Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Presidenti Meta: Objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e qytetarëve

Presidenti Ilir Meta ka komentuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që u zhvillua sot me drejtuesit kryesorë të institucioneve të shtetit.

Pak më parë në një status kryeministri Rama u shpreh me nota shumë pozitive për Presidentin Meta, por edhe për liderin e opozitës Basha.

Në një mesazh në Facebook, Presidenti shprehet se takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit.

Presidenti shprehet se çështjet kryesore që u diskutuan ishin për masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Në mesazhin e tij, Presidenti Meta falenderon qytetarët për bashkëpunimin me institucionet dhe mirëkuptimin që kanë treguar në këtë situatë që po kalon vendi.

“Vlerësova rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor. Falenderoj qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e dëshmuar, që duhet të vijojë, në interes të përbashkët. Sa më efikas të jetë ky bashkëpunim, aq më shpejt do t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës plot gjallëri”,- shprehet kreu i shtetit.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta në Facebook:

Të dashur qytetarë,

Nëpërmjet një video-konference zhvilluam sot mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.

Çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Mbledhja u zhvillua në një frymë bashkëpunimi, dhe për këtë dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, Kryeministrin z.Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike z.Lulzim Basha.

Vlerësova rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.

Falenderoj qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e dëshmuar, që duhet të vijojë, në interes të përbashkët.

Sa më efikas të jetë ky bashkëpunim, aq më shpejt do t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës plot gjallëri.

SË BASHKU DO T’IA DALIM! ??”.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/pcb.2938086309570956/2938085939570993/?type=3&theater

SHKARKO APP