Një Kennedy për president mund t’i ndërlikojë kalkulimet zgjedhore në SHBA
Ekipet elektorale të kandidatëve presidencialë Joe Biden dhe Donald Trump kanë pak pika të përbashkëta. Njëra prej tyre është ndikimi që do të ketë kandidimi për president i një avokati aktivist me prejardhje nga një familje e shquar politike: Robert F. Kennedy, i Riu. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman thotë se kandidatura e zotit Kennedy shihet si një çështje që mund t’i ndërlikojë kalkulimet në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Nëpër anketat e realizuara gjatë këtij viti zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e votuesve të regjistruar deklarojnë se do të preferonin kandidatë të tjerë në vend të Presidentit Joe Biden dhe ish Presidentit Donald Trump për zgjedhjet e nëntorit.
“Përfytyroni se si do të duket ky vend në nëntor nëse do të fitojë Presidenti Trump apo Presidenti Biden — përçarja do të vazhdojë, ndërsa zemërimi, gjuha e urrejtjes, kaosi dhe polarizimi do të përkeqësohen. E vetmja mënyrë për t’u dhënë fund këtyre dukurive është përmes kandidaturës time të suksesshme”, thotë ai.
Zoti Kennedy, i cili flet me një zë të ngjirur për shkak të një çrregullimi të pashërueshëm neurologjik, nuk është tërhequr nga gara megjithë humbjen që pësoi në zgjedhjet paraprake demokrate ndaj zotit Biden.
“Robert F. Kennedy i Riu nuk do të jetë presidenti i ardhshëm.”
Ky është vlerësimi i profesorit të Universitetit Georgetown Hans Noel, me të cilin pajtohen studiuesit e shkencave politike.
Por çështja që shqetëson ekipet elektorale të zotit Biden dhe zotit Trump është mundësia që zoti Kennedy të miratohet si kandidat i tretë në afro gjashtë shtete që pritet të jenë përcaktuese për zgjedhjet dhe ku disa mijëra votat për të mund të ndryshonin rezultatin në këto shtete.
“Natyrisht, këto vota do të bënin dallimin për kahjen që do të merrte shteti. Nëse bëhet fjalë për një shtet relativisht të madh, ku rezultati përfundimtar do të ishte i ngushtë, çka ne presim të ndodhë, atëherë mund të ndryshonte rezultati i garës”, thotë Hans Noel, nga Universiteti Georgetown.
“Do të jem në fletëvotim në të gjithë shtetet. Deri në muajin korrik, do të jem në fletëvotimin e çdo shteti.”
Kandidati Kennedy ka edhe një avantazh tjetër, të cilin nuk e kanë kandidatët e tretë që po garojnë në zgjedhjet e këtij viti në disa shtete – ai është një emër i njohur për amerikanët.
Ai është djali i Bobby Kennedy-t, njëri nga kandidatët kryesorë në zgjedhjet paraprake presidenciale të Partisë Demokratike në vitin 1968, i cili u vra gjatë fushatës. Xhaxhai i tij është Presidenti John F. Kennedy, i cili u vra në detyrë në vitin 1963.
“Familja Kennedy nuk është aspak e lumtur që ai po kandidon në zgjedhje dhe kanë bërë disa përpjekje për ta bërë të qartë qëndrimin e tyre”, thotë Hans Noel, nga Universiteti Georgetown.
Njëra prej tyre ishte takimi me zotit Biden, i rrethuar nga anëtarët e familjes Kennedy, përfshirë zonjën Kerry Kennedy, motrën e kandidatit të pavarur.
“Duam ta bëjmë shumë të qartë qëndrimin tonë se rruga më e mirë përpara për Amerikën është rizgjedhja e dyshes Biden – Harris për të qeverisur në katër vitet e ardhshme”, thotë ajo.
Teoritë e dyshimta të zotit Kennedy për vaksinat, orgjinën e epidemisë COVID-19 dhe vrasjet e babait dhe xhaxhait të tij kanë joshur disa përkrahës, sipas profesorit Noel.
“Për momentin, zoti Kennedy u pëlqen më shumë republikanëve sesa demokratëve. Por kjo sigurisht ka të bëjë kryesisht me faktin që ai është demokrat dhe një ish demokrat i cili kritikon demokratët e tjerë. Republikanëve u pëlqen kjo gjë dhe u zgjon interesimin. Por ata nuk do të votojnë për të, në vend të zotit Trump”, thotë Hans Noel, nga Universiteti Georgetown.
Ekipi i zotit Kennedy refuzoi kërkesën e Zërit të Amerikës për intervistë me kandidatin, ose ndonjë bashkëpunëtor të tij, me arsyetimin se “shtabi i tij elektoral ka vendosur që në këtë periudhë t’u japë intervista vetëm mediave amerikane që i shërbejnë një audience amerikane.”