem dhe vajza që ishte e para – se më tregoi Lindita me shumë emocion, – ishte e para në atë vit në rezultate në rang Shqipërie, dalë nga gjimnazi, ishte vajza e një prindi, e një babai që kishte një kioskë të vogël, një kinkaleri në Kavajë dhe ishte një nga 7 fëmijët dhe kur Lindita e mori në telefon dhe i tha ‘’jam ministrja e Arsimit dhe marr për këtë’’, ai mendoi se ishte dikush që tallej dhe tha “të lutem moj zonjë, se kemi halle, kemi punën tonë dhe nuk kemi nevojë që të talleni me mua se unë punoj nga mëngjesi deri në darkë për ata fëmijë’’ dhe pastaj në fund fare sigurisht ai e kuptoi, u gëzua etj etj, dhe më tha Lindita: “I kam parë të 10-të dhe pjesa më e madhe vijnë nga familje me të ardhura të ulëta”. Ndërkohë që, unë vetë kam parë në një fshat në fund të botës kur i thonë, sipër në pjesën rurale të Shkodrës, 3 vajza në një shtëpi ku pikonte çatia, në kuzhinë që mësonin me çadër dhe ishin të shkëlqyera, ndërkohë që nxjerrja nga apatia e rehatisë të zërave të bukur, por që vinin nga apatia, është pjesë, mendoj unë, jo e lehtë e pedagogjisë së sotme. Dhe për të mos u zgjatur se mbase u zgjata pak, shembulli yt është një shembull shumë rrezatues, edhe shumë frymëzues në radhë të parë për të gjithë ata që kanë një ëndërr dhe që në momente të caktuara mendojnë se nuk ia dalin dot, jo se nuk janë të zotë, po se nuk kanë bazën mbështetëse që kanë ata të cilët janë në një “comfort zone”.
Dhe shembulli jot është tregues për gjithë këta fëmijë, për këto vajza e për këto djem. Unë e shoh vazhdimisht tek nxënësit e mirë, tek nxënësit shumë të mirë, që midis tyre ka nxënës plot që vijnë nga situata familjare jo të lehta dhe do ta kishin më të lehtë se gjithë të tjerët, të thoshin “jo, mo, s’ .., mungon kjo, mungon ajo’’ por tek mungesa është edhe dobësia, por është edhe burimi i forcës.
Ermonela Jaho: Burimi i forcës. Është shumë e vërtetë. Unë të njëjtën gjë, është shumë interesante, të njëjtën gjë kam menduar në fillim kur ika, se unë kam ikur në Itali 18 vjeç dhe me veten time thoja gjithmonë : “pse vij nga Shqipëria unë kur shoh moshatarët e mi që kanë këtë, këtë, këtë, unë s’kam..’’
Tani them, duhet të ishte ai rrugëtim sepse kupton edhe vlerën edhe ke atë stimulin, kur të mungon diçka, nëqoftëse e do me gjithë mend, dhe punon drejt asaj, ajo mungesa është si puna e atij krimbit që të shtyn e të shtyn e të shtyn, për të arritur nëqoftëse me gjithë mend e do, se jo të gjithë duhet të bëhen artistë, ë? Jo të gjithë duhet të bëhen mjekë apo ..
Kështu që edhe sot e kësaj dite, duhej ajo rrugëtim, sepse ato privacionet të japin një diçka më tepër, të japin një arsye më tepër për të arritur diçka që ti do dhe ky është edhe ai detyrimi im shpirtëror duke folur për studentët.
Kryeministri Edi Rama: Ti shkove në Itali dhe fitove një konkurs?
