Minimumi jetik, ”Lëvizja Bashkë”: Do të këmbëngulim në protesta dhe aksion politik
”Lëvizja Bashkë”, mbajti këtë të hënë protestën e radhës para Parlamentit për minimumin jetik. Përmes një postimi në Facebook, thuhet se ”Lëvizja Bashkë” do të këmbëngulë në protesta dhe aksion politik. ”Ne jemi zotuar përpara 21.000 qytetarëve që na kanë besuar firmën se do të luftojmë parreshtur për një të drejtë kaq bazike. Ju presim në protestat e ardhshme”,-thuhet në postimin në Facebook.
Postimi i plotë
NGREMË ZËRIN PËR MINIMUMIN JETIK
Sot qytetarët iu bashkuan thirrjes së Lëvizjes BASHKË për të protestuar për minimumin jetik. Folësit në protestë ishin pensionistë, punëtorë, studentë e qytetarë të profesioneve të ndryshme. Secili e vuri theksin te nevoja për përcaktimin me ligj të të ardhurave që i duhen një njeriu për të plotësuar nevojat bazike.
Po ashtu u theksua padrejtësia flagrante e pagave të larta të deputetëve e ministrave në kushtet ku shumica e pensionistëve nuk siguron dot bukën e ilaçet me pensionet e tyre. Apo kur punëtorët punojnë me një nivel pagash nga më të ulëtat në Evropë.
Lëvizja BASHKË do të këmbëngulë në protesta dhe aksion politik. Ne jemi zotuar përpara 21.000 qytetarëve që na kanë besuar firmën se do të luftojmë parreshtur për një të drejtë kaq bazike. Ju presim në protestat e ardhshme!