Juristi Hazizaj: Politika s’ndahet nga ëndrra për të pushtuar drejtësinë
Maxhoranca i shkurtoi fondet dhe personelin tre organeve të Vettingut u kundërshtua dhe u komentua nga opozita si tentativë e maxhorancës për të mbajtur nën presion këto struktura. Skepticizëm të theksuar kanë edhe juristët, të cilët nuk ngurojnë të deklarojnë se gjyqësori do të vazhdojë të jetë i kapur nga politika. Ata thonë se politika po bën shou me drejtësinë.
Juristi Sokol Hazizaj, shprehet për gazeta ”Shekulli” se politika, ashtu si para viteve ’90, ka të njëjtin koncept se drejtësia duhet të jetë në dorë të saj. Ai shton se drejtësinë në Shqipëri nuk e bëjnë gjyqtarët e prokurorët por politikanët.
“Ashtu siç drejtësia ka qenë nën konstatimet dhe konsideratat politike para viteve 90, trashëgimi i së cilës është qëndrimi politik ndaj drejtësisë pas viteve ’90, edhe sot çdo institucion ligjor që ngrihet për shkak edhe të ligjit organik, edhe të ligjit kushtetues nuk i shpëton dot politikës. Drejtësinë këtu në Shqipëri nuk e bëjnë as gjyqtarët, as prokurorët e për pasojë nuk do e bënë as Komisioni i Vettingut. Drejtësinë këtu e bëjnë vetëm deputetët dhe qeveria apo dhe opozita bashkë me ato”, shprehet juristi.
Hazizaj ndërkohë flet për tyre dimensione në bazë të të cilave duhet të ishte bërë reformimi i drejtësisë.
“Drejtësia ka nevojë për tre dimensione. Dimensioni i parë është strukturimi i një ligji konciz, adekuat, të saktë dhe pse jo me profesionistë. Në këtë vështrim, kush nga profesionistët që janë marrë me drejtësinë janë marrë me ligjin për Vettingun?! E dyta ligjzbatimi. Ndonëse është proverbi i madh që, “Më mirë një ligj i keq se sa pa ligj fare”, e keqja është se këtu hartohen ligje, që formalisht, teknikisht e në përmbajtje vihen tërësisht në kundërshtim me njëri-tjetrin. Momenti i tretë e më themelori është se sot ne jemi në një hark të madh ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore. Nuk mundet dhe nuk ka se si që për pak ditë të konsiderosh që aktorët, faktorët e drejtësisë ta përvetësojnë atë, aq më tepër që në vështrimin formal nuk ka ndryshuar ende mënyra se si jepet vendimi. Vettingu padyshim që është i rëndësishëm, por çështja është se edhe ndaj atyre që do të bëjnë Vettingun ka rezerva sepse janë bërë pjesë e diskutimeve politike. Procesi është tërësisht politik”, u shpreh juristi.
KOHA JONË SONDAZH

