Lulzim Basha! Pastroje PD-në nga hajdutët ish-ministra dhe servilët
Në Ditën Kombëtare të Rinisë, që simbolizon lëvizjen e studentëve kundër komunizmit në vitet ’90, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë sinjale për ndryshime radikale në përbërjen e grupit të ri parlamentar. Duke folur në takimin e mbajtur në “Qytetin Studenti”, LulzimBasha premtoi para të rinjve se 35 përqind e kandidatëve të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme do të jetë në rinjë. Gjatë fjalës në vendin ku nisi themelimi i PD-së 26-vjet më parë, Basha ka theksuar se ndryshimi i Shqipërisë vjen pikësëpari nga vetja dhe forumet ku njërëzit marrin pjesë. “Liria fillon nga shtëpia jonë, nga liria për të shprehur pa asnjë kompleks mendimin tuaj, liria për të mos qenë servil i kryetarit, apo deputetit, për të qenë vetvetja, forca më e madhe në PD. Të forcojmë demokracinë e brendshme, 35% e kandidatëve për grupin e ardhshëm parlamentar të PD do të vijnë nga ju dhe ju do të jeni ata që do t’i zgjidhni lirisht me votën tuaj, sipas aftësive të tyre”, -deklaroi Basha para të rinjve.
Kjo deklaratë e kreut të PD-së 6 muaj para zgjedhjeve është sinjali për ndryshimet që pritet të pësojë struktura aktuale e grupit parlamentar. Në përbërjen e deputetëve të PD-së, shumica e ligjëvënësve janë ish-ministra dhe ish-zyrtarë të administratës së qeverisë Berisha. Mes tyre ka dhjetoristë të vitit 1990, politikanë të spikatur dhe figura me integritet, por ka dhe emra që me PD-në përveç posteve që iu dha Berisha dikur nuk i lidh më asgjë tjetër me selinë blu.
Gjithësi në politikë më shumë se vitet ka rëndësi produkti. Fakti është se në grupin parlamentar që nga themeluesit dhe deri rioshët që u futën në zgjedhjet e vitit 2013 mungojnë elementët që i japin identitet një forcë politike në opozitë. Kjo përforcohet edhe nga fakti se pas 4 vjetësh në opozitë në Partinë Demokratike gjithçka sillet rreth hijes së ish-kryeministrit Berisha dhe qëndrimeve të kreut aktual Lulzim Basha. Pak ose aspak deputetë kanë ndërmarrë nisma apo janë treguar aktivë në qëndrimet që duhet të mbante opozita. Arsyet janë disa, por më kryesorja është fakti se veç peshës së Berishës është dhe pesha e ish-ministrave. Janë njerëzit që pasi morën gjithçka mundën nga pushteti tashmë kanë zënë baza të forta dhe në opozitë. Qëllimi është jo për të forcuar PD-në, por për të ruajtur interesat politike dhe ekonomike që përfituan dikur. Kjo kategori deputetësh u provua në zgjedhjet e pjesshme që ka zhvilluar PD-ja. Jo vetëm që nuk u angazhuan seriozisht për fitoren e opozitës, por çka është dhe më dëmshme për PD-së, qytetarët nuk i besojnë më atyre dhe nuk i shohin si frymëzim për ti votuar sërish. Kjo alergji ndaj “fytyrave” dhe “xhaketave” të vjetra të PD-së, jo vetëm tek deputetët por edhe tek drejtuesit lokal të selisë blu i është shprehur Bashës në takime direkte nga elektorati.
Nisur nga këto reagime dhe ky stanjacion i PD-së në opinionin publik, Basha ka vendosur të bëjë ndryshime radikale në grupin e ardhshëm parlamentar. Premtimi për vendosjen e 35 përqind emrave nga të rinjtë është sinjali për hapjen e partisë me emra që nuk kanë lidhje me establimentin aktual të selisë blu. Partisë Demokratike i mbeten vetëm 6 muaj për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Një kthesë e fortë e Bashës duke larguar figurat e vjetra mund të sjellë dhe reagime të forta brenda partisë, por i jep kredibilitet Bashës dhe forcës politike.
Ndaj pa asnjë mëshirë Lul Basha ! Me dorë të fortë dhe hape partinë që të besojnë njërëzit, ndryshe pikërisht ata që ke në parti do të turren të të hanë nëse humbet zgjedhjet. Dhe nëse fiton do të vrapojnë si servilë të radhës.
Lulzim Basha ka nevojë për mbështetje ndaj më mirë një PD e rinovuar dhe e hapur se sa me militantë fanatikë si deputetë, të cilët prodhojnë konflikte dhe jo debat e zhvillim.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë demokratike dhe të besueshme.