Monitor: Borxhi më 2021 arriti në 80.1% të PBB-së, rekord i pas viteve ‘90
Në parashikimet e reja të Kuadrit Makroekonomik 2023-2025, Ministria e Financave raportoi se borxhi publik i vendit vlerësohet të ketë arritur në 80.1% të PBB-së më 2021, duke shënuar një rekord gjatë periudhës së tranzicionit. Borxhi në këto nivele u rrit pas emetimit të një Eurobondi me vlerë 650 milionë euro në fund të vitit të kaluar.
Të dhënat nga Kuadri Makro tregojnë se, borxhi publik në vlerë pritet të arrijë mbi 1.34 trilionë leke më një sheste 124 miliardë lekësh (1 miliard euro) në raport me vitin pandemik 2020. Megjithatë shifrat mund të ndryshojnë në përllogaritjen që do t’i bëhet ecurisë së treguesit në tremujorin e katërt të vitit 2021.
Por sipas shifrave të Kuadrit Makroekonomik, borxhi i ri i formuar këtë vit është mbi 20% e të ardhurave buxhetore të pritshme gjatë vitit 2021. Me herët gjatë vitit 2021, Banka Botërore lajmëroi se rritja e borxhit publik të vendit në rekorde historike do të ulë aftësinë e qeverisë për të shpenzuar në projekte investimesh apo drejtime të tjera pas vitit 2021.
Qeveria shfrytëzoi fatkeqësitë natyror, tërmetin dhe pandeminë për të rritur borxhin publik me rreth 2 miliardë euro në dy vitet e fundit edhe pjesa më e madhe e tij u përdor për financimin e projekteve që nuk kishin lidhje me fatkeqësitë. Qeveria e hodhi gurin e fundit në drejtim të rritjes së borxhit publik për shpenzime, që nuk kanë lidhje me financimin e pasojave direkte të krizave dhe as me rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë me një akt normativ në qershor të vitit 2021, i cili përveç buxhetit 2021 ndryshoi edhe ligjin organik të buxhetit.
Akti normativ i qeverisë autorizoi rritjen e borxhit nëpërmjet zgjerimit të deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1,3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar).
Shtesa në borxh u autorizua nga qeveria për të financuar me borxh disa projekte afatgjata, të tilla si ndërtimi i Unazës së Re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë ende pa sheshuar efektet direkte të dy krizave të fundit. Për më tepër, zgjerimi i borxhit u bë me akt normativ, duke thyer edhe rregullin fiskal që është përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin në përqindje të PBB-së.
Gjatë vitit të fundit, qeveria e ka rritur borxhin publik me ritme më të shpejta se sa rritja ekonomike e vendit. Të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë rritur me ritme më të ulëta se sa borxhi për frymë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në raportin e fundit për Shqipërinë në dhjetor të vitit të kaluar shprehu shqetësim për për rritjen e rreziqeve fiskale të vendit dhe mungesën e të dhënave të sakta për projektet e partneritetit publik privat (PPP). Vendimet e gjykatave, skema e re e garancive për sektorin privat dhe mbështetja për kompanitë energjetike vlerësohen gjithashtu si rreziqe të shtuara të cilat rrisin detyrimet e paraportuara./Monitor