Ermonela Jaho: Unë fitova faktikisht një master class të Katia Ricciarellit në ‘93 dhe më pas ajo premtoi që do na mbante, sepse unë i thashë “dua të studioj, e kam ëndërr bel canto, italiano etj’, pas dy-tre muajsh më abandonoi, më la, sepse kishte disa gjëra të saj personale. Doli nga fjala për shumë gjëra, por duke marrë edhe jetën e këtyre studentëve mbi krahë. Dhe unë vendosa të rrija pa anën financiare dhe thashë; “si mund të qëndroja unë në Itali, nuk dua të kthehem në Shqipëri, jo se më mungonte gjë, sepse ne jemi mësuar shumë të ngushtë, domethënë ajo lidhja me familjen e për një shqiptar, për një ballkanas, t’i heqësh familjen është sikur t’i heqësh shpirtin. Pastaj për një 18-vjeçare në ‘93 dhe iu thashë atyre organizatorëve të Master Classit në Mantova, thashë ‘’jam gati të bëj babysitter, të pastroj, të laj, të merrem me çdo gjë, vetëm më jepni mundësinë që unë të provoj veten. Dua të bëhem këngëtare operistike. Kur të shikonin, flasim për ‘93… vjen nga Shqipëria, do të bëhesh këngëtare lirike, kur në atë periudhë vinin anije …
Domethënë kishim një lloj nami se e keqja bën më tepër zhurmë. Është si punë e ortekut, që tani është e kundërta dhe kam dashur të luftoj me shume paragjykime, mentalitete. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë por e panë ata që e doja, e doja jashtë mase. Kështu që unë fillova.. ato lekët e mia të para, duke mos ngrënë ditët e para sepse nuk e pranoja dot dhe lëmoshën. Thashë jo, unë do punoj si babysitter, por do paguaj për veten time në momentin që unë do paguhem për punën që po bëj. Kështu që kam pasur disa ditë njëherë, ato ditët e para që kam qenë një javë pa ngrënë bukë.
Kisha vendin ku të flija, por thashë jo, kam gjëra për të ngrënë, personave, familjes që do të më mbante dhe në atë një javë sikur të kthehet, -nuk di tani të gjej fjalët kryesore, të duhurat -sikur sheh një botë tjetër. Sheh atë pasionin, fatin në kuptimin të asaj që ta teston e do me gjithë mend këtë gjë, apo do të kthehesh në shtëpi. Shumë gjëra, fillon edhe ke halucinacione sepse mbas 4- 5 ditësh, unë isha dhe një çikë e shëndoshë se sidoqoftë ushqimi i mamit, byrekët e të tjerë, isha një çikë e shëndoshë dhe ka qenë një moment shumë vendimtar. Isha adoleshente, por ka qenë një ndër momentet më të vështira, por dhe shumë domethënëse se më hapi një dritare tjetër dhe ishte dhe një lloj filozofie që më kishte mësuar im atë, në qoftë se do diçka, do të vihet në test gjithmonë. Po atëherë kur dëgjoje, se babai im ka mbaruar për filozofi, i dëgjoja këto shprehje që i kisha shumë qejf. Më pëlqenin se kishin kuptimin, po i merrje si shprehje të bukura, s’po them si përrallë, pak a shumë dhe aty më erdhën këto fjalë dhe thashë ky është ai momenti. Kështu që, në Itali kam kaluar këtë periudhë duke punuar si babysitter, si pastruese, duke u marrë, duke u kujdesur për të moshuarit dhe ndërkohë shkoja i bija derës në Santa Cecilia, të lutem më dëgjo një çikë, një profesori, njërit andej, tjetrit këtej, nuk është se po kërkoja lëmoshë, por po e kërkoja aq shumë, me aq shpirt dukej dëshpërimi im në sy dhe mbaj mend kur filloja audicionet që më bënin, ngaqë doja që të provoja që unë vlej, mbaj mend që më dridhej zëri dhe më ka ngelur ky emotivitet edhe sot kur hyj në skenë dhe po shikonin atë pasionin dhe rrugëtimi ka qenë i gjatë që të mos bëjmë histori tani, por ashtu ka filluar. Ka filluar konkursi i parë pastaj që kam marrë ato dy lekët e para dhe i kam marrë për të blerë një biletë treni se deri aty arrija, nuk arrija më shumë dhe të tjerat të blija libra. Më dukeshin ato, kur shkoja te Casa Ricordi kishim parë filmin me Verdin, filmat Bellini që ishin bardh e zi dhe unë i kisha në mendje, ishin pjesë të atij ditarit dhe më dukej sikur gjithë ai rrugëtim që unë e kisha shkruar, po e jetoja në atë moment. Edhe nuk po them që jeton në ëndërr, por ishte diçka që po e prekja me dorë dhe kështu filluan këto lekët e para. Nuk pata shumë mundësi që të bëja fluturime, të merrja një avion, të provoja gjëra më të mëdha, po ato që kam provuar nga pak e nga pak, kur i thonë asaj me këmbën e rëndë më kanë bërë të fitoja një konkurs. Konkursin e parë ku mora disa lekë më shumë. Konkursi i dytë jepte një rol ta debutoje që ajo eksperienca ishte çdo gjë, por isha kështu, vesh e sy të thithja nga çdokush dhe më ka ngelur sot e kësaj dite kur shoh një lëvizje, qoftë edhe një lëvizje të një fëmije si ulëret, them ah shih si e mban gjuhën, shih si e mban diafragmën se është natyrë, është diçka e natyrshme. Kështu derisa arritëm një nga një gjërat, deri këtu dhe studimi vazhdon akoma.
