Mungoi në 26-vjetorin e PD, Topalli tregon arsyet: Uroj që partia e ëndrrave të kthehet në vlerat e saj

Partia Demokratike festoi dje 26-vjetorin e themelimit, ku pati edhe një aktivitet në selinë e saj.

Por në këtë aktivitet u vu re mungesa e ish-nënkryetares Jozefina Topalli dhe deputetit Eduard Selami që janë edhe zërat më kritikë të kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Por në një status në Facebook, Topalli sqaron arsyet e mungesës së saj, që thotë se nuk kanë lidhje fare me politikën dhe diferencat me Bashën.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ajo rrëfen se prej ditësh ka munguar edhe në parlament pasi ka nënën e saj sëmurë dhe ka zgjedhur t’i qëndrojë tek koka.

Swiss Digital Mobile Reklama

Topalli shpreh edhe dëshirën që PD të ndryshojë dhe të kthehet në vlerat universale për të cilat u themelua

DEKLARATA E TOPALLIT
Dje PD është bërë 26 vjeçe. Unë nuk e kisha të mundur të isha pjese e këtij përvjetori të themelimit të Partisë të parë opozitare, të Partisë së lirive për arsye që nuk lidhen fare me politikën dhe aq më pak me diferencat që kam me Lulzim Bashën.

Unë prej disa ditësh nuk kam patur mundësi të jem as në seance parlamentare sepse nëna ime është e sëmurë. Për 20 vite rresht duke ndjerë përgjegjësi në detyrat e mia unë nuk kam qëndruar gjatë as me fëmijët e mi, as me nënën time.

Tani që ajo është në shtrat unë i rri tek koka dhe do vazhdoj t’ i rri për ta ndihmuar me sa të mundem.
Nuk do kisha dashtë fare të flas për një gjë krejt timen, private. Por duke parë titujt në disa media po e bëj këtë sqarim vetëm në respekt të demokratëve që kanë besuar e janë sakrifikuar në vite pa kërkuar asgjë; e bëj në respekt të miqve të mi.

Dhe uroj me gjithë zemër që Partia e ëndrrave të kthehet në vlerat e saj e t’i dalë zot interesave të vendit me kurajë e sinqeritet. Neve nuk na lejohet më të ankohemi apo vetëm të kritikojmë Qeverinë më të keqe të këtyre 25 viteve. Ne duhet të ndryshojmë këtë politike të kalbur nga korrupsioni, paaftësia e meskiniteti.

Ne duhet t’i bëhemi digë asaj, për të mos lejuar politika që dëmtojnë ekonominë e vendit e të njerëzve. Ne duhet të rrisim presionin e t’i kthejmë rrezen e diellit, e këtë ta bëjmë me vepra e jo vetëm me fjalë.

Vendi e njerëzit janë në dëshpërim. Ne duhet t’i kthejmë shpresën; Ne duhet t’i bindim në Fitore. Duke u kthyer në vlerat universale për të cilat PD u themelua, ne do ndalim rënien e do ndryshojmë vendin.
Unë besoj tek çdo demokrat, tek çdo i ri dhe e re; unë besoj tek forca e çdo shqiptari dhe e çdo prindi në përpjekjet e tyre titanike për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të tyre; unë besoj tek ndryshimi e besoj se ky vend bëhet.

Duhet vetëm përkushtim e ndershmëri.
Mirënjohje të thellë themeluesve të PD, atyre që iu gjendën asaj në kohe të vështira për ta ringritur nga hiri, mirënjohje çdo demokrati që e deshi dhe e mbrojti pa asnjë interes.Krenare për çdo gjë të mirë që kemi bërë për vendin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?