Konventa Kombëtare Zgjedhore, Meta: LSI s’ka bërë kompromis me konfliktualitetin
Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur sot punimet e Konventës Kombëtare Zgjedhore, nga ku do të vendoset dhe qëndrimi që kjo parti do të ketë për koalicionin e ardhshëm zgjedhor. Punimet i ka çelur me një fjalë përshëndetëse, Petrit Vasili, pas të cilit mes brohoritjesh e ka marrë fjalën kreu i partisë. Ilir Meta.
“Ne i kemi qëndruar besnik koalicionit me PS, duke pasur si busull interesat, të drejtat dhe detyrimet ndaj qytetarëve të vendit me orientim të qartë evropian, por duhet të ketë përpjekje të vazhdueshme për të dëgjuar njëri-tjetrin, mësuar, respektuar dhe gjetur gjuhën e përbashkët, pasi politikat e njëanshme, të nxituara prodhojnë tensione të panevojshëm, jo vetëm brenda koalicionit, por edhe me aleatët. Koalicioni ynë ka potencial të lartë, por të pashfrytëzuar ende për sinergjinë në plotësimin e premtimeve zgjedhore dhe sfidave”- tha Meta.
Sipas Metës, koalicioni ka plot arritje, por nuk ka vend për vetëkënaqësi. “Nga marrëveshja jonë rrjedh konsensualiteti për zbatimin e politikave qeverisëse që duhet respektuar dhe forcuar më shumë”- tha ai.
Meta tha se LSI është që mban lart zjarrin e optimizmit, duke parë mundësi zgjidhje në çdo problem dhe duke luftuar kundër politikës së konfliktit dhe ndasisë.
“Jemi këtu pasi siguruam një proces demokratik, gjithëpërfshirës zgjedhor. Qëllimi ynë në këtë konventë është që LSI të forcojë praninë e saj në radhët partive të shëndetshme në transparencë, llogaridhënie dhe vazhdimësi. LSI udhëton me forcën më të madhe të saj, që janë kritika dhe modestia”.
Në fjalën e tij Meta është shprehur se u bë reforma territoriale për shumë arsye, por njëra nga kryesoret ka qenë dhe ajo e menaxhimit të mbetjeve gjë e cila nuk ka nisur ende. E për këtë kreu i LSI-së tha se ky është edhe shqetësimi kryesor i shoqërisë civile e për këtë kemi zhvilluar takime me ta.
Nota aspak optimiste ka përdorur Ilir Meta ndërsa po fliste për situatën në vend dhe nevojën për optimizëm që sipas tij duhet dhe mund ta ushqejë filozofia politike e LSI-së. “Shume familje nuk kanë mundësi të mbyllin muajin dhe nuk kanë mundesi as të festojnë”- deklaroi Ilir Meta gjatë fjalës së tij ndërsa shtoi se ndaj ne jemi këtu të kërkojmë zgjidhje tek potencialet e shumta për të cilat ka nevoje Shqipëria”.
“Ky vend nuk eshte aty ku duhet te ishte”- vijoi më tej Ilir Meta duke konfirmuar se ai nuk është shumë i kënaqur me mënyrën sesi po qeveriset vendi në këtë 3 vite. Por më shumë sesi një parti në bashkëqeverisje, Meta foli për një LSI e cila ndoshta në mendimet e tij më intime ai e sheh si forcë e vetme qeverisëse ndërsa tha: “Ne duhet të prodhojme atë që themi të gjithe kudo, një shans më të mirë për një Shqipëri më të begate”. Meta u krenua me faktin sesi LSI dhe ai “dëgjojme çdo zë konstruktiv ngado qe vjen. Ne dëgjuam zërin e maturanteve dhe jemi te keqardhur që sugjerimet tona nuk u degjuan”- kjo si për të treguar se ndonjë hatërmbetje në ajër ekziston në koalcionin mes tij dhe Edi Ramës.
Por për të gjithë ato që besojnë se “ata nuk janë mo” ja ku vjen deklarata tjetër e Metës: “Ne kemi qëndruar besnikerisht koalicionit me PS-në duke patur si busull interesat dhe detyrimet ndaj qytetarëve te ketij vendi. Duhet të ketë një përpjekje të vazhdueshme për të dëgjuar e për të mësuar nga njëri tjetri pasi aktet e nxituara prodhojne tensione të panevojshme jo vetëm brenda koalicionit. Unë besoj se koalcioni ka ende energji për të maturuar sfidat zhvillimore. Jane shënuar shume arritje, por nuk ka asnjë vend për vetkënaqësi” tha Meta.
Konventa
Ashtu si ishte parashikuar gjatë ditës së parë të Konventës nuk pati përshëndetje të kryetarëve të partive parlamentare. Partia Socialiste nuk do të përfaqësohet nga kryetari i saj, Edi Rama, në Konventën e aleatit kryesor të saj në bashkëqeverisje, por do të përfaqësohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj.
Ndërkaq, dje, gjatë mbledhjes së kryesisë së LSI-së, Ilir Meta i ka propozuar katër kandidatura Konventës Kombëtare, për zv/kryetari të LSI-së, Petrit Vasilin, ndërsa për Sekretar të Përgjithshëm, Endrit Brahimllarin, post që e ka mbajtur deri më tani Luan Rama.
Kreu i LSI-së ka vendosur gjithashtu që Luan Rama dhe deputetja Kejdi Mehmetaj të votohen si nënkryetarë. Gjatë mbledhjes së kryesisë, Meta ka ftuar çdo anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe deputetë, të cilët dëshirojnë të kandidojnë në këto poste, të paraqesin kërkesë me shkrim deri sot, para orës 10:00, pranë Sekretarit të Përgjithshëm, Luan Rama.
“Është kënaqësi që zhvillojmë këtë takim, sepse është mbledhja e fundit e kryesisë së këtyre 4 viteve. Duke qenë se nesër është Konventa Kombëtare Zgjedhore e LSI-së, që do të zgjedhë Komitetin e ri Drejtues Kombëtar, dhe që do të zgjedhë kryesinë e re që do të drejtojë LSI-në katër vitet që vijnë. Me këtë rast unë shfrytëzoj këtë mundësi që t’ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë këtyre katër viteve me të gjithë ju, për arritjet e përbashkëta. Sidomos për suksesin e spikatur të zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit 2013, por edhe atë të zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ku roli, kontributi dhe angazhimi juaj ka qenë mjaft aktiv”, u shpreh Meta dje në mbledhjen e kryesisë.
Një tjetër risi do të jetë miratimi në Statutin e LSI-së i krijimit të Kryesisë Ekzekutive të LSI-së, ku përveç Kryetarit të LSI-së, Sekretarit të Përgjithshëm, Zv.Kryetarit dhe dy N/Kryetarëve, do të jenë pjesë edhe Kryetari i LRI-së dhe Kryetari i LGI-së. Votimi në Konventën Kombëtare Zgjedhore do të bëhet në mënyrë të fshehtë dhe me sistem elektronik.
Pas mbledhjes së kryesisë së LSI-së, anëtari i KDK-së dhe ish-anëtar i Kryesisë së LSIsë, Dritan Ylli, ka paraqitur kandidaturën e tij për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, përballë Brahimllarit. Edhe deputetja e LSI-së, Silva Caka, ka paraqitur kandidaturën e saj për postin e Nënkryetares, përballë koleges tjetër, Kejdi Mehmetaj. Që nga viti 2013, Silva Caka është deputete e Kuvendit të Shqipërisë
KOHA JONË SONDAZH

