Investimi në aksin Elbasan-Lekaj, Balluku: Kantieret e infrastrukturës, provë e transformimit të rrjetit rrugor shqiptar

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektuan sot kantierin e autostradës Elbasan-Lekaj, pjesë e Korridorit VIII, një autostradë e kategorisë A, me një gjatësi totale prej 40,7 kilometrash.
Segmenti rrugor që fillon nga fshati Bradashesh (Elbasan), kalon në Peqin dhe përfundon në Rrogozhinë, pritet të përfundojë pranverën e ardhshme. Ministrja Balluku tha se po punohet me ritme të mira. Balluku në një postim në Facebook, teksa ka ndarë fotot, shkruan se kantieret e infrastrukturës janë një provë e qartë e transformimit të rrjetit rrugor shqiptar.
”Ky është një nga korridoret më të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore do të jetë edhe hekurudhore në të ardhmen. Është i ndarë në tri faza, kemi fazën nga Elbasani deri në daljen e re kufitare deri në Urën e Bushtricës, kemi bypass-in e Elbasanit që është faza 2, dhe kjo është faza e tretë nga Elbasani në drejtim të Rrogozhinës. Këtu ndodhemi në një gjeologji lumore duke na dhënë mundësinë që të ecim shumë shpejt.
Janë 40 kilometra në këtë fazë të tretë, ne punojmë në 20 kilometrat e parë duke qenë se e kemi filluar nga Elbasani deri në kthesën e Cërrikut dhe më pas nga Cërriku në Papër deri në Urën e Grykshit. Është një kantier i cili ka ecuri të mirë. Besoj se dorëzimi tij do të jetë brenda 18 muajve. Të trija kantieret ecin me të njëjtin ritëm paralel. Besojmë se në pranverën e vitit 2026, pra si sot një vit, këto 20 kilometrat të para të fazës së tretë të Korridorit VIII do të jenë të përfunduara”, u shpreh Balluku.