Kreu i KQZ-së: Janë dërguar mbi 90 mijë fletë votimi për emigrantët. Procesi përfundon brenda javës

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot se deri tani janë dërguar rreth 90 mijë zarfe, që përfaqësojnë mbi 30% të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar jashtë Shqipërisë.
Celibashi tha se procesi vijon dhe sot ka nisur procesi i shpërndarjes së fletëve për votuesit e qarqeve Tiranë, Korçë dhe Lezhë, të cilët për herë të parë do të mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare nga vendet ku jetojnë.
“Kemi nisur sot përgatitjet për dërgimin e fletëve të votimit për votuesit në qarkun Korçë dhe Lezhë, ndërsa në pjesën e dytë të ditës nisim edhe për qarkun Tiranë. Nuk do e përfundojmë dot në datë 17 procesin, për shkak të ngarkesës së shtuar në kontrollin e procesit të përgatitjes së zarfeve, por e mbyllim brenda javës,” tha Celibashi.
Kreu i KQZ-së tha se Italia, Greqia dhe Gjermania janë tre vendet ku është realizuar shpërndarja më e madhe e zarfeve deri tani, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këto shtete.