Mediu: Rama shan Evropën, por vlerat evropiane janë vlerat e shqiptarëve
Kreu i PR-së i kthehet ashpër kryeministrit për deklaratat për vështirësitë e integrimit
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka reaguar përmes rrjeteve sociale me rastin e ditës së Evropës, 9 Majit. Në komentin e tij, Mediu shprehet se kryeministri Edi Rama është i papërgjegjshëm dhe përbuz deputetët e vendeve të BE-së si dhe shan e fyen Evropën. Sipas Mediut, vlerat europiane janë vlerat e shqiptarëve që e kanë treguar që në luftën me perandorinë Otomane dhe përmbysjen e diktaturës komuniste.
“Marrëzia e Ramës nuk ndalet vetëm në talljet me qytetarët shqiptarë në takimet që zhvillon nëpër rrethe, por sot në datë 9 Maj, Ditën e Europës sillet si i papërgjegjshëm. Përbuz deputetët e parlamenteve, siç ishte rasti i deputetëve holandezë, sulmon deputetin gjerman, fyen e shan Europën, sepse “kokat e vogla” të shteteve europiane nuk kuptojnë “kokën e madhe”, vet madhërinë e tij, Edi Ramën. Ata, sipas Ramës, i detyrohen atij, kjo sjellje është absurde dhe ky absurditet shkon më tej kur thotë se do ta kishim më të lehtë të bëheshim pjesë e Amerikës se pjesë e BE. Amerika e ka thënë fjalën e vet për Edi Ramën dhe jo për shqiptarët, e theksoj për Edi Ramën në raportin e DASH, apo Freedom House, për krimin, korrupsionin, varfërinë, mungesën e lirisë, autokracinë qeverisëse. S’ishte e lehtë por me punë, reforma, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimit dhe përfshirjen në proces të opozitës, ne bindëm 26 vende anëtare të NATO-s, SHBA dhe 24 vende anëtare të BE. Ka veshë që duan të dëgjojnë, por dhe fakte që analizohen dhe shihen. Nëse Presidenti Macron thotë që nuk duam që Ballkani të rrëshqasë drejt Rusisë dhe Turqisë, Rama duhet të shohë se ku është Shqipëria në këtë shqetësim. Shqipëria nuk rrëshket drejt Islamizmit, se BE nuk përtyp gënjeshtrat dhe sharlatanizmin antikombëtar të qeverisë sonë, por sepse vlerat europiane janë vlerat e shqiptarëve që e kanë treguar që në luftën me Perandorinë Otomane dhe përmbysjen e diktaturës komuniste”- u shpreh në reagimin e tij, kryerepublikani, Fatmir Mediu.
KOHA JONË SONDAZH

