Kokëdhima: Projekti “1 miliard” i Ramës, rreziku i ri për Shqipërinë
ZGJIDHJA e drejtuar nga Koço Kokëdhima mbështeti deklarimet e FMN-së për rreziqet që i vijnë Shqipërisë nga projekti “1 miliard” i Edi Ramës, që do të rritë borxhin dhe do të falimentojë ekonominë. ZGJIDHJA u shpreh se e kishte bërë këtë paralajmërim që në mars dhe bëri thirrje që të hiqet dorë nga kjo aventurë e rrezikshme që po e çon vendin drejt falimentimit.
Statusi në Facebook
Fondi Monetar Ndërkombëtar i paralajmëroi shqiptarët se viti i ardhshëm do të jetë edhe më i zi për ta si dhe paralajmëroi qeverinë që të mos e zbatonte projektin 1 miliard dollarë për koncesionet e saj. Qeverisja e Rilindjes nuk solli asnjë investim të vetëm të huaj në 4 vite, por ka bërë dhjetra koncesione, me miliarda të marra borxh që ua shpërndan biznesmenëve të saj. FMN-ja paralajmëron rreziqe të mëdha për vendin, nëse qeveria e tutkunëve do të shpërndajë 1 miliard dollarë të marra borxh për biznesmenët e oborrit të vet. Kjo qeveri do të zhysë në kolaps pagesat mjerane për shtresat më të pambrojtura, që marrin lekë sa për bukën thatë dhe nuk do të arrijë që të paguajë as pensionet, ndihmën ekonomike, rrogat e policëve, ushtarakëve, infermierëve apo të mësuesve.
Rilindja ka shkatërruar deri në fund liritë ekonomike dhe politike. Askush nuk fiton dot punë me tender e në rrugë të ligjshme. Një grusht drejtuesish në kryeministri, ministra dhe kryetarë bashkish shpërndajnë të gjithë tenderat për sipërmarrësit që duhet të parapaguajnë sekserët e Ramës me 20 për qind të vlerës. Kështu janë tmerruar edhe ata pak investitorë të huaj që kishin menduar se mund të investonin në Shqipëri duke ju kërkuar pjesë nga 20 deri në 50 përqind të investimit.
Ekonomia është dështimi më i madh i Edi Ramës. Çdo vendimmarrje e tij u frymëzua vetëm nga interesat e klientëve të pushtetit dhe u karakterizua nga paaftësia vrasëse. Kurrë ekonomia e Shqipërisë nuk është drejtuar në një mënyrë më idiote dhe të papërgjegjshme.
ZGJIDHJA e ka deklaruar që në mars se projekti “1 miliard” i Ramës është një aventurë tjetër shumë e rrezikshme. Rama do të marrë 1 miliard dollarë borxh të fshehur për buxhetin e shtetit, me interesa shumë të larta e të papranueshme, që do investohen në projekte pa leverdi ekonomike, nga kompani që do t’i fitojnë punët pa tendera. Ky borxh do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë në 10-15 vitet e ardhshme. Projekti “1miliard” do të fusë në kolaps bankat, sipërmarrjet dhe buxhetin e shtetit.
ZGJIDHJA këmbëngul që ky projekt falimentimi të anulohet dhe refuzohet kategorikisht. Shqiptarëve nuk u kanë mbetur më as kohë dhe as para për të humbur. Rama është kohë e humbur dhe shkatërrim për vendin. Ai po e çon shtetin tonë drejt falimentimit të plotë.
#ZgjidhjaPërShqipërinë
KOHA JONË SONDAZH

