Nishani në Samitin e Bosforit: Të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Samitit të 7-të të Bosforit, që u organizua në Stamboll të Turqisë, me temë: “E ardhme globale – synime globale”.
Presidenti Nishani në fjalën e mbajtur në këtë samit, u shpreh ndër të tjera se “ky edicion i 7-të i Samitit të Bosforit vjen në një moment shumë të veçantë, kur bota dhe shoqëria njerëzore po përballen me pasojat dhe sfidat e një zhvillimi shumë të shpejtë, si dhe kërcënime që vënë në pikëpyetje shumë prej vlerave tona të përbashkëta”.
Kreu i Shtetit u përqendrua në një analizë të përgjithshme mbi atë çka bota po kalon dhe po përjeton sot, si dhe nevojën e bashkëpunimit sa më të ngushtë dhe të veprimit në mënyrë sa më të koordinuar. “Sigurisht që shoqëria njerëzore ka evoluar shumë dhe ka prekur horizonte të paimagjinuara një ose dy dekada më parë. Revolucioni teknologjik dhe kibernetik kanë ndryshuar jetën e planetit tonë të përbashkët. Zhvillimi është shumë i shpejtë, por duket se nuk po ecën me të njëjtën ritëm dhe shpejtësi dhe siguria.” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti i Republikës u përqendrua në mënyrë të veçantë në sfidat dhe krizat kryesore me të cilat po përballet shoqëria njerëzore sot, duke filluar nga turbulencat e fuqishme ekonomike e financiare e duke vijuar me ndryshimet klimatike, luftrat lokale dhe rreziku i përhapjes së tyre në nivele të paimagjinueshme, krizën e refugjatëve nga zonat në konflikt e luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Duke iu refereuar arritjes së marrëveshjes për klimën në Paris, Presidenti Nishani u shpreh se arritja e asaj marrëveshje “ishte shembulli më domethënës se, kur ka ndërgjegjësim, vullnet të përbashkët dhe bashkëpunim, identifikimi i saktë i kërcënimit, adresimi i tij dhe gjetja e zgjidhjeve përkatëse bëhet realitet dhe në kohën e duhur”.
Ndërsa duke u ndalur tek rreziku i përhapjes dhe shtrirjes së luftrave lokale në mënyrë të rrezikshme, Presidenti Nishani theksoi se “konfliktet në Siri, Ukrainë, Irak, Jemen, Afganistan, konfliktet e brendshme në shumë vende të tjera të Afrikës Veriore, kërcënimet që vijnë nga Koreja e Veriut, por edhe shumë vende e rajone të tjera të botës, po e dëmtojnë shumë strukturën e sigurisë sonë, si dhe po prodhojnë kriza të tjera shumë më të rrezikshme dhe që për përballimin e pasojave të tyre do të kërkohet një kosto shumë herë më e madhe si në burime financiare ashtu edhe njerëzore”.
Presidenti Nishani solli në vemendjen e auditorit eksperiencën e konflikteve etnike e fetare në rajonin e Ballkanit pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe efektet pozitive që solli ndërhyrja parandaluese e NATO-s në Kosovë dhe angazhimi serioz i komunitetit ndërkombëtar, duke bërë që sot rajoni të disktujë çështje të bashkëpunimit e pajtimit dhe jo më të konflikteve të armatosura. “Ballkani Perëndimor sot është më i paqtë dhe më i sigurtë dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit janë të përfshirë në dialog me njëri-tjetrin. Edhe mes Kosovës dhe Serbisë, po vijon një dialog disa vjeçar, i inicuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dhënë dhe rezultate konkrete.”- u shpreh Presidenti Nishani.
Në mbyllje të fjalës, Presidenti Nishani theksoi se “për një të ardhme të përbashkët ne nuk duhet të reshtim për asnjë çast së gjeturi gjuhën e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit, në dobi të fëmijëve e shoqërive tona, si dhe për të ardhmen e brezave që vijnë pas”.
Gjatë ndjekjes së punimeve të Samitit të Bosforit, Presidenti Nishani zhvilloi takime të shkurtra me shumë krerë shtetesh dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pjesëmarrës në këtë Samit, përfshirë dhe Presidentin e Republikës së Turqisë, zotin Recep Tayyip Erdogan.
KOHA JONË SONDAZH