Kryeministri Edi Rama: Tani që ta mbyllim me vuajtjet, unë gjithmonë i bëj një pyetje atyre që ftoj këtu duke qenë se të gjithë ata që ftoj, në rrugë të ndryshme, me talente të ndryshme, për arsye të ndryshme janë njerëz që bëjnë një sukses. I pyes ka qenë ndonjë moment që ke thënë “ika e lashë”, po ti e the vetë që ka qenë. Atëherë, më trego një moment, po më trego saktë se si ka qenë një moment kur ke qenë e dëshpëruar dhe nga çfarë të ka ardhur dhe ke menduar “nuk merrem më”.
Ermonela Jaho: Kanë qenë dy momente, ndër disa prej atyre, por dy kryesoret. Një mbaj mend, kam qenë 25-26 vjeç. Ngaqë doja të këndoja, të këndoja, të këndoja, kisha pasur mundësitë, çdo kontratë që vinte, e merrja. Se dhe të provoja veten, qoftë dhe nga ana financiare, të bëja jetesën dhe vajta me një shpejtësi aq të madhe, sa vajta kundra natyrës sime dhe pata një moment që nuk këndoja më. Nuk funksiononte, s’kishte më funksion, nuk arrija dot të këndoja një tingull. Dhe mbaj mend, kam vajtur në një nga këta foniatrët që e mbanin më të mirët në Itali, pa i thënë kush isha, se kisha apo s’kisha se unë kam filluar shumë herët karrierën dhe gjëja e parë që më tha, tha sa vjeç je ti më tha, 25 i thashë unë. Je në kohë tha, kordat e tua vokale tha, me këto korda tha, ti s’ke për t’u bërë ndonjëherë këngëtare. Mua sikur më ra pika. Ok. S’ke për t’u bërë ndonjëherë këngëtare. Je akoma në kohë. Ndrysho drejtim dhe vazhdo për diçka tjetër. Ky ka qenë një moment që më ka zhytur jashtë mase poshtë. Ai ka qenë momenti që prapë, është një zë i brendshëm, është diçka që nuk më bindi…Kështu që fillova studiova foniatrinë e të tjera ato që thashë më përpara. Hera tjetër ka qenë kur isha në karrierë dhe isha një e ftuar kryesore në Japoni, me ‘Royal opera house’, jo Euronews, jo CNN, ishte diçka shumë e madhe dhe ‘Royal Opera House’ prezantohej me mua me Traviatën. Në atë periudhë, kisha humbur nënën dhe nuk ia thashë askujt. Thashë ky është problemi im, nuk doja mëshirë. Po kur humbet një prind, është diçka që ti nuk e kontrollon dot. Është një dhimbje që nuk e di ku do të shpërthejë. S’kisha qarë, isha komplet… dhe nuk jam person që nuk ndjej apo qw nuk jam sensitive, por çuditërisht isha e mpirë se nuk e prisja, sepse nëna më iku shumë herët, 58 vjeçare. Mbaj mend që kam hipur në skenë për Traviatën. Fillova aktin, gjatë vokalicave çdo gjë ishte në rregull. Hyj në skenë gjithë qejf, duke kënduar ato fjalët, se janë gjithmonë histori të trishtuara dhe më kapi një ndjenjë dhimbjeje, një ndjenjë boshllëku që më iku komplet koncentrimi, s’po këndoja dot. Salla plot 5 mijë veta. Është një ndër sallat më të mëdha në Japoni, kisha gjithë kamerat, trupa diplomatikë… thashë ky është fundi i karrierës time, po këtë e thashë më vonë. Po rrija, s’po këndoja dot, s’ më vinin fjalët, dirigjenti thoshte e lëmë këtu. Ishte diçka që nuk ja lejoja dot vetes. E kam kënduar edhe sëmurë. Mjafton ti të arrish të flasësh një çikë, me teknikë arrin edhe këndon edhe kur je i sëmurë, vetëm në qoftë se ke laringit, tjetër gjë dhe mbaj mend që e kam mbaruar aktin e parë, ndihesha aq me turp sikur më ishte përmbysur bota. Që sa më kishte kushtuar të prezantoja unë ‘Royal Opera House’ në Japoni me të gjitha televizionet e botës, me të gjitha mediat, trupat diplomatikë dhe unë po prezantohesha si shqiptare. Mbylla aktin e parë, kërkova ndjesë, dola dhe thashë karriera ime mbaroi këtu. Ka qenë një moment që nuk e doja më veten.
