Luan Rama: “LSI u rrit se frenoi arrogancën e abuzivizmin e qeverisë”
Deputeti i LSI-së, Luan Rama ka deklaruar se e majta po shkon djathtas si në sistemin taksues, po ashtu edhe në mosmbështetjen e shtresave të shoqërisë.
“E duke iu rikthyer pyetjes se ku po shkon e majta, unë vërej se e majta po shkon djathtas. Sistemi taksues që kemi sot në fuqi, është sistemi që ndëshkon punën, po aq edhe pronën. E majta ka cenuar bazën e vet në kohën e sotme, kur solidariteti, kohezioni, humanizmi, ndjeshmëria njerëzore ndaj dobësive janë të pakta të shoqërisë; është një dukuri e përgjithshme”, është shprehur dje ai.
Luan Rama tha se vetëm LSI ka arritur të ruajë thelbin e vet social-demokrat dhe thelbin human dhe jo partitë e tjera.
“LSI ia ka dalë që përmes kohezionit shpirtëror të ruajë thelbin e vet socialdemokrat, thelbin e vet human, në një kohë të egër të mbushur me protagonizma dhe antagonizma gjithfarësh”, u shpreh ai.
Deputeti i LSI-së më tej ka thënë se forca që drejtohet nga Ilir Meta ka arritur të forcojë radhët e saj për shkak se ka frenuar arrogancën dhe abuzivizmin e qeverisë.
“Shumëkush pyet se ku qëndron forca e rritjes së LSI-së. LSI është rritur, sepse solidariteti është vlerë e saj dhe jo slogan. LSI është rritur, sepse ajo është në pushtet për të frenuar arrogancën dhe abuzivizmin qeverisës e për të garantuar një qeverisje më të mirë. LSI është rritur, sepse është e vetmja fuqi politike që mbron antifashizmin si një fitore historike, që i dha nder popullit shqiptar në një epokë të madhe, por edhe si një nga vlerat themelore e morale të njerëzimit në shekullin e 20-të”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së ka kritikuar aleatët e PS-së, duke thënë se kanë humbur lidhjen me shtresat në nevojë.
“Edhe ne jemi socialistë si aleatët tanë që kemi zgjedhur dhe pranuar në bashkëqeverisje. Por ajo që përbën identitetin tonë është lidhja jonë e fortë me rrënjët, ndjeshmëria reale ndaj atyre shtresave që janë ekspozuar më së shumti për të rënë nën pragun minimal të varfërisë. Pikërisht këtu qëndron ajo që na ndan, tolerancën me intolerancën tonë.
Siç është në thelbin e së majtës, ne nuk do të lejojmë, në çfarëdolloj pozicioni që të ndodhemi, cenimin e bazës sonë sociale prej rrezikut më të madh të shoqërisë së sotme, prej varfërisë dhe varfërimit”, tha dje Luan Rama.
KOHA JONË SONDAZH

