“Kokaina”, Kryemadhi: Rama ka frikë nga hetimet. Pas kësaj sasie nuk fshihen punonjësit e portit
Pas qëndrimit të kryetarit të grupit parlamentar Petrit Vasili, ka ardhur edhe reagimi i kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në lidhje me ngjarjen e sotme në portin e Durrësit ku u sekuestruan 613 kilogramë kokainë.
Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Kryemadhi shprehet se i vetmi që ka frikë nga hetimi i kësaj ccështjeje është kryeministri Edi Rama.
Reagimi i Kryemadhit
Sa frikë paska sot Kryeministri i Drogës!
Me gjithë angazhimin e policisë dhe prokurorisë, të dyja këto struktura do e kishin të pamundur kapjen e një sasie kaq të madhe droge pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që për vite me radhë, nën hundën e tyre, janë trafikuar qindra e mijëra tonelata kanabis dhe drogë.
Kryeministri ka frikë të thotë se ky aksion është kryer me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të atyre që vetëm dy ditë më parë paralajmëruan lidhjet e rrezikshme të politikës me trafikun e lëndëve narkotike.
Edi Rama tashmë është i tmerruar nga hetimet e mëtejshme të kësaj sasie kokaine të paparë ndonjëherë në Shqipëri, sepse e di mirë që fijet dhe lidhjet e kokave të trafikut nuk janë as punonjësit e portit dhe as ata të kompanisë modeste.
Diku më lart e më thellë gjenden ata që e drejtuan dhe dhanë garanci për transportin e një sasie të ngjashme me ato të filmit “Narcos”.
Ndaj patetizmat e tij në FB dhe lëvizjet e kukullave të tij në qeveri e polici vështirë se do e shpëtojnë këtë herë shefin e madh nga hetimet që me ndihmen e partnerëve ndërkombëtarë nuk do të mundin të mbulojnë dhe fshehin lidhjet okulte të kreut të qeverisë me botën e errët të krimit.
Ndaj më mirë se të shkruajë shfajësimet e dikujt që ka rënë në çarkun e zullumeve të drogës, që e sollën dhe e mbajnë në pushtet, Edi Rama le të gjejë një avokat të mirë për veten dhe ndonjë nga miqtë apo bashkëpunëtorët e tij.
LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT
Kapet sasia më e madhe e kokainës në Shqipëri
180 mln euro kokainë, Basha: S’kalonte pa garanci politike
Rama: Kapja e drogës, sukses i yni. Vendet e BE nuk na njoftuan
Droga rrezik kombëtar, Petrit Vasili: DEA të vendoset në Shqipëri
KOHA JONË SONDAZH