Kryeministri Edi Rama: Po u ndërpre shfaqja?
Ermonela Jaho: Jo, sepse kisha zëvendësuesen dhe dirigjenti tha do ta provosh. Jo thashë unë, shfaqja duhet të vazhdojë. Të dali zëvendësuesja. E kam puthur në ballë, siç më puthte mami mua dhe i thashë vazhdo, po e mbaj mend, mu duk sikur bota mu err, sikur asnjë s’më fliste, sikur të gjithë ma bënin me gisht. Ja, kaq ishte karriera jote. Dhe të njëjtën opera, ka qenë Traviata, jam kthyer në Japoni tani në qershor. Mediat shkruajtën se është normale.
Kryeministri Edi Rama: Erdhi kjo që s’këndon.
Ermonela Jaho: Ekzakt. Por u ktheva tani dhe është Traviata ime 310. Thashë do kthehem se duhet të bëj paqe. Asnjëherë s’kisha pranuar pas atij episodi ofertat nga Japonia sepse është diçka që, është një lloj memorie që të zgjohej në atë moment dhe kam vajtur kam bërë Traviatën, përsëri tani në qershor dhe u kthyen të gjitha, e mbanin mend ata, dhe ka qenë shumë sukses i madh dhe thashë bëmë paqe dhe me këtë. U mbush edhe ai boshllëku. Këto kanë qenë dy ndër momentet.
Kryeministri Edi Rama: Edhe për ta mbyllur këtë pjesë, ndërkohë ke pasur satisfaksione të jashtëzakonshme.
Ermonela Jaho: Absolutisht, Po!
Kryeministri Edi Rama: Po cili ka qenë satisfaksioni yt i madh. Domethënë kur ka qenë momenti kur je ndier e hipur në supet e ëndrrës tënde. Këtu, unë arrita.
Ermonela Jaho: Ka qenë Traviata, përsëri qe Traviata. Ëndrra ime filloi këtu, kur kam parë për herë të parë Traviatën në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku filloi ëndrra ime, Traviata në ‘Royal Opera House’, ku një divë ruse, anuloi shfaqjen në Londër. Anuloi shfaqjen, ishte “sold out”. Flasim këtu dhe para 15 vjetësh, a 17, a 20 vjetësh nuk e mbaj mend tani dhe kishte kaq interes të mediave sepse dhe për figurën e personit, e koleges time dhe teatri po merrte në telefon kush do të vijë të këndojë dhe të gjitha kishim frikë se je aq e ekspozuar që mund të ishte dhe një sukses po mund të mbyllte dhe dyert përgjithmonë se të dëgjuan dhe mbahet mend e keqja, ajo performanca jote e dobët. Duhet të bësh 10 të mira që të harrohet ajo e dobëta. Dhe mbaj mend, pata një lloj hezitimi, por thashë unë këtë doja. Ky është momenti, që ishte një moment që ishe ekspozuar, se unë kisha filluar kënduar nëpër Europë, po kjo ishte shumë e ekspozuar dhe mbaj mend kam vajtur pa prova nga Nju Jorku me jet lag e të tjerë, po do dali kjo dhe s’ka. Dhe mbaj mend që kam hipur në skenë vetëm me dy orë prova thjesht më adaptuan fustanet. Kolegia ime ishte një çikë më e plotë, domethënë dukesha pak si palaço dhe mbaj mend kur kjo regji ka qenë kur hapej ka qenë një tyl dhe unë isha në skenë dhe gjatë uverturës, publiku nuk më shikonte mua, por unë e shikoja publikun.
