Minimumi jetik, ”Lëvizja Bashkë” protestë më 2 tetor para Kuvendit: Kemi pensione që s’dalin as për të ngrënë

Lëvizja Bashkë nuk dorëzohet dhe thërret sërish një protestë për minimumin jetik. SIpas njoftmit, protesta do të mbahet më datë 2 tetor para Parlametit të Shqipërisë. ”Nuk mund të vazhdohet më me pensione që s’dalin as për të ngrënë, me paga nga më të ulëtat në Evropë, me ndihmë ekonomike e asistenca për aftësi ndryshe në nivele qesharake”,-thuhet në njoftimin e tyre.

Postimi i plotë

Për shoqërinë shqiptare, një prej më të varfrave në Evropë, vendosja e minimumit jetik nuk është një çështje që mund të presë pafundësisht. Nuk mund të vazhdohet më me pensione që s’dalin as për të ngrënë, me paga nga më të ulëtat në Evropë, me ndihmë ekonomike e asistenca për aftësi ndryshe në nivele qesharake.

Gjendja ekonomike e shumicës së popullsisë bëhet sa e rëndë, aq edhe revoltuese kur mendon se sa shumë pasuri kombëtare vidhet e tjetërsohet në Shqipëri. Nafta, kromi, lumenjtë, plazhet, pyjet, parqet, hapësira publike e puna e përbashkët – të gjitha këto përvetësohen nga një klikë pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh. Pasurimi i tyre është shkaku kryesor i varfërimit tonë.

Lëvizja BASHKË e konsideron çështjen e minimumit jetik përparësi të aksionit të vet politik. 21.000 nënshkrimeve të qytetarëve për projektligjin e minimumit jetik do t’u dalim zot çdo ditë të veprimtarisë sonë. Ndaj të hënën, 2 tetor, në orën 17:00 do të ngremë sërish zërin e protestës në hyrje të selisë së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë (në anë të qendrës tregtare Toptani).

Ftojmë në protestë çdo pensionist, punëtor, të papunë, student, profesionist, sipërmarrës të vogël dhe qytetar të ndershëm! Sa më të shumtë të bëhemi, aq më pranë do të jetë dita e vendosjes me ligj të minimumit jetik!

SHKARKO APP