Kejdi Mehmetaj: Synimi i LSI të përmirësojë ekonominë dhe arsimin
Një ditë më parë ajo u zgjodh nënkryetare e LSI nga Konventa Kombëtare e kësaj partie.
E ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, e cilësoi një përgjegjësi shumë të madhe për moshën e saj të vogël.
“Është vlerësim për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e LSI. Nuk jemi thjesht numra apo kukulla për të mbushur sallat. Para kemi një vit që ka shumë impenjime, zgjedhjet. Sot u vendos data e tyre.Përgjegjësia do të jetë e shtuar”.
E nëse ndihet e paragjykuar për moshën e re, ajo shprehet:
“Ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, por nuk është arsye për të na stepur.Politika duket sikur u takon atyre burrave me thinja, por ka nevojë për frymë të re”.
Kejdi Mehmetaj, e cila është dhe deputete në Kuvend, tha se LSI ka shënuar mbi 50 mijë anëtarësime të reja.
“Janë mbi 50 mijë anëtarësime të reja.Akoma ka kërkesa të reja. Përveç të rinjve, ka intelektualë dhe akademikë, njerëz të fushave të ndryshme të spikatur në punën që ata bëjnë, që janë bërë pjesë e LSI. Kjo për dy arsye: E para se në LSI dëgjohen dhe sot shqiptarët kanë nevojë të dëgjohen. Dhe së dyti, në LSI shikojnë një mesazh të shpresës, mundësisë dhe pozitivitetit”.
Duke iu referuar procesit të votimit elektronik në zgjedhjet e LSI, Mehmetaj tha se ky model duhet të implementohet dhe në zgjedhjet e vendit.
“Është e mundur që të njëjtën gjë ta implementojmë dhe në një shkallë më të gjerë pse jo në zgjedhjet e përgjithshme të vendit. Duke rritur transparencën ne mund të rrisim dhe besimin e qytetarëve kundrejt politikës”.
Deputetja e LSI foli dhe për transparencën e financave të partive politike.
“Jemi e para parti që ka vendosur të bëjë publike çdo fond të saj por dhe mënyrën sesi i shpenzon këto fonde, të tregojë faturën e çdo aktiviteti.Këtë duam ta bëjmë pjesë të politikës, një nga propozimet tona edhe për kodin zgjedhor do të jetë sa i takon financimit të partive politike dhe transparencës”.
Optimiste për zgjedhjet e ardhshme, Mehmetaj thotë se fikusi i LSI do të jetë tek përmirësimi i ekonomisë dhe arsimit në vend.
“Kam parë tek LSI mundësitë më të mira për të qeverisur dhe drejtuar vendin.Hyj tek ai grup që përveçse e beson se LSI i ka të gjitha shanset për të qenë fituese në zgjedhje dhe për të qenë një parti e madhe, punoj dhe çdo ditë për ta realizuar këtë. Ka pasur plot gjëra që janë bërë mirë. Synimi jonë është për të përmirësuar ekonominë dhe arsimin. Këto do ta bëjnë vendin të ecë më shpejt.Programi jonë do të jetë “ një shans për të gjithë qytetarët”.
KOHA JONË SONDAZH

