“Opozita e re në Kuvend”, Panariti: Kjo është kapje e shtetit

Ish-ministër i Jashtëm, ish-ministër Bujqësie dhe tashmë edhe ish-deputet i LSI-së, Edmond Panariti ka komentuar zhvillimet e fundit dhe situatën politike. Duke folur për deputetët e rinj, ku katër nga radhët e LSI-së që dje morën mandatin nga KQZ-ja dhe që sot u betuan në Kuvend, Panariti e cilëson si kapje të shtetit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale Panariti shprehet se Kuvendi i Shqipërisë përfundimisht u kthye në Zyrë Noteriale të Qeverisë.

Sipas tij, kjo legjislaturë farse, është ndër të tjera edhe dhunim i hapur i Kushtetutës, sepse Kushtetuta e Shqipërisë parasheh si legjitim vetëm një parlament me 140 deputetë të dalë nga votimi popullor i forcave politike garuese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Reagimi i plotë i Edmond Panaritit

Swiss Digital Mobile Reklama

State Capture! Kapje e Shtetit! Ose vetë shkruaj dhe vetë vulos! Tani qeveria harton direkt ligje dhe jo më projektligje? Sepse Kuvendi i Shqipërisë përfundimisht u kthye në Zyrë Noteriale të Qeverisë. Kjo legjislaturë farse, është ndër të tjera edhe dhunim i hapur i Kushtetutës, sepse Kushtetuta e Shqipërisë parasheh si legjitim vetëm një parlament me 140 deputetë, të dalë nga votimi popullor i forcave politike garuese. As më shumë dhe as më pak! Por këto mandate qartazi nuk janë më! Sepse opozita e vendit është jashtë Kuvendit të shkeljeve të Kushtetutës të instaluara me forcën e kartonit dhe jashtë filtrit të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, ky parlament ka rënë. Prandaj çfarë po ndodh do të shkruhet si një faqe e errët dhe njollë turpi në librin tonë të historisë. Ky do të shërbejë edhe si një rast studimor në të ardhmen për të rinjtë tanë, që do të studiojnë të drejtën kushtetuese. Ata do të mësojnë se si qeveria dhe partia-shtet arrijnë të “hackerojnë” ose e thënë shqip të “kapin nga brenda” parlamentin, duke sajuar mandate “renegate” dhe të kundërligjshme. Këto mandate të blera i duhen partisë-shtet për të noterizuar në “union” të gjitha ligjet e saj. Studentët do të mësojnë edhe se si një autokraci ja del të sajojë dhe emërojë me procedurë “opozitën” e re, e cila në mënyrë “konstruktive” do të “këndojë”, flasë dhe vendosë me stilin e shumicës. Shumica do ndihet e lumtur që e ka atë në krah dhe do përpiqet ta mbajë atë sa më gjatë të jetë e mundur, nëse e lejojmë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?