E mbaj mend kur ka hyrë drejtori i teatrit, askush nuk dinte asgjë tha: Kjo këngëtare ka anuluar për arsye shëndetësore dhe kemi një artiste nga Shqipëria, që s’më kishin dëgjuar. Çfarë tensioni, pastaj në atë moment, kur filloi uvertura. Ok tha ai do t’iu lë deri në aktin e parë, nëqoftëse gjatë aktit të parë ju zhgënjeheni, biletat janë mbrapsht. Ky u fut brenda e tha “Zoti na ndihmoftë” që megjithë mend kjo të jetë aq e mirë se s’më kishte dëgjuar. Dy orë unë thjeshtë bwra lëvizjet, por dija partin, isha e përgatitur, sepse edhe kur të vjen ai momenti ti duhet të jesh i përgatitur.
Dhe mbaj mend gjatë uverturës më ka ardhur i gjithë rrugëtimi im që në pallat të pioniereve, është e çuditshme që në pallat të pioniereve, që në lice, etj etj, e thashë unë këtë doja. Njerëzit thonë sa mirë ti që ke fat, po dhe ai fati më duket se është ulur në krahun e publikut, e po më shikon. Ta dha shansin, na trego çfarë di të bësh. Ka qenë një sfidë, një ndër këto momentet, pas aktit të parë, që është një arie shumë e vështirë, duartrokitje. Akti dytë, akti tretë dhe të nesërmen, gazetat shkruanin për këngëtaren që iku, “lamtumirë” dhe “mirë se erdhe” Ermonela Jaho. E bënë çik, siç duan ta bëjnë mediat, diçka plateale. Por ai ka qenë ai momenti që më lançoi dhe pastaj fati tha, do të pedalosh, tani jepi, vrapo. Kështu që ai ka qenë ai momenti.
Kryeministri Edi Rama: Dhe për të ardhur në pjesën që shkon edhe drejt fundit të kësaj bisede kaq pasionate, besoj unë interesante edhe për të tjerët, përderisa është interesante edhe për mua që të kam dëgjuar edhe më parë. Si ishte impakti i parë me Shqipërinë kur ti u bërë Ermonela Jaho.
Ermonela Jaho: Të jem e sinqertë.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë kush ka qenë, cili ka qenë momenti kur ti je kthyer dhe ishe bërë Ermonela Jaho. Çfarë impakti ishte?
Ermonela Jaho: Impakti i parë!
Kryeministri Edi Rama: I sinqertë pra tani!
Kryeministri Edi Rama: Impakti i parë, ka qenë kur ka ardhur me një opera. Arrita në shfaqe që nuk gjeja më, një orë para shfaqjes nuk gjeja më as kostumin. Më dhanë një letër anonime në skenë. Ky ka qenë impakti i parë. Por nuk ishte më ajo Ermonela, këndova, e grisa letrën.
Kryeministri Edi Rama: Të dhanë një letër anonime, pra letra e rolit dhe brenda ishte shkruar diçka tjetër
Ermonela Jaho: E grisa atë letrën, ndryshova regjinë.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë shkruante letra?
