KLGJ publikon pikët për tre gjyqtarët e parë të Gjykatës së Lartë. Pritet firma e Metës dhe betimi

Ndërkohë që gjykata kushtetuese mbetet e bllokuar nga mafia shtetrore e kryesuar nga kryeministri Rama, siç akuzoi mbrëmë te Blendi Fevziu, Presidenti Meta, nga ana tjetër duket se gjykata e lartë do të fillojë punë. Tashmë Presidenti Meta ka në dorë dekretimin e tre anëtarëve të parë të gjykatës së lartë.

Në një njoftim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, publikohet zyrtarisht se më datë 27.02.2020, KLGJ zhvilloi seancën dëgjimore me 3  kandidatët nga radhët e juristëve të spikatur, të cilët kandidojnë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionet e lira në fushën e të drejtës administrative, civile dhe penale.

Vendimi i sotëm mundësoi që bazuar në një procedurë dhe kritere të qarta e transparente, të arrihej një vlerësim objektiv për përzgjedhjen e kandidatëve profesionistë, me integritet dhe të denjë për sistemin e drejtësisë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, me këtë vendimmarrje ka kryer një hap progresi dhe të rëndësishëm për plotësimin e vendeve vakante në​ Gjykatën e Lartë.

Në përfundim të seancës dëgjimore, Këshilli miratoi vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve, duke i propozuar Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur si më poshtë:

  1. Z. Sokol Sadushaj propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e të drejtës administrative, me 87 pikë;
  2. Z. Ervin Pupe propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e të drejtës civile me 84 pikë;
  3. Z. Ilir Panda propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e të drejtës penale, me 86 pikë.

Pas këtyre propozimeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vijojë procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur njoftoi KLGJ me anë njoftimi shtypi.

Pas kësaj KLGJ ia dërgoi Presidentit të Republikës emrat, nga ku Kryetari Shtetit vendos ose jo për ti dekretuar. Por nisur nga emrat VIP të cilët janë tre emrat me të spikatur nga drejtësia, mendohet se Presidenti Meta nuk ka pse heziton ti firmosë dekretet. Me këtë rast pastron edhe gjykatën e lartë nga Dvorani i cili është nën hetim penal nga SPAK e ku gjasat janë, nëse do ketë drejtësi, që ai të arrestohet.

E megjithatë të tre emrat e listuar nga KLGJ janë në pritje të betimit para Kryetarit të Shtetit në respekt të plotë të autoritetit kushtetues presidencial. Asnjeri prej të tre emrave nuk pranon, sqarojnë burime konfidenciale, të betohen të “Lana”, siç ka ndodhur, por do jenë para Kryetarit të Shtetit për tu betuar në Kushtetutë.

Presidenti Meta mbetet njeriu që miratoi reformën e drejtësisë me 140 deputetë, çka më pas e shkatërroi Rilindja. Dekretimi i tre emrave të ardhur nga KLGJ do të bënte funksionimin e Gjykatës së Lartë, e cila ka mbi 60 mijë dosje të pa shqyrtuara.

 

 

SHKARKO APP