Nuk ndalojnë sherret në PD, edhe FRPD kundër Bashës
Nuk ndalojnë sherret në PD. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së FRPD-së, Belind Këlliçi tha se ky proces zgjedhjesh që pritet të zhvillohen është totalisht kundër statutit dhe synon uzurpimin e FRPD-së nga Basha.
“Vendimi ynë që do t’ju bëhet dhe ju me dije është 100% kundër. Ne kemi detyrim statutor për të bërë më të mirën për të pasur një strukturë të re. Çdo shtëpi ka themelet e saj dhe unë jam krenar për demokracinë tonë të brendshme.
Në forumin rinor ka përplasje idesh, ka debate, por këtë proces nuk e njohim. Ne kemi persona në FRPD që janë diplomuar në 10 universitetet më të mira në botë dhe publiku nuk i njeh. Ky nuk është momenti për të uzurpuar institucionet,”– tha deputeti Këlliçi.
Njoftimi i plotë i Partisë Demokratike për FRPD
Hapet gara për rioganizimin dhe zgjedhjet në FRPD. Kryetari zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë.
Forumi Rinor i Partisë Demokratike nisi sot procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat. Kryetari PD Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën. Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e FRPD-së mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.
Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga:
* Oriela Nebiaj
* Hergert Alimerko
* Dario Sejdini
* Enkelejda Rica
* Juela Hamati
* Anita Doçi
Ky grup do të mbikqyrë mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit të anëtarësimeve, rifreskimit të të dhënave dhe zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe strukturat e Forumit Rinor.
Menjëherë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe riorganizimit, do të vijohet me zgjedhjen me 1 anëtar, 1 votë të kryetarit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRPD-së në nivel qendror dhe lokal.
Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kanë mbaruar në vitin 2019.
KOHA JONË SONDAZH

