Kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj: Berisha ka bërë ankim tjetër për arrestin shtëpiak, do ta shqyrtojmë!
Kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj pohoi në një konferencë me gazetarët se vendimi i sotëm ka të bëjë vetëm me dy masat e para të sigurisë, ndërsa kërkesa tjetër e zotit Berisha mbi masën e arrestit shtëpiak, e cila ka mbërritur para pak ditësh, do të jetë pjesë e një procesi tjetër gjyqësor.
Ish kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se do t’i drejtohej Gjykatës së Strasburgut për të Ddrejtat e Njeriut, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese “si të turpshëm dhe shkallën më të ulët të gjykimit dhe përgjegjësisë”.
Prokuroria e Posaçme mori tetorin e kaluar masat e detyrimit për paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha në kuadër të hetimeve ndaj procedurave për privatizimin e ish Kompleksit sportiv Partizani. Ai nuk e zbatoi masën e paraqitjes në policinë gjyqësore një herë në dy javë, ndaj SPAK-u vendosi për “arrest shtëpie” ndaj tij, për mosbindje ndaj urdhërit të Gjykatës.
Një muaj më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe çoi në Gjykatën e Posaçme çështjen ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke i akuzuar për korrupsion në bashkëpunim në procesin e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.