Ndërtimet pa leje/ Tahiri: Disa gjyqtarë e kanë bërë zakon shkeljen e ligjit
Që në nisje të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Universitetin Bujqësor, Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka hedhur akuza mbi gjyqtarët se marrin në mbrojtje ndërtimet pa leje.
Tahiri ka nënvizuar se po punohet për një Shqipëri me hapësira publike, në shërbim të publikut dhe se sa herë përballen me ndërtimet pa leje, shfaqen gjyqtarët që shkelin ligjin.
Sipas tij, këta gjyqtarë e kanë bërë zakon shkeljen e ligjit, duke ndaluar institucionet të bëjnë detyrën.
“Kjo është përplasja e Shqipërisë që gjetëm, me atë që duam të bëjmë. Gjetëm një Shqipëri me ndërtesa shumëkatëshe në ambientet e universiteteve.
Duam të ndërtojmë një Shqipëri me hapësira publike, në shërbim të publikut. Ashtu siç është përplasja e sistemit të drejtësisë që gjetëm dhe që kemi ende me sistemin që duam të ndërtojmë pas Vettingut”, tha Tahiri.
Sakaq ai vuri në dukje se “sot disa gjyqtarë kishin bërë gati të merrnin vendim për të siguruar këto objekte të paligjshme.
Tashmë të kthyer në një praktike korruptive, sa herë gjendemi para një ndërtimi pa leje, gjenden disa gjyqtarë që e kanë bërë zakon shkeljen e ligjit, të marrin mbrojtjen e ndërtimit pa leje dhe të ndalojnë institucionet të bëjnë detyrën.
Përpjekja jonë është të ndërtojmë një sistem drejtësie që i shërben qytetarit”.
“Vettingu është një hap që nuk ka kthim pas, pavarësisht rezistencës që në frontin e të keqes nuk duan që në këtë vend të ketë drejtësi. Ne jemi të vendosur të bëjmë atë që na kanë besuar qytetarët”, theksoi Tahiri.
KOHA JONË SONDAZH

