Media gjermane: Opozita shqiptare kërkon qeveri tranzitore
Opozita e bashkuar proteston këtë të shtunë përpara kryeministrisë, kundër qeverisë Rama, të cilën e akuzon se ka fituar zgjedhjet përmes blerjes së votave. Kërkohet qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër.
Opozita proteston të shtunën duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, dhe një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën si kryeministër. Protesta zhvillohet pa simbole të partive politike. Ndërsa kryeministri Rama është shprehur se qeveria nuk mund të preket, se është mandat i popullit. Protestuesit “rrethojnë” “simbolikisht institucionet në një marshim përreth tyre, duke përsëritur thirrjet “Rama ik”.
Rreth 1800 efektivë policie janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e protestës të shtunën, duke qëndruar përreth perimetrit të godinës së kryeministrisë. Kjo është protesta e 5-të e grupit opozitar, të cilat nisën me 16 shkurt para kryeministrisë dhe vijuan me disa protesta para parlamentit. Opozita e bashkuar proteston këtë të shtunë përpara kryeministrisë, kundër qeverisë Rama, të cilën e akuzon se ka fituar zgjedhjet përmes blerjes së votave. Në shenjë proteste opozita ka dorëzuar mandatet parlamentare.
Të enjten, ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth, tha për Deutsche Welle, se e konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. “Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar.”
Ndërsa raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt mendon se edhe qeveria ka përgjegjësi për krizën. “Kjo nuk është normale. Parlamenti jeton nga debati. I takon qeverisë që të garantojë bashkëpunimin parlamentar”, tha ish-ministri gjerman për Deutsche Welle. Schmidt është që nga fillimi i vitit raportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në Bundestag, njëri nga komisionet që vendos për çeljen e negociatave në BE. Schmidt tha për DW se së shpejti planifikon të shkojë vetë në Shqipëri për t’u informuar vetë për gjendjen. “Veçanërisht dua të shoh se sa përfshihet opozita në procedurat parlamentare”, theksoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

