Kryeprokurori i Përgjithshëm nxjerr zbuluar kryeministrin
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se kryeprokurori Adriatik Llalla ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, pas kërkesës së PD-së për verifikim të deputetit Aqif Rakipi në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Në njoftimin për shtyp, zyra e Llallës ishte kujdesur të tregonte, jo pa qëllim, se takimi ishte kërkuar nga kryeministri Rama.
Dhe më tej, saktësohej se ky takim ishte kërkuar vetëm për çështjen e deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, për të cilin PD dyshon se ka patur rekorde kriminale në Itali. Ndërkohë po gjatë ditës së sotme, PD i kishte kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme verifikim për deputetin socialist të Laçit, Gjetan Gjetani, për të cilin dyshohet sërish për të kaluar kriminale në Itali.
Absurdi qëndron në faktin se Rama është interesuar te Llalla vetëm për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, por jo për deputetin e PS-së, Gjetan Gjetani. Dy pyetje shtrohen në këtë rast, që e bëjnë më qesharak se kurrë këtë takim të beftë të Ramës me Llallën.
E para, çfarë statusi ka Aqif Rakipi, te kryeministri Rama, sa që ky i fundit shkon dhe interesohet te Llalla? Status që në këtë rast, sipas Ramës, nuk e ka Gjetan Gjetani.
E dyta, me çfarë statusi Kryeministri ndërhyn tek hetimet apo verifikimi që një organ i pavarur si Prokuroria e Përgjithshme, bën për një deputet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit?
Por Adriatik Llalla u kujdes edhe më tej për ta nxjerr zbuluar Edi Ramën. Në njoftimin për media, thuhej se verifikimi i thelluar për deputetin Aqif Rakipi ka nisur disa muaj më parë dhe është ende në zhvillim e sipër, pasi priten përgjigjet nga disa autoritete të huaja.
Thënë këto, takimi i beftë i Edi Ramës me Adriatik Llallën ishte më shumë një gjest i Kryeministrit për t’i treguar deputetit Aqif Rakipi se ja, unë po të dal për zot, interesohem për problemin tënd. Dihet që Rama dhe Rakipi kanë një marrëdhënie të afërt jo thjesht në kuadër të bashkëpunimit politik.
KOHA JONË SONDAZH

