Kur të vjedh pastruesja e shtëpisë! Dhe jo pak, por 400 mijë euro dhe sendet e floririt!

Policia ka sekuestruar ditën e sotme edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat ishin fshehur në banesën e 49-vjeçares Rozeta Dobi dhe djalit të saj, 23-vjeçarit Havier Dobi, të cilët u arrestuan një ditë më parë në Tiranë.

Një ditë më parë policia bëri me dije se nënë e bir kanë vjedhur në një banesë 120 mijë euro dhe sende me vlerë. Në këtë banesë 49-vjeçarja punonte si pastruese.

Ndërkohë, ditën e sotme Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të operacionit policor të koduar “Inside”, nisur nga dyshimet e krijuara, mbi shumën e vjedhur në banesën në Rrugën e Kosovarëve, bazuar në inteligjencën informative dhe veprimet hetimore të thelluara është ushtruar rikontroll në banesën e shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi (nënë e bir).

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Sakaq, një ditë më parë gjatë kontrollit fizik nga policia, autorëve u janë sekuestruar 8 milionë lekë, sende me vlerë, 3 automjete ku dy prej tyre ishin blerë me paratë e vjedhura dhe veshje të ndryshme.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se grabitja është kryer në banesën e Alda Klosit, ish-shefja e kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Banesa në fjalë ndodhet në Rrugën e Kosovarëve, ndërsa mendohet se vjedhja në fjalë ka ndodhur në datën 15 dhjetor. Por jo e gjithë shuma e gjetur i përket ish-drejtoreshës. Pastruesja kishte bërë vjedhje, sipas hetimeve, edhe në disa banesa të tjera ku kishte punuar.

Por shumë pikëpyetje shtrohen para publikut se nga erdhën ato para cash në shtëpinë e ish-drejtoreshës së kabinetit të ish-zv/kryeministrit. Ndërkohë akoma nuk ka asnjë prononcim të pronares së shtëpisë së cilës iu vodhën këto euro dhe sende floriri.

Prokuroria po heton vjedhjen, por edhe burimin nga ishin mbledhur gjithë këto qindra mijëra euro.

SHKARKO APP