Juristi Hazizaj: Ja dobësia e Gjykatës Kushtetuese me Vettingun!
Komisioni i Venecias ka dhënë dritën jeshile për ligjin e Vettingun, i dërguar nga Gjykata Kushtetuese nën mbështetjen e PD-së, me qëndrimin se ka gabime. “Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe sipas tij, dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut”, thuhet në opinion e Komisionit të Venecias.
Lidhur me këtë situatë e cila më shumë shërben si mollë sherri për politikën, për Konstitucionalistin e njohur Sokol Hazizaj, dërgimi i Vettingut në Venecia, ka një realitet të hidhur. Në një prononcim për “Koha Jonë”, juristi shprehet qartë se kjo situatë përkthehet në një humbje dëshire të fushës politike dhe asaj të drejtësisë, për të zbatuar ligjin e Vettingut.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur arsye logjike dhe ligjore që për Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” Gjykata Kushtetuese t’i drejtohej sërish Komisionit të Venecias. E mbi të gjitha, Hazizaj vë theksin tek problematika e vendit tonë, ajo e mos dhënies saktë e drejtësisë. Për të, Gjykata Kushtetuese duhej të tregohej më dinjitoze dhe më profesionale në konstatimin e jo kushtetushmërisë së disa dispozitave të ligjit organik.
Kërkesa e Gjykatës Kushtetuese shqiptare drejtuar Venecias përmban një përmbledhje të argumentave të opozitës si dhe katër pyetje specifike, për të cilat është kërkuar dhe mendimi i këtij organizmi.
Më tej, Hazizaj shton se, “duhet pranuar se si gjithmonë, gjyqësori e ka humbur betejën me pushtetin ekzekutiv dhe politik përhershmërisht në të gjitha kuptimet dhe në të gjitha betejat e ashtuquajtura ligjore”.
Por pse Gjykata e dërgoi Vettingun në Venencia?
Për këtë juristi ka një shpjegim. Hazizaj parashtron se:” Tani ekzistojnë dy realitete vullnetesh politike, ku njëri u shpreh në ndryshimet kushtetuese, ndoshta i imponuar, por gjithsesi me rezultat pozitiv, ndërsa vullneti i dytë duket sikur ndodh për drejtësinë, por fsheh brenda vetes dëshirën për të sunduar mbi drejtësinë. Në këtë kuptim është e tepërt të konstatosh në se një gabim përkthimi do të ndikojë në vonesën e zbatimit të ligjit të vetingut, kur në këtë vend ka humbur vullneti për të zbatuar ligjin, sado i keq qoftë ai”.
Por a janë këto dispozita kushtetuese dhe ligjore të ndryshuara së fundmi, të cilat nuk do të realizojnë misionin e vullnetit politik të ndërkombëtarëve dhe një pjesë të politikës vendase?
Për këtë Sokol Hazizaj, deklaron se:” Ndodhur në këtë konflikt politik dhe vullnetesh, Gjykata Kushtetuese nuk është treguar e dobët se ka lejuar të përkthehet gabim një apo disa fjalë apo paragrafë, por është treguar e dobët dhe e nënshtruar sa kohë nuk ka konstatuar jo kushtetushmërinë e shumë dispozitave të ligjit të vetingut, të cilat janë qartazi jo korrekte dhe ngatërrestare”.
Pjesa e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është një nga elementët e rëndësishëm të ndryshimeve kushtetuese të miratuara në 21 korrik. Për të, Komisioni, edhe në përgjigjen ndaj Gjykatës Kushtetuese, rikujton se ky proces “nuk ishte vetëm i justifikuar por i nevojshëm për Shqipërinë për të mbrojtur veten e saj nga e keqja e korrupsionit”.
Redjon Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

