Meta-Pitella: Mbështetje integrimit të Shqipërisë
Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u prit nga Presidenti i Grupit Parlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, Gianni Pittella.
Kryetari i Kuvendit, Meta e falënderoi Pittella-n për mbështetjen e fuqishme të Grupit Socialdemokrat në Parlamentin Evropian ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe në shërbim të perspektivës evropiane të Ballkanit, si mundësia e vetme që forcon stabilitetin, prosperitetin dhe sigurinë në rajonin tonë.
Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, Pittella duke vlerësuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, shprehu mbështetjen e tij dhe të grupit socialdemokrat për të avancuar në këtë drejtim.
Meta u shpreh se në Kuvendin e Shqipërisë është arritur progres substancial gjatë këtyre viteve, duke vënë në dukje miratimin konsensual të reformës në drejtësi, ligjin e dekriminalizimit dhe përmirësimin e transparencës dhe rolit mbikëqyrës së Kuvendit.
Ai u shpreh se Kuvendi e ka lexuar me vëmendje progres-raportin dhe mbetet i përkushtuar për reflektimin e rekomandimeve të Komisionit, ku kryefjalë do të jetë implementimi i reformës në drejtësi si një nevojshmëri për qytetarët shqiptarë. Në këtë drejtim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e eurodeputeteve socialdemokratë në Parlamentin Evropian, të cilët kanë qenë gjithnjë në avangardë të zgjerimit të BE-së dhe integrimit të vendeve të Ballkanit.
KOHA JONË SONDAZH

