Mitsotakis: Kryepeshkopi Anastas ishte urë miqësie mes dy popujve

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në fjalën e tij gjatë homazheve në nder të Kryepeshkopit Anastas tha se mungesa e tij do të jetë e pazëvendësueshme. Mitsotakis tha se Anastasi ishte një urë miqësie mes dy popujve.

“Përulemi me nderim para madhështisë së këtij personaliteti të veçantë. Sepse Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëherazi një intelektual i besimit dhe një shërbëtor i përulur i të afërmit të tij. Me fjalë të tjera, një shembull i ndritur i urtësisë, por edhe i veprimit. Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet “diplomati i dashurisë.” Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”, tha Mitsotakis.

SHKARKO APP