Ermonela Jaho: “Neve kemi këngëtarët tanë. Të ftojmë të largohesh”, këto gjëra. Unë e mora. Mbaj mend babai im më shikonte. Mbaj mend se atë shfaqe e bëra për të kënaqur tim atë. Regjia e donte – se ishte opera komike, – që të merrja këtë letër tani, të bëja atë skenën, ta merrja me vete dhe do ta çoja te personazhi tjetër. Po si është ajo, si reagon njeriu, kur ka atë. Ti mund t’i mësosh disa gjëra në studio, por betejën në fushë, domethënë, ajo taktika në fushën e betejës ndryshon disa gjëra, dhe duhet të jesh gati ta kapësh. Dhe mbaj mend kapa letrën, e grisa e mbaj mend e kam bërë si topa bore. Si një fëmijë i vogël e kam hedhur, e kam kënduar dhe si s’më dolën rrylat, kur i thonë asaj vetëm që të thoja e mora vesh, por unë jam këtu tani. Kjo është hera e parë.
Hera e dytë më vonë ka qenë, jam pritur jashtëzakonisht mirë dhe ti ke qenë edhe vetë domethënë pjesë e publikut, kur unë jam kthyer me “Madam Butterfly-in”. Dhe mbaj mend ai ka qenë një rikthim që s’kam për ta harruar sa të jetoj. Se ishte për herë të parë dhe më prek. Se mund të duartrokitesh nga bota, po neve ndoshta jemi rritur në këtë mënyrë. Po kemi nevojë për atë vlerësimin e bërë në gjuhën tënde. Është diçka që, jo se do t’ia provosh dikujt, por ka një vlerë tjetër. Dhe s’kam për ta harruar, ai publiku atje, salla plot. Ti ishe aty, respekti që më bërë, ditën e nesërme që më ftove në Kryeministri dhe jam ndjerë, jam ndjerë si ai fëmija që kthehet në Shqipëri, kur kthehet nga një rrugë e gjatë që me zor pret të përqafojë nënën dhe babanë, ti marrësh erë çdo qosheje, atë erën e gjellës, atë erën e çdo gjëje që je rritur. Mori një dimension më të madh. Edhe u ndjeva e pranuar, mund ta them, – ndoshta është një shenjë dobësie, – e pranuar nga vendi im. Dhe ai ka qenë momenti, një nga momentet më të bukura. Dhe nga ai moment i bërë një premtim vetes, që thashë do kthehem përsëri, jo vetëm për të marrë këtë adrenalinën.
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di a e kujton para kësaj shfaqjeje, nuk e di sa kohë përpara, unë kam ardhur me Lindën në Vjenë që të kemi parë. Edhe aty pastaj, pas asaj kemi folur që duhet të vish, etj, etj. Dhe pas asaj shfaqjeje më ke thënë në fund fare, më ke thënë diçka pak shumë “Teatrin e Operas”.
Ermonela Jaho: Po e vërtetë!
Kryeministri Edi Rama: Me zë të ulët, sikur nuk doje të fusje një hall më shumë në të gjitha hallet me të cilat unë duhet të merresha dhe të merrem. E bëmë dhe Teatrin e Operas
Ermonela Jaho: Është bërë aq bukur, edhe ka një energji tjetër. Ka ende për të bërë, por ka një energji tjetër. Por unë tani po bëj workshopin.
Kryeministri Edi Rama: Nuk krahasohet me atë.
