Krimi mjedisor, Koka: Ligji i paamenduar që prej 1995
Vakumi ligjor në kodin penal për krimin mjedisor sjell vështirësi në punën e ISHMP, shprehet ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në takimin për amendimin e krimit mjedisor në kodin penal. Sipas ministrit, kapitulli 4 i kodit penal për krimet mjedisore është i paamenduar që prej vitit 1995.
“Në 20 vite të vrullshme nga dora e njeriut në dëm të natyrës e mjedisit. ISHMP ka ështirësi në punën e tij për shkak të vakumit ligjor në kodin penal. Çdo institucion ligjzbatues has vështirësi me kuadrin ligjor ende me boshlliqe”, tha Koka.
Ministri ka kritikuar krerët e bashkive, që sipas tij nuk janë angazhuar siç duhet për asetin e vyer ekonomik që kanë në pronësi pyjet. “Apel kryetarëve të bashkive të dalin përtej ambicies politike të një mandati, të kontribuojnë në menaxhimin e pyjeve në të mirë të qytetarëve që i kanë votuar. Njehësimi me legjislacionin e BE është i thjeshtë, zbatimi dhe implementimi i tij has sot vështirësi në Shqipëri”, tha Koka.
Kreu i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschadt tha se 2017 duhet të jetë viti i veprimit për aplikimin e amendimeve të krimeve mjedisore.
“Shqipëria ka liqene, lumenj, një vijë bregdetare dhe peizazhe magjepsëse. Këto burime natyrore janë jetësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë dhe për shëndetin e mirëqenien e qytetarëve të saj. Sidoqoftë, gjatë 25 vjetëve të fundit, këto burime kanë qenë nën një presion të vazhdueshëm si rezultat i menaxhimit të dobët të mbetjeve dhe ujërave, ndotjes industriale, peshkimit pa kriter dhe ndërtimeve të pakontrolluara. Këto aktivitete, shumica e të cilave të paligjshme, përbëjnë një kërcënim real ndaj sigurisë mjedisore të vendit, pavarësisht nëse janë bërë me dashje apo thjesht nga neglizhenca.
Krimi mjedisor kërcënon burimet natyrore të Shqipërisë dhe është pengesë në rrugën e saj drejt një ekonomie burimesh efiçente e me një rritje dhe punësim të sigurt. Kjo situatë përbën një rrezik madhor, degradon burimet natyrore dhe rrit ndotjen me të gjitha pasojat e saj social-ekonomike. Këto sfida kanë nevojë për një reagim të vazhdueshëm, të qëndrueshëm dhe kolektiv që duhet të përfshijë pjesëmarrjen publike, llogaridhënien dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
Grupi Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor me përfshirjen e shumë agjencive ka potencialin që të luajë një rol kritik në përballimin e sfidave të mëdha që dalin përpara. Krijimi i tij bazohet në faktin se aktivitetet kriminale kanë ndikim domethënës te mjedisi, ekonomia dhe komuniteti në Shqipëri dhe se mënyra më efikase për të luftuar krimin mjedisor është përmes partneritetit ndërmjet të gjithë aktorëve përkatës. Megjithatë, arritjet konkrete varen nga zbatimi i një plani veprimi të Strategjisë për periudhën 2015-2020″, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

