Mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, Jorida Tabaku: Duhet ende punë në luftën kundër korrupsionit. Të mos fshihemi pas vetos së Bullgarisë
Këshilli Kombëtar i Integrimit është mbledhur paraditen e sotme për të diskutuar lidhur me arritjen dhe punën e bërë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryetarja e këtij këshilli, Jorida Tabaju, tha se Shqipëria nuk duhet të fshihet pas vetos së Bullgarisë, por të bëjë hapa përpara në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
“Kam vënë re që qeveria shqiptare ka raportuar për pastrimin e parave dhe luftën ndaj krimit, por nuk kemi asnjë rezultat konkret. Janë miratuar disa ligje rutinë në parlament, por nga pikëpamja e zbatimit, nuk kemi asnjë zhvillim.
Në raportin e fundit të transparencës, Shqipëria u rendit e fundit në rajon. Duhet të kishim një dinamizëm të ri, nxitje të re për këtë proces. Nuk e shoh këtë në raportimin e qeverisë shqiptare, raportimi juaj lidhen me SPAK, prokurorët, me problem që s’janë nga ju. Korrupsioni nuk luftohet me plane të integritetit të Ministrisë së Drejtësisë. Një element tjetër janë kërkesat për azil jashtë vendit që për fat të keq 10 vitet e fundit janë 40% në total të aplikuesve. Unë vlerësoj marrëveshjet e arritura, por nuk shoh arritje konkrete. Është e rëndësishme për forcën politike që përfaqësoj reforma e plotë zgjedhore që lidhet me ndryshimet kushtetuese që kemi paraqitur.
Megjithëse kemi filluar procedimin penal është fatkeqësi që KQZ u bllokua në parlament dhe s’kemi hetim real. Të gjitha rekomandimet e OSBE/OHDIR nuk kanë filluar të zbatohen. Unë dhe zoti Balla do të vlerësonim që në këtë këshill të ishte e përfshirë, se çfarë masash janë marrë, çfarë pune do të bëjnë. Ne duam që të jemi promotorë në procesin e Integrimit. Mund të punohet për kapitullin e Reformës në Drejtësi, por është e kotë kjo reformë, sepse në luftën ndaj korrupsionit nuk kemi sukses. Unë ju inkurajoj ju që të ulemi dhe të gjejmë një mënyrë që metodologjinë e re ta kthejmë në avantazh. Do të kisha dëshirë të fokusohemi në pushtetin lokal. Nga informacionet që kemi, në shumë prej bashkive nuk janë ngritur shtabet e integrimit. Kështu ndodh edhe në strukturat në ministri. Jam përpjekur gjatë gjithë kohës t’i ngre këto dyshime. Të gjithë kanë emëruesin e përbashkët: Vullnet politik. Ne nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë, duhet të bëjmë punën tonë këtu, të ecim përpara dhe pavarësisht një date që ndoshta nuk është në dorën tonë”, tha Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