Ermonela Jaho: Absolutisht fare. Erdhi edhe Placido Domingo, që po flet akoma për Teatrin e Operës dhe Baletit. Unë intervistat që i lë e marr si shembull dhe intervista e fundit që kam bërë për Deutsche Welle, për këtë produksionin e fundit, kur kam thënë Shqipëria është bërë një atraksion, sepse më pyesin për Shqipërinë. Gjithmonë fillojnë me atë gjynah, si ka qenë Shqipëria. Ah ju them! Shqipëria ka qenë, por shikoni domethënë këtë vit, është bërë një atraksion, por ky ka qenë një bum turistik dhe thashë, nuk është vetëm turistik, por është edhe kulturor dhe sikur e tërhoqa këtë gjë. Pse e them këtë. Sepse studentët që kanë ardhur për këtë workshop nuk janë vetëm shqiptarë, por i kemi nga Serbia, nga Italia, nga Spanja, nga Franca, nga Gjermania, kanë ardhur nga rajoni absolutisht. Dhe kur sheh që ky teatër, i ri, i bukur, me kaq energji, po merr edhe studentë të marrin mësime, të bëjnë këtë bashkëpunim eksperience në fushën e kulturës, të operës. Bel kanton e ka Italia, kulturë operistike ka Rusia, ka Franca, Gjermania. Ne kemi, por e kemi të lokalizuar, duhet të jemi të sinqertë për këtë gjë dhe këto vende vijnë te ne, mendoj se kemi bërë të gjithë pa përjashtim, kemi bërë një gjë shumë të mirë, dhe ky është ai zjarri, pozitivitetit, që bëhet si ortek, si lajmet negative, por edhe këto gjërat e bukura që mund të duken të vogla, përpara problemeve të mëdha, po kanë një gjë pozitive dhe të bën ndihesh krenar, jo thjeshtë krenar, të thuash fjalën krenar, se tingëllon bukur në shqip, se është bërë një lloj inflacioni të folurit bukur. Jo më është diçka konkrete. Kështu që edhe po e përjetoj tani.
Kryeministri Edi Rama: Dhe nuk mund ta mbyll të tërën pa prekur edhe një aspekt tjetër. Që është prapë pjesë e sakrificës dhe mohimi që njeriu shkon pas ëndrrës së tij ose të saj, detyrohet ta bëjë që është jeta jashtë profesionit, jeta jashtë fushës së betejës, jeta në shtëpi, jeta familjare. Ti duket sikur, edhe burrin e zgjodhe në funksion të ëndrrës sepse e zgjodhe që kur ishe e vogël dhe ishte i vogël. I the që po të martohem edhe njëherë, me ty do të martohem. E ke si një roje besnike të ëndrrës tënde. Mirëpo sa ndjehesh fajtore për pjesën që nuk ia kushton dot familjes.
Ermonela Jaho: Për këtë rast ndjenja e fajit, është diçka që është me mua. Jo vetëm në drejtim të tij, se ne flasim gjithmonë, por për familjen, për prindërit që nuk arrita dot. Kam këtë ndjenjën e fajit, që thashë të kisha fluturuar më shpejt që të më shikonin në këtë pikë që kam arritur. Fatkeqësisht nuk i kam të dy prindërit dhe e kisha këtë frikë. Kur kam lënë Shqipërinë qaja gjatë natës dhe thoja po sikur të mos arrij dot sa të jenë këta gjallë. Nuk e di pse. Ndjeja këtë lloj dhe ndodhi. Ndodhi dhe ajo ndjenja e fajit është. Është diçka që nuk e heq dot është me mua gjatë gjithë kohës, por nuk mund të kesh gjithçka dhe në një farë mënyrë e marr si një lloj, do të tingëllojë pak si e çuditshme. Prekem akoma, qaj akoma, pishmalliqe kam në drejtim të familjes, jo të zanatit dhe ngjyej zërin në këto ngjyrat e shpirtit të torturuar të ndjenjës së fajit që është absurde, paradoksale ndoshta, po bën edhe artistin që unë jam sot. Sepse janë ajo e qara, e gëzuara në skenë është një lloj terapie, sepse është e vërtetë. Kupton. Edhe ajo do mbetet me mua, është diçka që nuk e kam gjetur akoma recetën. Mendoj këndimi është terapia më e mirë. Vetëm këtë mund të them. Dhe i kërkoj ndjesë familjes njerëzve të mi të dashur që nuk arrij dot t’ju qëndroj pranë, doja të isha super women, por nuk jam. Kështu që, i dua dhe i falënderoj për mbështetjen që më kanë dhënë të gjithë pa përjashtim dhe për prindërit aty ku janë.
Kryeministri Edi Rama: Kjo ishte diva jonë Ermonela Jaho, mishërimi i të vërtetës se kush e sheh një ëndërr me sy hapur, sado e madhe të jetë, nëse ka forcën ta ndjekë sado që kjo të kushtojë ëndrra bëhet realitet. Faleminderit!