Nis gjykimi për Salianjin dhe gazetarin Olldashi, Basha: Gjyqtari do përgjigjet
Kreu i PD, Lulzim Basha ka denoncuar me tone të ashpra vendimin e Gjykatës së Tiranës për të gjykuar dosjen ‘Babale’, ku i pandehur është marrë edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Basha tha se më këtë vendim po shkojnë “në gjyq si të pandehur denoncuesit e krimit, por jo kriminelët.”
Ai akuzoi Prokurorinë se është pjesë e skemës së ‘narko-shtetit’, e udhëhequr nga Donika Prela, drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
“Prokuroria është pjesë e kësaj skeme të narkoshtetit. Ndaj ajo nuk ka guxuar, nën urdhrat e Donika Prelës, prokurores së korruptuar, të thërrasë dhe të nisë hetimet për personat e kapur nga vetë prokuroria për këtë çështje. Edi Rama ka promovuar personat e kapur në këtë krim të rëndë”, akuzoi Basha.
Kryeopozitari paralajmëroi gjyqtarin Kastriot Gramshi, që pranoi gjykimin e dosjes, se do t’i bëhet vetting publik nga Partia Demokratike.
“Dua t’ja bëjë fare të qartë Kastriot Gramshit dhe dy prokurorëve se nuk do t’ja hedhin vetting-ut me këtë vendim. Të jenë të siguritë, ai dhe dy prokurorët, se një për një, vettingu do t’u bëhet publikisht nga PD, për këtë kanë zotimin tim personal si kryetar i opozitës”, u shpreh Basha.
Gjykata e Tiranës ka vendosur sot të kalojë për gjykim dosjen ‘Babalja’, me të pandehur ish-deputetin Ervin Salianji, Fredi Alizotin, Albert Veliun dhe gazetarin Jetmir Olldashin për akuzën e ‘kallëzimit të rremë’.
Publikimi i audio-përgjimit, ku i përfshirë ishte edhe Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bëri të mundur që ai të dërgohej në Itali të vuante dënimin për trafik droge, të cilit i ishte shmangur prej vitesh duke qëndruar në Shqipëri.
Prokuroria shqiptare dhe hetimet jashtë vendit nuk vërtetuan asnjëherë se zëri në audio-përgjimin ku flitej për trafik droge Shqipëri-Itali, nuk i përkiste Agron Xhafajt, ashtu siç pretendoi kryeministri Edi Rama.
Disa materiale nga dosja e prokurorisë, të publikuara së fundmi nga ish-deputeti Salianji, treguan se drejtues të lartë të policisë dhe prokurorisë ishin përfshirë në fshehjen e skandalit. Në media u publikuan regjistrime nga bisedat e kupolës së policisë me Fredi Alizotin, që pretendon se është hequr sikur të ishte Agron Xhafaj në audio-përgjim, ku premtoheshin shuma të mëdha parash.
Në regjistrimet e fundit është përfshirë edhe Taluant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS, që sipas Salianjit, ka qenë në rolin e ‘negociatorit’ të Qeverisë.
KOHA JONË SONDAZH

