Kreu i shtetit: Mes pushtetit dhe demokracisë, zgjedh gjithmonë demokracinë
Presidenti Ilir Meta lëshoi deklarata të forta sot nga Pogradeci kur komentoi situatën politike që po kalon vendi. Ai tha se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës. Njëkohësisht, Meta shtoi se ishte kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve.
Ndërsa sa i takon numrave aktualë në Kuvend, kreu i shtetit deklaroi se janë 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë Rudina Hajdarin, Myslim Murrizin të PD dhe Lefter Kokën të LSI. Sipas tij, ata që pranuan mandatin nga listat e PD dhe LSI janë antikushtetues dhe thellojnë krizën politike.
“Akti i opozitës për djegjen e mandateve ka qenë i papranueshëm për mua si President i Republikës. Djegia e mandateve nga opozita shqiptare ka sjellë një krizë të rëndë përfaqësimi në institucionin themelor të Republikës, në Kuvendin e Shqipërisë. Në vlerësimin tim, sot Kuvendi i Shqipërisë, ka 82 deputetë të ligjshëm, ku përfshihen edhe ata 3 deputetë të opozitës që nuk pranuan të djegin mandatin. Çdo numër tjetër në Kuvendin e Shqipërisë, ka probleme serioze, thellon krizën e përfaqësimit dhe është i konstestueshëm, në planin ligor, politik, moral e kushtetutes”, tha Meta.
Deklarata e Metës është një mesazh për kryeministrin dhe shefin e maxhorancës, Edi Rama, se nuk i ka 84 vota legjitime në Kuvend për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Nismat që duan të paktën 84 vota në Parlament, janë ato të Reformës në Drejtësi siç është ngritja e SPAK dhe BKH, si dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Edhe opozita ka paralajmëruar se nuk do njohë kryeprokurorin e ri dhe asnjë ligj tjetër që do votojë ky Kuvend.
KOHA JONË SONDAZH

