Kryeministrja polake: E përgëzoj Shqipërinë për reformat
Kryeministrja e Polonisë, Beata Shyzdlo, ka nisur vizitën e saj në Tiranë.
Pas një ceremonie përpara Kryeministrisë, shefja e qeverisë polake, e njohur për qëndrimet e saj të ashpra kundër emigrantëve, takoi kryeministrin Edi Rama, me të cilin pati edhe një dalje në një konferencë për shtyp.
“Biseduam me homologen polake për progres-raportin pozitiv të KE-së. Ne do të vazhdojmë të bëjmë progres në 5 prioritetet e kërkuara”, deklaroi Rama, i cili shtoi se “kemi distancë të shkurtër mes nesh dhe kjo bën që të kemi mundësi të mëdha për forcimin e bashkëpunimit”.
Ndërsa kryeministrja e Polonisë theksoi mbështetjen e vendit të saj për anëtarësimin në BE të Shqipërisë.
“E përgëzoj Shqipërinë për reformat dhe besoj se Komisioni Europian i ka vlerësuar gjithashtu. Shpresoj që të përshpejtohet procesi i hapjes së negociatave. Polonia e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në aspiratën e saj për t’u anëtarësuar në BE, pasi është e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin në Europë. Jemi të gatshëm të ndajmë eksperiencat tona të periudhës para-anëtarësimit”, tha Shyzdlo.
Axhenda e qëndrimit të kryeministres polake në Tiranë përfshin një takim me Presidentin Bujar Nishani dhe pjesëmarrjen në një forum biznesi me kompani shqiptaro-polake.
KOHA JONË SONDAZH

