Kryeministri, ndërtuesve: I shisni me 2500 euro metrin katror dhe e deklaroni në shtet 800 euro!
Shumica e ndërtuesve në Shqipëri mashtrojnë me çmimet e shitjes dhe cilësinë e ndërtimit. Të turrur me vrap vetëm që të pasurohen, deklarojnë në tatime kontrata shitjeje me çmimet minimum, të detyruar nga çmimet e referencës, por në realitet i shesin dyfish, trefish.
Kryeministri Edi Rama debatoi sot me një prej ndërtuesve të pranishëm në takimin e sotëm, ku u fol mbi procedurat administrative.
Një biznesmen kërkoi sqarime për faktin se përse në mes të vitit fiskal, taksat për ta u rritën. Dakord debati, por a kontrollon shteti kur deklarojnë ndërtuesit se gjoja janë shitur me çmimin minimal?
Por le të ndjekim debatin mes kryeministrit Rama dhe një biznesmeni ndërtimi:
DEBATI
Rama: Faleminderit për ndërhyrjen tuaj, se i dhe pak kripë dhe piper diskutimit mbi procedurat.
Ndërtuesi: S’ka pse të ketë lidhje direkte çmimi i referencës, që e kemi mirëpritur, me ndryshimin që kemi paguar sot. Me këtë ndryshim reference, ne paguajmë për shumë. Kjo gjë të falimenton. Se ne si ndërtues duhet të gjejmë brenda 1 dite 1 milion euro. Për këtë është kundër Shoqata e Ndërtuesve. Pse duhet të kontribuojë vetëm sektori i ndërtimit me të pastrehët se kanë dhe sektorët e tjerë?
Rama: Jo!
Ndërtuesi: Po pse, me Kushtetutë e ka Republika e Shqipërisë që të merret me ndërtuesit?
Rama: E ka Republika e Shqipërisë? (Qesh)
Ndërtuesi: Sigurisht!
Rama: Republika e Shqipërisë duhet të merret me të pastrehët dhe ndërtuesit duhet të merren me ndërtime. Po ju na ça republike jetoni?
Ndërtuesi: Të gjithë bizneset jetojnë në Republikën e Shqipërisë.
Rama: Edhe duhet t’u themi kompanive të kujt?
Ndërtuesi: Çdo aktivitet duhet të kontribuojë.
Rama: Edhe këta të turizmit duhet të ndihmojnë për të pastrehët? Të japin një kat të hotelit për të pastrehët?!
Ndërtuesi: Të gjithë të kontribuojnë.
Rama: Të lutem, ta dhashë përgjigjen!
Ndërtuesi: Jo, për ndryshimin e taksës në mes të vitit nuk më dhatë përgjigje.
Rama: Të lutem, po të them që…
Ndërtuesi: Nuk kundërshtojmë çmimin e referencës, por ndryshimin e taksës në mes të vitit. Ne kemi nisur një procedurë leje në janar psh, dhe leja zgjat deri 8 muaj. 8% që paguajmë për 1 gusht, është i papërgatitur nga ne që ta paguajmë dyfish.
Rama: Mos e filloni këtë vit ndërtimin, niseni vitin tjetër.
Ndërtuesi: Po digjet leja.
Rama: S’ka problem, bëjeni prapë aplikimin, rëndësi ka që keni prona.
Ndërtuesi: Po ne folëm për të lehtësuar biznesin jo kështu…
Rama: Të lutem. Taksa i referohet pikërisht vlerës.
Ndërtuesi: Jo të shitjes, të kostos…
Rama: Mbi atë bazë secili e paguan kur fillon punën.
Ndërtuesi: Kam marrë kredinë për 2 milionë, s’kam ku i gjej 2 të tjera për 1 gusht p.sh.
Rama: I shisni me 2500 euro metrin katror dhe e deklaroni 800 euro!
Në fakt shumë ndërtues mashtrojnë me çmimet, pasi ta japin fjala vjen 3000 euro apo 4000 sikurse ka në qendër edhe 8000 euro për një metër katror dhe ta bëjnë me letra shumë pak që të vjedhin qytetarin dhe shtetin.