Ministri Mazniku dhe kryebashkiaku Llatja në Shushicë të Elbasanit

Ministri Arbjan Mazniku dhe kryebashkiaku Gledian Llatja, zhvilluan një inspektim të përbashkët në Përroin e Gurrës të Shushicës në Elbasan, ku vlerësuan nga afër përfundimin e një projekti të rëndësishëm për lidhjen e lagjes Çerrëve me Varrezat e fshatit, si dhe për ndihmën në përmirësimin e infrastrukturës në pjesën tjetër të Shushicës.
Kreu i Bashkisë, Gledian Llatja gjatë inspektimit theksoi se “në zonat e sipërme, shirat dhe prurjet e inerteve krijonin vështirësi të mëdha duke përmbytur shtëpitë, ndërsa në zonat e poshtme vërshimet godisnin parcelat bujqësore. Gjatë viteve të fundit, kemi ndërmarrë masa konkrete për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe vazhdojmë të realizojmë investime të tjera për të përmirësuar jetesën e tyre. Kur kam ardhur para disa vitesh në Shushicë, si kandidat për kryetar bashkie, nuk kishte asnjë metër asfalt të hedhur deri tek qendra e fshatit. Sot kemi më shumë se 5 kilometra rrugë të shtruara brenda fshatit, dhe jemi duke investuar edhe për 2 kilometra të tjera.”
Mazniku, u shpreh se, “ky është një projekt i madh që ka përfshirë zona me parcela bujqësore, të cilat janë punuar nga vetë banorët. Por sigurisht, ka disa gjëra që nuk mund t’i bëjnë vetë banorët dhe që duhen mbështetur nga shteti. Ky investim tregon angazhimin e qeverisë dhe të Bashkisë për zhvillimin e kësaj zone dhe të përmirësimit të kushteve të jetesës për banorët e Shushicës.”