Meta: Progres-raporti vlerëson rolin e Kuvendit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi sot pasi mori progres-raportin e vitit 2015 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, se në këtë dokument vlerësohet puna e Kuvendit të Shqipërisë.
“Është vlerësuar roli i parlamentit në monitorimin e institucioneve të pavarura dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile, sikundër kemi në konsideratë të gjitha sugjerimet e tjera që jepen për të rritur kapacitetet e Kuvendit të Shqipërisë për një ekspertizë më të kualifikuar të shërbimeve të Kuvendit për të përmirësuar procesin ligjbërës”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit nenvizoi gjithashtu se “mbetet mjaft e rëndësishme për të ardhmen dhe për çeljen e negociatave që të ecet sa më shpejt për të përbyllur procesin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi, e cila do të jetë shumë e rëndësishme, jo vetëm për të forcuar sundimin e ligjit në vend, jo vetëm për të luftuar krimin e organizuar, por edhe për të përmirësuar klimën ndaj biznesit dhe sidomos për të nxitur më tej investimet e huaja në vendin tonë”.
Kurse duke folur për ecurinë e refomës në drejtësi, Meta tha se po bëhet “gjithçka për të ecur sa më shpejt në mënyrë gjithëpërfshirëse në këtë proces. Ai tha se pasi të kemi opinionet e Komisionit të Venecias, besoj se nuk do të duhet shumë kohë për të ecur drejt vendosjes së shtyllave kryesore të kësaj reforme në parlament”.
Ndërsa pyetjes mbi ndryshimin e ministrit të Drejtësië, Meta, duke vlerësuar sërish dorëheqjen e z. Naço, iu pergjigj se “pa diskutim ky ndryshim absolutisht do t’i shërbejë reformës në drejtësi, rritjes së transparencës dhe rritjes së rolit të ministrisë së Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit”.

